Ushtarët profesionistë të ARM-së, me të cilët hymë në NATO, pas mbushjes së moshës 45 vjeçare i humbasin vendet e tyre të punës sepse janë të punësuar përkohësisht dhe kontrata e tyre nuk mund të transformohet me kohë të pacaktuar pune në Armatë, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.
Ata janë e vetmja kategori e punonjësve në Armatë që nuk kanë mundësi të lidhin një kontratë pune me kohë të pacaktuar, gjegjësisht pa mundësi të transformimit të marrëdhënies së punës dhe janë në një pozitë më pak të favorshme në krahasim me punonjësit e tjerë (personeli aktiv ushtarak dhe civil).
Kjo është arsyeja se pse Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim indirekt nga Ministria e Mbrojtjes ndaj ushtarëve profesionistë në shërbim të Armatës së Maqedonisë në bazë të statusit personal dhe shoqëror në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës.
Ushtarët profesionistë nuk janë të diskrimunuar vetëm në raport me punonjësit e tjerë në Armatë, por edhe në raport me të gjithë qytetarët, sepse për ushtarët nuk vlen Ligji për Marrëdhëniet e Punës, i cili thotë se pas 5 vitesh pune te i njëjti punëdhënës, ky i fundit është i detyruar ta punësojë punonjësin përgjithmonë, gjegjësisht me kohë të pacaktuar. Ushtarët tanë profesionistë nuk punojnë 5, por 25 vjet në ARM, duke i vazhduar kontratat e tyre vetëm me kohë të caktuar.
Pas një ankese të parashtruar nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë nëntorin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes iu përgjigj Komisionit për Parandalimin e Diskriminimit se për ushtarët profesionistë vlen Ligji për Shërbimin në ARM, i cili është special, dhe jo Ligji për Marrëdhëniet e Punës, i cili është i gjeneral, për të gjithë qytetarët e tjerë të punësuar në vend. Përveç kësaj ushtarët e kanë ditur se çfarë kanë nënshkruar kur janë punësuar në Armatë.
Ligji për Shërbimin në ARM thotë se ushtarët profesionistë lidhin një kontratë me kohë të caktuar çdo 4 vjet, varësisht nga përgatitja e tyre, por jo më vonë se deri në moshën 45 vjeç, dhe më pas ata kanë të drejtë të kërkojnë kompensim për ndërprerje të kontratës ose të merren në punë nga institucione të tjera shtetërore ose komunale, pa shpallje publike.
Megjithatë, Komisioni beson se me këtë ligj diskriminohen vetëm ushtarët profesionistë. Rekomandon që Ministria e Mbrojtjes të marrë masa për siguri ligjore dhe barazi të ushtarëve në raport me punonjësit e tjerë në Armatë, duke siguruar kështu trajtim të barabartë në aspektin e statusit të punësimit.
“Rekomandohet që Ministria e Mbrojtjes të fillojë një procedurë për ndryshimin dhe harmonizimin e Ligjit për Shërbimin në Armatë me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit në një mënyrë që do të mundësojë transformimin e marrëdhënies së punës së ushtarëve profesionistë nga marrëdhënie pune me kohë të caktuar në marrëdhënie pune me kohë të pacaktuar, në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës”, thuhet në rekomandimin drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.