Ardhja e presidentit të Këshillit Evropian në Shkup nuk solli afrim të qëndrimeve mes Brukselit dhe Shkupit. Përkundrazi, deklaratat pas takimit treguan se pozicionet ekzistuese u betonizuan edhe më tej, sidomos nga pala e Maqedonisë, e kompromisit nuk i shihej filli. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, përsëriti qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet kushti i domosdoshëm për vazhdimin formal të negociatave të anëtarësimit. Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski nuk dha asnjë sinjal se qeveria është e gatshme të lëvizë nga pozicioni i saj aktual. Me fjalë tjera, takimi nuk prodhoi asnjë lëvizje politike në drejtim të kompromisit. Përkundrazi, të dyja palët ripërsëritën pozicionet e tyre të njohura, duke e lënë të pandryshuar nyjën kryesore të kontestit, raporton Portalb.mk.
Mickoski theksoi se vendi mbetet fuqishëm i orientuar drejt Bashkimit Evropian, por kërkon një proces të besueshëm, të parashikueshëm dhe të bazuar në meritë.
“Biseduam për të ardhmen evropiane, për gjendjet në rajon, për reformat, ekonominë, sundimin e së drejtës, transformimin institucional, por edhe për një çështje shumë më të thellë – nëse ideja evropiane vazhdon të mbetet një ide që frymëzon, bashkon dhe krijon besim. Qëndrimi ynë është i qartë. Mbetemi fuqishëm të përcaktuar në rrugën evropiane. Nuk kërkojmë privilegje. Nuk kërkojmë rregulla të lehtësuara. Nuk kërkojmë asgjë që nuk u takon edhe të tjerëve. Kërkojmë parime dhe proces normal, të besueshëm dhe të parashikueshëm. Kërkojmë proces në të cilin reformat, puna, meritat dhe detyrimet e përmbushura do të vlerësohen në mënyrë reale”, tha Mickoski.
“Miratimi i amendamenteve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i domosdoshëm i radhës për nisjen formale të negociatave të anëtarësimit. Kjo është mënyra e vetme për të zhbllokuar përfitimet e plota të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Evropian është partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor dhe i Maqedonisë së Veriut, investitori më i madh dhe partneri kryesor tregtar i saj. Ne mbetemi të përkushtuar që t’ju mbështesim më tej – si politikisht ashtu edhe financiarisht”, tha Kosta.
Ndër të tjera, ai tha se “fuqia për të formësuar të ardhmen tuaj është në duart tuaja”.
Kur thotë se “fuqia për të formësuar të ardhmen tuaj është në duart tuaja”, Kosta në thelb ia lë përgjegjësinë udhëheqjes politike të Maqedonisë së Veriut. Ky është një formulim diplomatik me të cilin Brukseli dëshiron të tregojë se dera e BE-së mbetet e hapur, por se pengesa aktuale nuk ndodhet në Bruksel, por në Shkup. Me fjalë të tjera, BE-ja nuk paralajmëron ndryshim të kushteve, por pret që autoritetet e Maqedonisë të përmbushin obligimet e marra.
Edhe më i qartë është mesazhi i tij se “e vetmja mënyrë për të bërë përparim drejt integrimit evropian është angazhimi në dialog konstruktiv me fqinjët tuaj, ndërmarrja e hapave pragmatikë për ndërtimin e besimit dhe zbatimi i reformave të nevojshme”.
Kjo fjali i referohet drejtpërdrejtë kontestit me Bullgarinë dhe kërkesës për ndryshimet kushtetuese.
“Dialogu me fqinjët” dhe “ndërtimi i besimit” që i përmend Kosta, nënkuptojnë pikërisht nevojën për zbatimin e marrëveshjeve dhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve bilaterale.
Mesazhet e të dyja palëve dëshmuan se hendeku politik mbetet i pandryshuar. Brukseli vazhdon të insistojë në përmbushjen e detyrimeve të marra nga Shkupi, ndërsa qeveria e Maqedonisë kërkon garanci se procesi i integrimit nuk do të shoqërohet me kërkesa të reja politike.
Pikërisht për këtë arsye, vizita e Kostës nuk prodhoi ndonjë moment të ri politik apo formulë kompromisi. Ajo më shumë shërbeu për të riafirmuar qëndrimet e njohura të të dyja palëve.
Përndryshe, qysh përpara ardhjes së presidentit të KE-së në Maqedoni, krerët e vendit i dhanë qëndrimet e tyre, se nuk lëshojnë pe.
Në pritje të vizitës së Kostës, kreu i diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski, deklaroi se Qeveria mbetet në qëndrimin e saj në lidhje me garancitë nga BE-ja se nuk do të ketë më kërkesa që lidhen me historinë, identitetin dhe kulturën e popullit maqedonas nga Bullgaria në procesin e negociatave të pranimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mosmarrëveshja me Bullgarinë, tha ministri, sigurisht që do të jetë një nga temat e diskutimit me Presidentin e Këshillit Evropian, i cili, sipas Mucunskit, deri më tani ka qenë një faktor proaktiv dhe ka bërë disa përpjekje për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje. I pyetur nëse do të ketë ndonjë dokument non-paper në tryezë, kreu i diplomacisë së Maqedonisë tha se aktualisht po diskutohen ide që duhet të çojnë në një zgjidhje dinjitoze, gjë që, siç tha ai, nuk ishte rasti kur vendimet për këtë çështje u morën nga qeveria e mëparshme.
Kjo u përsërit nga kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat, duke deklaruar se mesazhet e Qeverisë në lidhje me çështjen me Bullgarinë janë të qarta dhe të argumentuara mirë.
U raportua se një tjetër temë që pritet të diskutohet me Kostën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat më 5 qershor, është letra e kancelarit gjerman Friedrich Merz, në të cilën ai propozon zgjidhje inovative për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, duke vendosur një fokus të veçantë në Ukrainë, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë. Duke komentuar letrën, Mucunski tha se vendi është i gatshëm për të gjitha zgjidhjet që çojnë në anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, që “padyshim është qëllimi ynë përfundimtar”.
- LEXO: Mucunski: Me Kostën, do ta diskutojmë patjetër mosmarrëveshjen me Bullgarinë, këmbëngulim në garanci
- LEXO: Mickoski: Pres të shkëmbej ide me Kostën për tejkalimin e kërkesës artificiale bilaterale ndaj Maqedonisë
- LEXO: Mickoski për propozimin e Merz: Jemi kuriozë të dimë se cila është ideja
Samitet BE-Ballkani Perëndimor janë bërë praktikë e rregullt që nga viti 2020. Ato mbahen një herë në vit, dhe çdo herë tjetër organizohen në një nga vendet e rajonit.
Samiti u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së në vitin 2022 në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Ky format përfaqëson një platformë kyçe politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: “Të zgjidhen mosmarrëveshjet me fqinjët”, pritet të porosisë Kosta Maqedoninë gjatë vizitës së dy qershorit
- LEXO: Fitorja e Rumen Radevit sjell stabilitet në Bullgari, por jo zgjidhje për Shkupin
- LEXO: “Maqedonas të veriut”, termi që përdori diplomatja bullgare shkaktoi tensione në Shkup, VMRO dhe LSM me akuza
- LEXO: Maqedonia e Veriut dërgoi demarsh me gojë deri te ambasadori bullgar