U zgjodh studenti më i mirë i ekonomisë në UKM, Edon Rexhepi: Rezultatet janë produkt i punës së vazhdueshme dhe jo i përpjekjeve momentale

Me mesatare maksimale 10 Edon Rexhepi është shpallur studenti më i mirë i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në një bisedë për Portalb.mk, Rexhepi rrëfeu për rrugëtimin drejt këtij suksesi, sfidat e studimit në një gjuhë tjetër dhe përkushtimin që kërkon ruajtja e mesatares maksimale. Ai foli gjithashtu për nevojën e përmirësimit të kushteve akademike, përditësimin e literaturës dhe përfshirjen më aktive të studentëve në vendimmarrje. Për Rexhepin, dija dhe merita nuk njohin përkatësi etnike apo gjuhësore, ndërsa mundësitë për sukses, thotë ai, duhet të jenë të barabarta për të gjithë.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë për ty që u shpalle studenti më i mirë i Fakultetit Ekonomik në UKIM? Sa e vështirë ka qenë ta mbash mesataren 10 deri në diplomim dhe në cilin moment e ke ndier më shumë peshën e atij angazhimi?

Edon Rexhepi: Për mua, kjo është një nga arritjet më të rëndësishme personale dhe akademike, por njëkohësisht edhe një konfirmim i përkushtimit dhe punës shumëvjeçare. Mbajtja e mesatares 10,00 nuk ka qenë aspak e lehtë. Kërkonte vazhdimësi, disiplinë dhe përgjegjësi, jo vetëm gjatë periudhave të provimeve, por përgjatë gjithë studimeve. Peshën e këtij angazhimi e kam ndier veçanërisht në periudhat kur duhej të balancoja detyrimet akademike me angazhimet e tjera personale. Megjithatë, gjithmonë kam besuar se rezultatet e mira janë produkt i punës së vazhdueshme dhe jo i përpjekjeve të momentit.

Portalb.mk: Sa ka qenë sfidë për ty të studiosh në gjuhën maqedonase dhe cilat kanë qenë vështirësitë që ke hasur gjatë këtij rrugëtimi?

Edon Rexhepi: Studimi në gjuhën maqedonase ka qenë një sfidë shtesë, veçanërisht në fillim të studimeve. Përveç përvetësimit të materialit akademik, duhej të përshtatesha edhe me terminologjinë profesionale ekonomike dhe financiare në një gjuhë tjetër. Në një fushë si ekonomia, ku shumë koncepte janë specifike dhe kërkojnë saktësi në interpretim, kjo kërkonte kohë dhe përpjekje shtesë. Megjithatë, dua të theksoj se në këtë rrugëtim nuk kam qenë vetëm. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar prindërit, shokët, kolegët, si dhe stafin akademik për mbështetjen dhe ndihmën e tyre gjatë këtyre viteve, falë së cilës i kam përballuar më lehtë sfidat. Me kalimin e kohës, këto sfida u shndërruan në një përparësi, pasi më dhanë mundësinë të zgjeroj njohuritë dhe aftësitë e mia gjuhësore e profesionale.

Portalb.mk: Në një fakultet ku shumica e studentëve janë maqedonas, si e sheh faktin që këtë herë u shpalle pikërisht ti studenti më i mirë?

Edon Rexhepi: Nuk jam nisur me synimin për të arritur sukses për dikë tjetër apo për të vërtetuar diçka. Jam angazhuar për veten dhe këtë sukses e shoh si një arritje që dëshmon se përkushtimi, puna dhe rezultatet akademike nuk kanë përkatësi etnike apo gjuhësore. Fakulteti duhet të jetë një hapsirë ku vlerësohen dija, merita dhe potenciali individual. Jam krenar për këtë rezultat, por besoj se rëndësia e tij qëndron në faktin se mundësitë për sukses duhet të jenë të barabarta për të gjithë studentët, pavarësisht prejardhjes së tyre.

Foto nga Egon Rexhepi (arkivi privat)

Portalb.mk: Tani që ke diplomuar, çfarë do të doje t’i thoshe hapur udhëheqësisë së fakultetit për vështirësitë që studentët ia tregojnë njëri-tjetrit, por që rrallë arrijnë deri tek ajo?

Edon Rexhepi: Do të theksoja nevojën për komunikim më të drejtpërdrejtë ndërmjet studentëve dhe udhëheqësisë së fakultetit. Mendoj se ndonjëherë ekziston distancë mes asaj që studentët përjetojnë në përditshmëri dhe asaj që arrin të kuptojë administrata. Ka hapsirë për përmirësimin e komunikimit administrativ dhe përfshirjen më aktive të studentëve në vendimmarrje. Nuk i shoh këto si kritika ndaj fakultetit, por si sugjerime konstruktive. Në fund të fundit, përmirësimi i kushteve të studimit është interes i përbashkët.

Portalb.mk: Sa e përditësuar është literatura nga e cila mësojnë sot studentët e ekonomisë?

Edon Rexhepi: Mendoj se ekziston një bazë e mirë teorike, por ekonomia është një fushë që ndryshon vazhdimisht dhe kërkon përditësim të vazhdueshëm të literaturës. Sidomos në fushën e financave dhe në sektorin bankar, zhvillimet teknologjike, digjitalizimi, tregjet financiare dhe ndryshimet rregullatore kërkojnë që njohuritë teorike të plotësohen me shembuj dhe analiza bashkëkohore. Do të ishte e dobishme që, krahas literaturës bazë, të përfshiheshin më shumë studime empirike, raporte institucionale dhe raste konkrete nga ekonomia vendore dhe ndërkombëtare. Kjo do t’i ndihmonte studentët të krijonin një lidhje më të fortë mes teorisë dhe praktikës.

Portalb.mk: Pas diplomimit, çfarë ke vendosur të bësh më tej? A të ka tërhequr puna për temën e diplomës drejt sektorit bankar, apo ke ndonjë synim tjetër për të cilin tashmë ke filluar të punosh?

Edon Rexhepi: Tani për tani, fokusi im është të përfundoj studimet e magjistraturës dhe, paralelisht, të përmbush detyrimet në punë, si dhe të përparoj në karrierën profesionale. Ambicia ime afatgjatë është të marr përsipër përgjegjësi më të mëdha profesionale dhe të zhvillohem si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.

IntervistëRinia shqiptareTë rinj - Rini - Rinia