Gripi vjen çdo vit, ne habitemi çdo herë

Vaksinimi sezonal është një provim i aftësisë organizative të shtetit, për të cilin pyetjet dihen paraprakisht.

Në shëndetësi ka shumë gjëra që nuk mund të parashikohen. Gripi sezonal nuk është njëra prej tyre.

Çdo vjeshtë, vendet evropiane përgatiten për sezonin e gripit, sigurojnë vaksinat dhe organizojnë vaksinimin e qytetarëve më të rrezikuar. Në Maqedoninë e Veriut, furnizimi me vaksina vazhdon të jetë një sfidë pikërisht kur ato nevojiten më së shumti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara nga Meta.mk më 13 nëntor 2026, nga rreth 77 mijë qytetarë që kishin shprehur interes për vaksinim kundër gripit, vetëm 21 mijë ishin vaksinuar deri në atë datë.

As qytetarët që dëshironin ta blinin vaksinën nuk mund ta siguronin. Në procedurën e furnizimit me vaksina komerciale nuk ishte paraqitur asnjë ofertues.

Për vite me radhë u kemi kërkuar qytetarëve të besojnë te vaksinimi. Tani, kur ata shprehin gatishmëri për t’u vaksinuar, sistemi nuk arrin t’u përgjigjet në kohë.

Mosbesimin ndaj institucioneve nuk e ushqejnë vetëm teoritë e konspiracionit. Ndonjëherë e ushqejnë vetë institucionet.

Virusi nuk pret tenderin

Më 19 nëntor 2026, Instituti i Shëndetit Publik raportoi 154 raste javore të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, një rritje prej 37,5 për qind krahasuar me javën paraprake.

Tetova kryesonte me 49 raste, e ndjekur nga Shkupi me 38 dhe Kumanova me 19.

Deri në atë datë ishin vaksinuar 25.458 persona nga kategoritë e rrezikuara.

Për një të ri të shëndetshëm, gripi zakonisht nënkupton disa ditë në shtrat. Për një të moshuar me sëmundje të zemrës, diabet apo probleme kronike të mushkërive, pasojat mund të jenë shumë më serioze.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), organizmit i duhen rreth dy javë për të zhvilluar mbrojtje pas vaksinimit.

Prandaj, koha e vaksinimit është pothuajse po aq e rëndësishme sa disponueshmëria e vaksinës.

Administrata punon sipas afateve procedurale. Virusi sipas ligjeve të biologjisë.

Evropa numëron njerëzit e mbrojtur

Që në vitin 2009, Këshilli i Bashkimit Evropian rekomandoi arritjen e një mbulimi prej 75 për qind me vaksinim sezonal te popullsia e moshuar.

Në sezonin 2024–2025, sipas ECDC-së, Danimarka arriti 76 për qind, Irlanda 74,7 dhe Portugalia 70,5 për qind.

Në vendin tonë, suksesi zakonisht prezantohet përmes numrit të dozave të blera. Por blerja e vaksinës është një transaksion administrativ. Mbrojtja e qytetarit është rezultat shëndetësor.

Janë dy gjëra të ndryshme.

Raporti i Komisionit Evropian i 4 nëntorit 2026 kërkon harmonizim të mëtejshëm të legjislacionit për sëmundjet ngjitëse me atë të BE-së. Megjithatë, as ligji më i mirë evropian nuk mund ta zëvendësojë organizimin e dobët vendor.

Furnizimi me vaksina duhet të planifikohet muaj përpara sezonit. Mjekët familjarë duhet të ftojnë aktivisht pacientët e rrezikuar, ndërsa mbulimi me vaksinim duhet të publikohet sipas grupmoshave dhe rajoneve.

Parandalimi kushton. Por kushton më pak se ditët e shtrimit në spital, komplikimet, mjekimi intensiv dhe mungesat në punë.

Një sistem shëndetësor i organizuar mirë nuk pret që qytetari të sëmuret për t’u kujdesur për të.

Gripi sezonal është ndoshta provimi më i thjeshtë i aftësisë organizative të shëndetësisë sonë.

Pyetjet i dimë. Datën e dimë. Edhe përgjigjet i dimë.

Vetëm përgatitjen vazhdojmë ta lëmë për vitin tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Argjend ImeriKolumnat e Portalbit