Nga skena e teatrit te kinematografia ndërkombëtare, aktorja, regjisorja dhe profesoresha Ilire Vinca ka ndërtuar një rrugëtim artistik ku çdo personazh është bërë mundësi për të njohur më thellë njeriun dhe vetveten. Me dhjetëra role në teatër e film, përvojën në regji dhe angazhimin në edukimin e brezave të rinj, ajo është një nga emrat e njohur të skenës artistike shqiptare. Anëtarësimi në Akademinë Evropiane të Filmit është një tjetër vlerësim në karrierën e saj, në një kohë kur kinematografia shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë ndërkombëtare.
Në një bisedë për Portalb.mk, Vinca foli për sfidat e krijimtarisë, përfaqësimin e grave në art, sukseset e filmit shqiptar dhe interesimin e të rinjve për profesionet artistike. Për Vincën, arti është shumë më tepër sesa profesion. Është një mënyrë për të kuptuar jetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të përcjellë të vërtetat njerëzore. Mesazhi i saj është i qartë: “Ne nuk guxojmë ta trajtojmë artin si luks. Arti nuk është luks. Arti është i domosdoshëm”.
Portalb.mk: Keni interpretuar në teatër e film, jeni marrë me regji, keni përzgjedhur aktorë dhe jepni mësim në Universitetin e Prishtinës. Cila prej këtyre përvojave ju ka ndryshuar më shumë si aktore? A ka ndonjë rol përmes të cilit e keni ndier veçanërisht këtë ndryshim?
Ilire Vinca: Të gjitha këto përvoja, në njëfarë mënyre, kanë ndikuar në ndryshimin, rritjen dhe pjekurinë time, sido që ta quajmë këtë ndryshim jetësor. Madje, luksi i këtij profesioni qëndron pikërisht këtu, te mundësia për ta njohur, krijuar dhe ndryshuar vetveten përmes personazheve të ndryshme që interpretojmë.
Ky është një nga profesionet më terapeutike që ekzistojnë, sepse shumë shpesh ato gjëra që nuk arrijmë t’i trajtojmë apo t’i punojmë te vetja, na i sjell personazhi përpara. Ai na sfidon dhe, në njëfarë mënyre, na detyron të punojmë me veten, paralelisht me krijimin e personazhit që sjellim në skenë.
Portalb.mk: Gjatë karrierës suaj keni interpretuar mbi tridhjetë role. Cili prej tyre ju ka lënë gjurmët më të thella dhe çfarë emocionesh ju kanë dhuruar këto përvoja?
Ilire Vinca: Secili prej tyre e ka thënë të vërtetën e vet. Unë jam përpjekur të kuptoj se cila është e vërteta e secilit personazh që kam luajtur. Natyrisht, disa prej tyre e shprehin të vërtetën përmes komedisë, disa përmes dramës e disa përmes tragjedisë. Por, për mua, pikëtakimi i identitetit tim si aktore me atë të personazhit është një ndërthurje shumë e bukur.
Natyrisht, ka disa role që kanë lënë gjurmë shumë më të thella në përvojën time artistike. Njëri prej tyre është roli në shfaqjen “Babai dhe Babai i Sarës”, e cila trajton një të vërtetë që ekziston dhe që flet për të pagjeturit e luftës sonë. Shfaqja është me regji të Kushtrim Koliqit dhe me një kast të vogël aktorësh, por arrin të tregojë në mënyrë shumë të bukur një të vërtetë të madhe dhe një dhimbje që ende ekziston.
Portalb.mk: Pas roleve në filma si “Martesa” dhe “Zana”, morët ftesën për t’iu bashkuar Akademisë Evropiane të Filmit. Çfarë kuptimi pati për ju kjo ftesë dhe a ju hapi mundësi për bashkëpunime të reja jashtë Kosovës?
Ilire Vinca: Çdo mirënjohje apo vlerësim që vjen në një moment të caktuar të karrierës është një dëshmi e punës sate dhe një tregues se je orientuar në drejtimin e duhur. Ndonjëherë, në një moment të caktuar, hapen disa dyer që më parë i ke parë të mbyllura.
Natyrisht, kur bëhet fjalë për organizata të mëdha, siç është Akademia Evropiane e Filmit (EFA), apo institucione të tjera, dyert e të cilave për ne shpesh kanë qenë të mbyllura për një kohë të gjatë, kjo është një kënaqësi e veçantë dhe e përbashkët.
Është kënaqësi edhe për të gjithë anëtarët e tjerë që janë pjesë e kësaj akademie dhe shpresojmë që numri i tyre të vazhdojë të rritet. Kjo dëshmon edhe nivelin e kinematografisë sonë. Sidomos regjisorët tanë, e duhet të them se regjisoret gra i kemi fantastike, kanë arritur të depërtojnë dhe të trokasin edhe në dyert e këtyre institucioneve të mëdha. Këtë e kemi pritur me shumë kënaqësi.
Portalb.mk: Si anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, si e vlerësoni përfaqësimin e kinematografisë shqiptare në këtë hapësirë?
Ilire Vinca: Asnjëherë më parë nuk ka qenë në këtë nivel. Kjo është diçka për t’u mburrur dhe për t’u krenuar. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment sa më mirë që të jetë e mundur. Kemi dy filma, “Dua” dhe “Shame and Money”, në listën e nominimeve të EFA-s. Sapo kanë përfunduar edhe votimet dhe shumë shpejt pritet të shpallen rezultatet.
Vetë fakti që dy filma shqiptarë janë përzgjedhur në mesin e filmave të kategorisë A, të cilët kanë kaluar nëpër një proces të tillë seleksionimi dhe filtrimi, është një sukses i jashtëzakonshëm.
Për mua është shumë e rëndësishme, sepse çdo prezantim yni në hapësira ku vlerësohet arti është kënaqësi dhe sukses i përbashkët. Nuk duhet ta shohim vetëm nga aspekti individual, por edhe nga ai kolektiv.
Kinematografia jonë vjen nga një vend shumë i vogël dhe përballet me shumë kufizime. Megjithatë, kur artistët tanë arrijnë të depërtojnë në këto hapësira dhe aktorët tanë prezantohen me kaq shumë dinjitet, kjo është vërtet një kënaqësi e madhe.
Portalb.mk: Sa e vështirë është për një grua regjisore të depërtojë në institucionet e mëdha ndërkombëtare të filmit?
Ilire Vinca: Nuk është e lehtë, por nuk është as e vështirë. Çështja nuk qëndron te trokitja në këto dyer. Mendoj se, nëse arrin deri te trokitja, hapja e tyre është shumë më e lehtë. Por rruga deri në atë pikë është një kalvar, një rrugëtim shumë i gjatë.
Kjo ka të bëjë me mënyrën se si ne, si krijues, punojmë brenda vendeve tona, me mënyrën se si është organizuar sistemi i punës krijuese dhe si bashkëjetojnë njerëzit krijues brenda një vendi, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë artistik.
Prandaj, pjesa më e vështirë është ajo që vjen përpara. Më pas, dyert hapen vetvetiu, nëse arrijmë që brenda vendeve tona të krijojmë atë që dëshirojmë dhe atë që e ndiejmë si thirrje, si vokacion të brendshëm.
Portalb.mk: Kur jeni në rolin e regjisores, sa liri u jepni aktoreve për ta vënë në pikëpyetje mënyrën se si është shkruar personazhi? A ju kujtohet ndonjë rast kur propozimi i një aktoreje e ka ndryshuar tërësisht një skenë?
Ilire Vinca: Në botën tonë krijuese, një prej elementeve më të rëndësishme të punës është dëgjimi. Kur krijohet besimi përmes dëgjimit, atëherë hapet edhe një hapësirë shumë më e madhe për të eksploruar së bashku.
Besoj se autorët dhe dramaturgët, kur shkruajnë, e krijojnë veprën nga këndvështrimi i botës së tyre, por më pas ajo hyn edhe në botën e të tjerëve. Pikërisht ky kombinim sjell diçka të re.
Mendoj se teatri dhe filmi ndërtohen pikërisht mbi këto koncepte. Liria dhe të kuptuarit e krijimtarisë si një liri individuale, e cila takohet me lirinë individuale të tjetrit, krijojnë një ndërthurje shumë të bukur.
Secili prej nesh ka aftësinë të lexojë dhe të kuptojë diçka që tjetri ndoshta nuk arrin ta shohë. Pikërisht këtu qëndron bukuria e bashkëkrijimit.
Portalb.mk: Si regjisore, sa mundësi kanë sot gratë të drejtojnë produksione të mëdha, të përzgjedhin ekipet dhe të vendosin se cilat histori do të ngjiten në skenë?
Ilire Vinca: Nuk kam aq shumë përvojë në regji sa të mund të konsiderohem eksperte dhe të flas gjerësisht për këtë çështje. Megjithatë, nëse pyetja është se sa e vështirë është të drejtosh një produksion, mendoj se kjo varet shumë nga qartësia e idesë që ke.
Nëse e ke të qartë konceptin, aspekti krijues nuk është aq i vështirë. Vështirësitë më të mëdha lidhen më tepër me aspektin organizativ dhe sistematik, pra me mënyrën se si ndërtohet dhe menaxhohet një trupë krijuese deri në momentin kur vepra merr formë.
Në këtë aspekt, nuk është aspak e lehtë. Duhet të jesh në gjendje të konceptosh variante të ndryshme për të tejkaluar pengesat dhe problemet që mund të shfaqen gjatë procesit. Duhet të jesh krijuese edhe në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me gjithçka që ndodh jashtë skenës apo jashtë filmit.
Unë jam ende një regjisore e re dhe po i përjetoj sfidat dhe sprovat e mia. Po përpiqem t’i shtyj kufijtë e mi si artiste dhe të eksploroj hapsira të reja, të cilat deri më tani nuk i kam provuar. Deri tani jam angazhuar kryesisht si aktore, ndërsa regjia për mua përfaqëson një përvojë dhe sfidë të re.
Portalb.mk: Nga përvoja juaj, cili do të ishte një hap konkret që teatrot, produksionet filmike apo institucionet kulturore mund të ndërmarrin për t’u krijuar më shumë mundësi grave në këtë profesion?
Ilire Vinca: Është paksa pyetje e vështirë, sepse, po të ekzistonte një zgjidhje konkrete, me siguri do të kishim dalë me pankarta dhe do ta kishim shkruar atë si kërkesë të qartë.
Unë mendoj se kjo është një çështje shumë komplekse, që kërkon një analizë të thellë, sepse lidhet me një vazhdimësi rrethanash. Jemi një vend shumë i ri, një shtet ende në formim, me shumë plagë të mbetura nga lufta dhe nga historia nëpër të cilën kemi kaluar. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe plagë të tjera që lidhen me aspektin gjinor dhe me forma të ndryshme të pabarazisë.
Megjithatë, mendoj se nuk duhet ta kufizojmë artin vetëm në ndarjet gjinore, sepse arti, në thelb, nuk ka gjini. Ai është e vërteta njerëzore.
Pavarësisht kësaj, besoj se rritja, zhvillimi dhe kërkimi i së vërtetës universale duhet të jenë synime të çdo artisti, pa dallim nëse është burrë apo grua.
Nuk dua t’i ndaj artistët vetëm mbi bazën e gjinisë, sepse nuk dëshiroj që debati të reduktohet në një çështje gjinore. Dua ta shoh artin në tërësinë e tij. Sa më i sinqertë të jetë artisti me veten dhe me tjetrin, aq më i ndjeshëm bëhet dhe aq më pak është i gatshëm të bëjë kompromis me të vërtetën.
Portalb.mk: Si profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, si e shihni interesimin e të rinjve për teatrin, regjinë dhe filmin? A vazhdon të jetë arti profesion që i tërheq brezat e rinj?
