Roli i një njeriu të Kulturës kufizohet në gjurmimin dhe në përhapjen e së Vërtetës. Ai përpiqet të përhapë mendimet e veta dhe t’i futë në vetëdijen e bashkatdhetarëve të tij. Mendimtari s’ka nevojë të vërë në dorë fuqinë reale dhe të sundojë botën duke u mbështetur në bajonetën e xhandarit. Ai ndjek rrugën e vet. Dhe e ndjek këtë rrugë me guxim dhe me qetësi. Ecën dhe duke vajtuar.
Artistët i propozojnë popullit ndjenjat dhe mendimet e tyre: vetëm i propozojnë. Nuk mund t’ia imponojnë. Ata kanë në dorë një tok mjete morale – bindjen, shijen, entuziazmin dhe një seri të tjera veprimi.
Lëmi i mendimit është një shesh i lirisë. Në këto gjëra nuk mund të hyjnë në punë as shtypjet, as frikësimet, as edhe çdofarë urdhri zyrtar.
Atje ku kultura bëhet skllav i politikës humbet kuptimin e qenies së vet; dhe nga ana tjetër edhe politika fshin dhe çvleftëson çdo lloj përpjekjeje që ka si qëllim të ndihmojë shoqërinë në ecjen e saj drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërrohen dhe degjenerohen të gjitha. Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk.
Kështu shprehej në vitet e 30-ta publicisti i famshëm shqiptar – Branko Merxhani, po, mjerisht, në shtetet e çudirave ende bën xhungël lulesh bodleriane dhe ka pak, fort pak hapësirë për sheshet e dinjitetit pa shtypje, pa frikësime, pa urdhra zyrtarë.
Në vilajetet në zallahi të përgjithshme, ku praktikohen njëmijë mënyrat e hipnozës kolektive, vazhdon të luhet burlesku i përzierjes së kompetencave, kategorive, dimensioneve. Fjalën e parë këtu e kanë rapsodët e pushtetit, tarabukat e të cilëve pengojnë gërvishtjen e zhugës që paraqet punë Sizifi dhe ndërmarrje që bart me vete rreziqe serioze. Rreziqe që rrallojnë ata të cilët, siç do të thoshte Azem Shkreli: janë të gatshëm të vdesin për çdo varg, për çdo fjalë.
Kështu betonohet tregu i prostituimit kulturor ku vërdallisen paturpësisht hipokritët, demagogët, tartufët, danjollët, skribomanët – izmeqarët vullnetarë të pronarëve të etnive të mbetura n’jeshillëk kronik… dhe ku unë, ti, ne… i bëhemi teslim kurgjësë dhe luajmë me devotshmëri rolin e shimpanzës me maniera çingeneje, në dramën e sorrollatjes sonë kolektive.
Të gjendur në distancë margjinash e në rreth miop vicioz, krijuesit humbin mjetet morale – bindjen, shijen, entuziazmin… dhe bëhen skllevër të politikës, duke u shkatërruar e degjeneruar tok me të. Ata humbin vetveten dhe nuk kanë kurajë ta bëjnë atë që bëri i Madhi Hivzi Sulejmani para hundës së tmerrshme të
Rankoviqit që turfullonte mortje: “Ta shpallin të vërtetën dhe të sfidojnë vrazhdësinë e tiranëve dhe frikën e skllavëve të tyre”.
Rrallë e tek, sa për të prishur notën mesatare të dyfytyrësisë, Rembranti portreton shtallave virgjëreshën dhe pakëson numrin e jargavecëve të artit që (veç) ecin duke vajtuar…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.