VEPRIMTARI I PAPËRKULUR

Personaliteti i ndritur, i denjë për çdo nderim, Shaban Xheladini, u shqua për vendosmërinë, guximin, urtësinë, zemërgjerësinë dhe mendjemprehtësinë e rrallë. Ai lindi më 13 prill 1930 dhe u nda nga jeta më 26 nëntor 2003, pikërisht në muajin që shënon disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare.

Për veprimtarinë e tij kombëtare duhet folur sa më shpesh dhe duhet shkruar sa më shumë, sepse, duke e nderuar këtë veprimtar të shquar të çështjes shqiptare, e nderojmë veten dhe mbajmë të ndezur pishtarin e idealit të tij, i cili duhet të ndriçojë përherë në ndërgjegjen tonë kombëtare.

Ky idealist i pashoq iu bashkua lëvizjes antifashiste në moshë të re, me bindjen se shqiptarët do të fitonin të drejtat që u ishin mohuar. Por, me përfundimin e luftës, ai e kuptoi se idealet për të cilat kishte punuar ishin tradhtuar. I zhgënjyer për shkak të gjendjes së rëndë të shqiptarëve, iu kundërvu me guxim e vendosmëri politikës antishqiptare. Punonte për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve dhe njëkohësisht u dërgonte letra proteste krerëve më të lartë të shtetit dhe organizatave ndërkombëtare. Për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare, vuajti dënimin në burgun famëkeq të Goli Otokut, në burgun e Bileçës dhe, më pas, në atë të Idrizovës.

Veprimtaria e Shaban Xheladinit, i cili nuk fliste për vuajtjet e veta, por për vuajtjet e kombit, mbështetej në një platformë kombëtare që përbënte vazhdimësinë e idealeve të Rilindjes Kombëtare.

Ai veproi në kohën kur shqiptarëve u mungonte pjekuria e mjaftueshme politike për t’i kuptuar proceset që zhvilloheshin në dëm të tyre. Në atë periudhë, shumë shqiptarë u detyruan t’i braktisnin vatrat e tyre, si pasojë e projektit famëkeq për spastrimin etnik të shqiptarëve.

Në periudha të zymta historike, çuditërisht dhe fatmirësisht, kombit i shfaqen personalitete që mbajnë ndezur pishtarin e shpresës dhe të lirisë. Njëri prej tyre ishte axha Shaban, siç e thërrisnim, i cili besonte se mbijetesa e shqiptarëve varej nga zgjimi i ndërgjegjes kombëtare.

Në periudhën e totalitarizmit, duke iu përshtatur rrethanave të kohës, ai kërkoi hapur që shqiptarët në ish-RSFJ të kishin një qendër të përbashkët politike e kulturore, të gëzonin të drejtën për ta shprehur identitetin kombëtar, për të përdorur simbolet kombëtare, për të ngritur institucione të larta arsimore e kulturore dhe për të zhvilluar marrëdhënie normale me Shqipërinë. Regjimi i konsideroi këto kërkesa largpamëse si “të rrezikshme”, kurse ideatorët i trajtoi si “armiq”.

Pikërisht, për shkak të sakrificave, këto figura madhështore meritojnë të kujtohen e të nderohen përherë me respektin më të thellë. Nderimi i tyre është dëshmi e mirënjohjes sonë ndaj atyre që punuan me përkushtim dhe sakrificë për brezat që do të vinin.

Shaban Xheladini, i cili kurrë nuk kërkoi të bënte karrierë politike, ndonëse e kishte këtë mundësi, veproi me vendosmëri edhe pas vitit 1990. Se një personalitet i këtij formati nuk mund të pajtohej me heshtjen. Ai reagoi kundër çdo padrejtësie me mençuri e kurajë, nëpërmjet veprimeve e shkrimeve të shumta.

Më 1991 ishte ndër nismëtarët e themelimit të Klubit Demokratik Shqiptar, kurse një vit më vonë drejtoi Shoqatën e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Shqiptarë. Gjatë kësaj periudhe, ishte ndër prijësit e protestave për të drejtat e shqiptarëve. Mori pjesë në aksionin për pajtimin e gjaqeve, sepse e dinte se një komb i përçarë ishte komb i dobësuar. Po kështu, u angazhua fuqishëm për jetësimin e Universitetit të Tetovës, me bindjen se një komb i paarsimuar nuk mund të kishte të ardhme.

Ideologjia e tij ishte thellësisht kombëtare. Ai qëndronte mbi ndarjet partiake dhe nuk udhëhiqej nga interesat e çastit. Kishte një ideal: ta shihte kombin shqiptar të përparuar dhe të lartësuar.

Emri i këtij burri shtatlartë e krenar, i këtij burri të guximshëm, të vendosur dhe idealist, që respektonte mendimet e ndryshme, për sa kohë i shërbenin çështjes shqiptare, do të mbetet i shënuar në librin e përjetshëm të historisë sonë kombëtare.

Shaban Xheladini, autor i librit Shpirt i trazuar (2001), meriton një monografi që do të përjetësonte veprën dhe kontributin e tij, por edhe do të përcillte mesazhin e rëndësishëm: ata që punojnë për të mirën e përgjithshme, herët a vonë, vlerësohen dhe nderohen me respektin më të thellë.

Ai nuk u la trashëgimtarëve pasuri përrallore, por emri i tij sot e nderon këtë familje të respektuar, që u përball me disa fatkeqësi të rënda. Dy djemtë e Shaban Xheladinit, dy miqtë e mi, Irfani dhe Iliri, ndërruan jetë brenda një kohe të shkurtër. Kjo ishte goditje e rëndë për familjen, por edhe për mikun tim, Qebirin. Disa familje sikur fshikullohen vazhdimisht nga fati i keq, por kurrë nuk arrin t’i mposhtë. Këtë mësim ua la Shaban Xheladini, që mbeti njeri i lirë së brendshmi edhe kur ndodhej prapa grilave.

Ky shkrim modest është vetëm homazh për një njeri të madh, pikërisht në 23-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Duke e kujtuar kontributin e axhës Shaban, mbajmë ndezur pishtarin e idealit të tij, për të cilin kemi nevojë sot dhe përgjithmonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu