Kur mungojnë reformat, folklori merr hov. Mësime nga Tanzimati

Përfaqësuesit e BE-së kanë deklaruar se ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme që shteti të ecë përpara, ndërsa qeveria në Shkup me apo pa arsye ka ndjekur një qasje të ndryshme.

Së fundmi, në rrjetet sociale u bë e ditur se një grup këngëtarësh nga Serbia do të performojnë në Shkup. Ndërkohë, po në Shkup dhe gjetkë, ka një mobilizim maqedonas në mbrojtje të gjuhës, identitetit e kështu me radhë.

Megjithëse nuk ka asnjë lidhje me këngët që do të interpretohen, kjo ngjarje më solli ndërmend këngët që kanë ekzistuar në rajonet tona prej shekujsh.

Në hapësirën shqiptare, njihen këngë si “Vijnë vaporët, moj nënë”, “Kur e përcolla Ylberin”, “O nizam nizam të ri” etj., të cilat ndër të tjera na kujtojnë ndikimin e reformave të ndërmarra nga Veziri i Madh Mustafa Reshid Pasha (1800-1858).

Historikisht, reformat kanë qenë pjesë e domosdoshmërisë që shtetet të ecin përpara dhe të korrigjojnë gabimet në shoqëri.

Në rajonin tonë është folur shumë për reforma, megjithatë, nëse hedhim një vështrim pas, duhet t’i përmendim reformat më të rëndësishme të ndërmarra nën Perandorinë Osmane para shpërbërjes së saj, të njohura si Reformat e Tanzimatit (1839- 1876).

Në atë periudhë, pas vendosjes së rregullave të reja dhe tatimit të lartë nga osmanët, banorët e rajoneve ballkanike rekrutoheshin për periudha shtatëvjeçare në luftërat osmane në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, Rumelinë Lindore dhe gjetkë, aty ku perandoria kishte nevojë për mbrojtjen e territoreve të saj.

Nga një aspekt tjetër e historik, është tejet e vështirë të parashikohet nëse reformat sjellin ndryshim dhe përparim për një vend. Megjithatë, ia vlen që një qeveri të ndjekë politika të tilla, në dobi të sigurisë kombëtare dhe të një pozicioni më të favorshëm në politikën ndërkombëtare.

Në kontekstin ballkanik, nisma të tilla mund të rikthejnë kujtimin e reformave dhe integrimit, të shoqëruara me mundësinë e projeksionit të fuqisë.

Edhe pse reformat dështuan dhe Perandoria Osmane u shpërbë, mbeti gjithsesi një gjurmë që dëshmon se vullneti dhe vizioni janë dy imperativa thelbësorë për të qëndruar gjatë në lojë. Janë pikërisht këto imperativa që u mungojnë sot disa qeverive ballkanike për të ecur përpara.

Këngët e përmendura shërbejnë gjithashtu si shembuj të ndikimit apo jetëgjatësisë së vargjeve për më shumë se një shekull.

Në kontekstin evropian të Luftës së Ftohtë, mund të përmendim autorë dhe botime të rëndësishme letrare që formësuan botëkuptime më ndryshe për botën dhe reformat.

Ishin Oruelli (George Orwell), Haveli (Vaclav Havel), Solzhenicini (Aleksandr Solzhenitsyn) dhe të tjerë si ata që u bënë simbol i ndryshimeve dhe reformave në botën komuniste.

Më vonë, brezat në bllokun lindor i përdorën publikimet e autorëve të përmendur, dhe shprehje të tjera kulturore bashkë me shtypin, për të rrëzuar komunizmin.

Me fjalë të tjera, popujt dhe kombet kanë nevojë për lloje të caktuara mitesh të shprehura përmes këngëve, letërsisë dhe formave të tjera për të vazhduar ekzistencën e tyre dhe për të luftuar në arenën politike e më gjerë.

Këto vargje, këngë apo edhe mite duhet ta ruajnë lidhjen me realitetin, pa bërë thirrje për mizori.

Si përfundim, edhe pse po kalojmë shpejt nëpër epoka të ndryshme historike, duhet nënvizuar se reformat janë një sipërmarrje e vështirë, që mund të sjellin sukses, por edhe humbje të mundshme.

Megjithatë, ato duhen ndërmarrë për të testuar idetë, si dhe për të vlerësuar stabilitetin e mundshëm dhe përparimin qoftë në kontekstin aktual me BE-në, qoftë për sa u përket shteteve të Ballkanit.

Shtetet evropiane, osmanët dhe Rusia Cariste nuk u frikësuan nga reformat pavarësisht dështimeve. Në historinë e Rusisë, ia vlen të veçohen reformat e rëndësishme të njohura si Manifesti i Emancipimit i vitit 1861, të mbështetura nga Aleksandri II.

Ndërkaq sot, kur disa qeveri ballkanike hezitojnë t’i bëjnë disa reforma, shpesh devijojnë nga rruga dhe përqendrohen te folklori, identiteti, shovinizmi i nxitur nga jashtë dhe nga brenda.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi