Reportazh nga Norvegjia: Një biletë për autobus, tramvaj, metro e madje edhe anije, si funksionon transporti publik në Oslo?

Në kryeqytetin norvegjez, Oslo, me një biletë të vetme mund të udhëtosh nga autobusi në metro, nga metroja në tramvaj madje edhe me anije që të çon në ishujt e fjordit. Portalb.mk sjell reportazh nga kryeqendra skandinave se si funksionon transporti publik atje.

Oslo është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Norvegjisë. Në komunën e Oslos jetojnë rreth 729 mijë banorë, ndërsa zona urbane e qytetit shtrihet përtej kufijve administrativë dhe ka mbi 1.1 milion banorë.

Në një qytet të tillë, që shtrihet nga qendra urbane deri te lagjet periferike dhe përfshin edhe ishujt e fjordit, mënyra se si njerëzit lëvizin është pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme.

Pikërisht këtu hyn në funksion rrjeti i integruar i transportit publik, ku autobusët, tramvajet, metroja dhe anijet lidhen me njëri-tjetrin përmes një sistemi të vetëm, që realizohet përmes kompanisë Ruter.

Në zonën e Ruter-it e cila përfshin Oslon dhe Akershus, gjatë vitit 2025 janë realizuar 399 milionë udhëtime me transport publik, që paraqet rritje krahasuar me 395 milionë udhëtime në vitin 2024. Kjo e kthen transportin publik në një nga mënyrat kryesore të lëvizjes.

Metro në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Por ajo që bie më shumë në sy kur e përdor si vizitor është thjeshtësia e sistemit.

Mund të nisesh me autobus nga një pjesë e qytetit, të zbresësh në ndonjë stacion dhe të vazhdosh me metro. Më pas mund të marrësh tramvajin ose, nëse destinacioni është në njërin prej ishujve të Oslos, edhe anijen. Derisa ndryshon mjetet e transportit, bileta mbetet e njëjtë.

Ruter e ndan zonën e transportit në zona tarifore. Për udhëtimet brenda Zonës 1, që përfshin Oslon, bileta e vetme është e vlefshme për 60 minuta nga momenti kur aktivizohet.

Brenda kësaj kohe mund të ndërrosh autobus, tramvaj, metro apo anije, për sa kohë që bileta vazhdon të jetë e vlefshme.

Nëse udhëtimi kalon në zona të tjera, koha e vlefshmërisë zgjatet me 30 minuta për çdo zonë shtesë.

Pra, sistemi nuk të tarifon sa herë ndërron mjetin. Tarifa lidhet me zonën dhe kohën, jo me numrin e autobusëve apo tramvajeve që përdor.

Kjo është veçanërisht praktike në një qytet ku një udhëtim i vetëm mund të përfshijë disa mjete.

Autobusët, tramvajet dhe metroja

Në rrugët e Oslos qarkullojnë autobusë dhe tramvaje, ndërsa nëntoka dhe pjesë të tjera të qytetit lidhen përmes metrosë.

Rrjeti i metrosë, i njohur si T-bane, aktualisht ka pesë linja, të numëruara nga 1 deri në 5. Për secilën prej tyre oraret mund të kontrollohen përmes planifikuesit të udhëtimit të Ruter-it apo aplikacionit në telefon.

Tramvajet janë tjetër pjesë e dukshme e qytetit. Ata lëvizin nëpër rrugët e Oslos dhe lidhin qendrën me zona të ndryshme të qytetit.

Tramvaj në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Autobusët e plotësojnë rrjetin aty ku nuk shkon metroja apo tramvaji. Por të gjitha këto mjete janë pjesë e të njëjtit sistem dhe për pasagjerin funksionojnë si rrjet i vetëm.

Nëse aplikacioni të tregon se për të arritur në destinacion duhet të ecësh pesë minuta, të marrësh autobusin dhe më pas të kalosh në metro, nuk ke nevojë të mendosh për tre bileta. Një biletë e vlefshme e mbulon këtë udhëtim.

Transport publik edhe përmes ujit

Në Oslo transporti publik nuk ndalet në rrugë dhe nën tokë. Qyteti ka edhe një tjetër mënyrë lëvizjeje, përmes ujit.

Oslo është qytet i ndërtuar rreth fjordit dhe kjo reflektohet edhe në transportin publik.

Nga zona e Aker Brygge mund të marrësh anije drejt disa prej ishujve të fjordit. Kështu, bileta që e ke blerë për të lëvizur në qytet mund të të çojë edhe përtej qendrës urbane, drejt ishujve në fjord, nëse destinacioni dhe zona përputhen me vlefshmërinë e saj.

Anije e transportit publik në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Stacionet dhe informacioni në kohë reale

Por integrimi nuk shihet vetëm te bileta. Ai shihet edhe në mënyrën se si është organizuar vetë udhëtimi.

Në stacionet e autobusëve dhe tramvajeve ka tabela digjitale që tregojnë nisjet e ardhshme dhe kohën e mbetur deri në mbërritjen e mjetit.

