Nëse hedh një sy në ekranin e telefonit, Shqipëria duket si një parajsë e vogël mesdhetare ku të gjithë janë të pasur, të bukur dhe me pushime. Rinia e saj pi kafe në lokalet më të shtrenjta, mban telefonat e fundit në tavolinë, vesh marka luksoze dhe publikon Stories që rrezatojnë sukses. Por sapo e fik ekranin dhe del në rrugë, përplasesh me një realitet krejt tjetër: një vend ku rrogat mezi mbulojnë qiranë e një garsoniereje, ku universitetet prodhojnë diploma pa vlerë, ku meritokracia vdes te sporteli i “mikut” dhe ku pamundësia ekonomike po u merr frymën familjeve.
Kjo është Shqipëria me filtra, një shoqëri ku spektakli dhe reklama kanë zëvendësuar realitetin, duke i detyruar të rinjtë të vënë një maskë të rëndë për të mbijetuar socialisht.
Në vitin 1967, filozofi francez Guy Debord paralajmëroi në librin “Shoqëria e Spektaklit” se njerëzit do të pushonin së jetuari jetën e vërtetë dhe do të fillonin të konsumonin imazhin e saj të reklamuar. Sot në Shqipëri, ky nuk është më një koncept filozofik, por manuali i përditshëm i rinisë. Kemi ndërtuar një treg mizor të vëmendjes, ku sundon ajo që në zhargonin tonë quhet “katunari moderne”; provincializmi i shfrenuar i shfaqjes, ku sa më pak ke në kokë dhe në xhep, aq më shumë zhurmë bën për t’u dukur.
Në këtë teatër grotesk, nuk ka më rëndësi çfarë di të bësh, çfarë lexon apo çfarë vlerash përfaqëson. Rëndësi ka çfarë makine nget me qira, sa e madhe është logoja në bluzë dhe ku e ke pirë kafen e mëngjesit. Kështu, kemi prodhuar një dështim të heshtur mendor: një brez që nuk lexon më asnjë libër, që nuk ndërton dot një argument të thjeshtë, por që di përmendësh çmimet e markave dhe pozat e Instagramit. Boshllëku i brendshëm mbulohet me zhurmën e jashtme, ndërsa mospasja e asgjëje reale kthehet në artin e shtirjes.
Nga pikëpamja psiko-sociale, kjo maskë mbahet ngjitur në fytyrë nga mekanizmi i paragjykimit, një fenomen që në shoqërinë shqiptare nuk funksionon thjesht si opinion individual, por si instrument i rreptë kontrolli dhe përjashtimi. Në një kulturë ku identiteti i individit ndërtohet ende përmes syrit të turmës dhe jo përmes vetëvlerësimit të brendshëm, frika nga stigmatizimi kthehet në ankth ekzistencial. Paragjykimi përdor turpin si sanksion social: ai ndëshkon menjëherë këdo që del nga korniza e dukjes, duke e etiketuar thjeshtësinë si “dështim”, kursimin si “mjerim” dhe sinqeritetin e të thënit “nuk kam mundësi” si “paaftësi”. Përballë këtij presioni të vazhdueshëm psikologjik, i riu shqiptar zhvillon një mekanizëm vetëmbrojtjeje: konformizmin me çdo çmim. Ai pranon të jetojë mbi mundësitë e veta dhe të sakrifikojë autenticitetin, sepse në mendjen e tij, barra e borxhit dhe e shtirjes është më e lehtë se pesha e përjashtimit dhe gjykimit të grupit.
Edhe diploma që dikur ishte pasaporta e dinjitetit dhe e dijes është shndërruar në një dekor të pavlerë. Nga njëra anë, universitetet tona prodhojnë kartona me shumicë pa asnjë lidhje me tregun e punës; nga ana tjetër, vetë shoqëria u jep të rinjve mesazhin se diploma është humbje kohe, sepse në këtë vend një i ri me tre fakultete fiton më pak se dikush që shet zhurmë në rrjete sociale apo që ka numrin e telefonit të “një miku” në administratë. Kur dija zhvlerësohet deri në këtë pikë, çfarë motivi ka një 20-vjeçar të hapë librin?
Nën këtë presion të pashkruar, brezi i ri shqiptar po rritet me kompleksin e turpit nga varfëria dhe me obsesionin për t’u dukur. Kështu, borxhi dhe këstet nuk merren më për të investuar në dije apo në një zanat, por për të financuar imazhin për të blerë një grimcë vëmendjeje në vitrinën e kotësisë. Dhe sa më e madhe të jetë pamundësia në xhep, aq më e trashë bëhet maska e luksit në publik.
Por faji nuk është vetëm i të rinjve që duan të pranohen. Faji është i një ekosistemi të kalbur ku shoqëria e reklamimit është bashkuar me dështimin e institucioneve.
Kur shteti, shkolla dhe institucionet publike dështojnë t’u japin të rinjve arsim cilësor, punë të ndershme, drejtësi dhe perspektivë, ato nuk e pranojnë dështimin, por e mbulojnë me filtër. Institucionet tona janë shndërruar në agjenci reklamash: spote publicitare me dron, fasada të lyera me ngjyra të ndezura, statistika të zbukuruara dhe propaganda të përditshme që u thonë të rinjve se jetojnë në një vend të lulëzuar, ndërkohë që në spital mungon shërbimi bazë dhe në tregun e punës u ofrohen praktika pa pagesë ose rroga në zarf.
Kur vetë shteti të mëson se fasada vlen më shumë se e vërteta, pse duhet të çuditemi që rinia kopjon të njëjtin model?
Ky teatër i përbashkët ka një kosto shkatërruese: humbjen e vlerave dhe mpirjen e brezit të ri. Në një vend ku katunaria e luksit të rremë, zhurma dhe skandali shpërblehen me klikime dhe status, ndërsa ndershmëria, kultura dhe puna e qetë shihen me keqardhje, vlerat e vërteta shemben. Një i ri që harxhon gjithë energjinë e tij për t’u shtirur si i pasur dhe i lumtur, nuk ka më as fuqi dhe as kohë për të kuptuar se po i vidhet e ardhmja dhe as guxim për të kërkuar llogari nga ata që ia vodhën.
Në fund të ditës, një shoqëri që i detyron të rinjtë të jetojnë me maskë për të mbuluar pamundësinë e tyre, po ndërton një iluzion të rrezikshëm. Sepse filtrat e ekranit dhe reklamat e bukura mund ta mbulojnë realitetin për një kohë, por nuk e mbushin as frigoriferin, as mendjen dhe as shpirtin. Dhe kur të bjerë maska, do të zbulojmë se nuk kemi ndërtuar një vend të pasur, kemi prodhuar thjesht një brez të lodhur që shtiret mirë, derisa të presë biletën e ikjes.