Në stacionet dhe në mjetet e transportit ka edhe informacione për numrin e linjës, destinacionin dhe ndalesat, ndërsa brenda autobusëve ekranet tregojnë ndalesat e ardhshme dhe sa kohë mbetet deri te ato. Njoftimet bëhen edhe me zë, në mënyrë që pasagjerët të dëgjojnë se cila është ndalesa e radhës.

Edhe hartat janë pjesë e sistemit, ka harta të veçanta për autobusët, tramvajet, metronë dhe anijet.

Autobus i transportit publik në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në praktikë, kjo do të thotë se edhe kur nuk e njeh qytetin, nuk ke nevojë ta dish paraprakisht rrjetin. Informacioni në stacion, në mjet dhe në telefon të tregon hap pas hapi ku duhet të shkosh, cilin mjet të marrësh dhe ku të zbresësh.

Tjetër element është qasja për personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit me karroca. Shumica e autobusëve, tramvajeve, metrosë dhe anijeve janë të përshtatura për qasje, ndërsa autobusët e qytetit kanë dysheme të ulët dhe hapësira të posaçme për karroca dhe karrige me rrota. Ruter gjithashtu po standardizon mënyrën e ndërtimit të stacioneve, duke përfshirë platformat dhe shiritat orientues për personat me dëmtime në shikim.

Kështu, organizimi i transportit nuk mbaron te mjeti që të çon nga një pikë në tjetrën. Edhe stacioni, tabela, harta, njoftimi zanor dhe informacioni në kohë reale janë pjesë e të njëjtit sistem.

Transport publik miqësor edhe me mjedisin

Edhe energjia është pjesë e mënyrës se si është ndërtuar ky sistem. Metroja dhe tramvajet janë elektrikë, ndërsa elektrifikimi po shtrihet gradualisht edhe te autobusët dhe anijet.

Në qytet tashmë qarkullojnë qindra autobusë elektrikë, ndërsa në transportin detar po shtohen anijet me bateri, me synimin për të ulur përdorimin e karburanteve fosile dhe emetimet nga transporti publik.

Metro në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sa kushton?

Në vitin 2026, një biletë e vetme për të rritur brenda Zonës 1 kushton 46 korona norvegjeze (260 denarë apo 4.2 euro).

Për ata që përdorin transportin më shpesh, ekzistojnë edhe bileta periodike: për një ditë, një javë, një muaj ose një vit.

Për shembull, bileta 30-ditore për një zonë në Oslo aktualisht kushton 655 korona (3700 denarë apo 60 euro).

Bileta 24-orëshe e cila kushton 137 krona (770 denarë apo 12 euro) mund të jetë më ekonomike nëse gjatë ditës përdoret transporti më shumë se tri herë, ndërsa bileta 30-ditore bëhet më e leverdishme për ata që udhëtojnë rregullisht.

Ka edhe tarifa të reduktuara për kategori të caktuara, përfshirë fëmijët, të rinjtë, studentët dhe pensionistët.

Autobus i transportit publik në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjithçka nis nga aplikacioni

Nëse do të udhëtosh në Oslo, aplikacioni Ruter është praktikisht harta e transportit në xhep.

Aty e shkruan nga po nisesh dhe ku dëshiron të shkosh, ndërsa aplikacioni të tregon nëse duhet të marrësh autobus, tramvaj, metro, tren apo anije, sa duhet të ecësh deri te stacioni dhe ku duhet të bësh ndërrimin.

Aplikacioni nuk ndalet vetëm te planifikimim, aty mund të blesh edhe biletë duke mos pasur nevojë të vizitosh kiosqet për kartelë fizike.

Aplikacioni ofron edhe të dhëna në kohë reale, ndërsa për autobusët mund të shohësh në hartë se ku ndodhet autobusi që po pret.

Aplikacioni tregon gjithashtu ndryshimet, vonesat dhe ndërprerjet në rrjet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Oslon ku linjat mund të ndryshojnë për shkak të punimeve apo ngjarjeve.

Tramvaj në Oslo – Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bileta blihet para se të hipësh

Në Oslo, ideja është që bileta të jetë e aktivizuar si ajo fizike apo ajo online para se të hysh në transport.

Ajo mund të blihet edhe në formë fizike përmes një karte udhëtimi, ndërsa në autobus ose anije mund të blihet edhe gjatë udhëtimit, por me kosto shtesë.

Në tramvaj dhe metro nuk mund të blesh biletë pasi të kesh hipur.

Ndryshe, krahas transportit publik, në rrugët e Oslos ofrohen edhe biçikleta dhe trotinete elektrikë me qira.

Ato mund të gjenden në pika të ndryshme të qytetit dhe përdoren kryesisht për distanca të shkurtra, duke ofruar një tjetër mënyrë për të lëvizur shpejt mes lagjeve, stacioneve dhe qendrës së qytetit.

NorvegjiOslloTransportTransport, Transport publik