Ilire Vinca: Interesim ka, por numri i kandidatëve nuk është aq i madh sa ka qenë më parë. Lëvizjet, liberalizimi i vizave, ndryshimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin në botë, si dhe ky lloj globalizimi që na ka përfshirë dhe ka ndryshuar shumë gjëra në jetën tonë, kanë ndikuar në këtë situatë.
Ndoshta nuk jam eksperte e gjeopolitikës, por, nga këndvështrimi artistik, shumë shpesh ia bëj vetes pyetjen: A ka diçka që ne nuk po e bëjmë siç duhet për teatrin, për artistët tanë dhe për filmin? Deri ku shtrihen mundësitë që të rinjtë të zhvillohen brenda vendit të tyre dhe cilat janë dyert ku duhet të trokasin për të arritur të realizojnë diçka?
Ka shumë pyetje dhe, megjithëse po përpiqem t’ju përgjigjem me sinqeritet, nuk është e lehtë. Mbështetja duhet të jetë edhe konkrete, ashtu siç e kam theksuar edhe më parë. Duhet t’u japim përmbajtje konkrete këtyre termave të përgjithshëm, të cilët shpesh mbeten abstraktë dhe pa një zgjidhje të qartë.
Mendoj se kjo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si jetojmë në përditshmëri. Problemet që hasim si njerëz reflektohen edhe në jetën tonë artistike, në teatër dhe në film. Këto janë tema për të cilat përpiqem shpesh të jap një përgjigje, por ndonjëherë edhe vetë mbetem pa përgjigje. Janë pyetje që vazhdimisht ia bëj vetes.
Portalb.mk: Largimi i të rinjve nga vendi është shqetësim i madh, nëse interesimi për studimet artistike vazhdon të bjerë, a ekziston rreziku që në të ardhmen të vihet në pikëpyetje edhe funksionimi i disa degëve universitare?
Ilire Vinca: Nuk mendoj se jemi në atë pikë, por çështja nuk është vetëm nëse një degë hapet apo mbyllet.
Pyetja e vërtetë është se çfarë po bëjmë ne në përditshmëri, sa të sinqertë jemi me proceset tona, sa po e kuptojmë rininë dhe cilat janë rrugët që u ofrojmë të rinjve për të shfrytëzuar talentin dhe vokacionin e tyre. Edhe nëse një degë mbetet e hapur, duhet të pyesim veten se sa po bëjmë për cilësinë e asaj që ofrojmë.
Qëllimi nuk duhet të degradojë në një nivel ku ne thjesht gëzohemi me numra dhe statistika. Mendoj se ka ardhur koha që, krahas mundësive për t’u informuar dhe për të parë se çfarë po ndodh në botë, të qëndrojmë gjithmonë me këmbë në tokë.
Ne nuk kemi nevojë ta imitojmë botën. Bota e ka historinë e vet, secili komb dhe secili shtet e ka kulturën, artin dhe të vërtetat e veta.
Por të vërtetat universale i kemi të gjithë të përbashkëta dhe duhet të dimë t’i ruajmë e t’i përcjellim me cilësi. Gjërat që nuk ndërtohen mbi cilësi nuk mund të qëndrojnë gjatë. Ato janë të brishta, të paqëndrueshme, të pakuptueshme dhe, madje, të panevojshme.
Ne nuk guxojmë ta trajtojmë artin si luks. Arti nuk është luks. Arti është i domosdoshëm dhe pikërisht kështu duhet ta trajtojmë.
Portalb.mk: Përmes teatrit dhe filmit janë rrëfyer shumë histori të dhimbshme të Kosovës. Sa mendoni se këto rrëfime kanë arritur të prekin publikun, edhe përtej kufijve të vendit?
Ilire Vinca: Të vërtetat që përcillen përmes artit janë shumë më të vlefshme sesa numrat apo lajmet që shohim çdo ditë. Ne, si njerëz, kemi filluar të bëhemi gjithnjë e më të pandjeshëm. Jemi desensibilizuar.
Aq shumë lajme të tmerrshme ndodhin në botë, saqë ndonjëherë, madje edhe me shaka, them se ato po e konkurrojnë skenën. Gjërat nuk na duken më aq dramatike, sepse jemi mësuar të përballemi çdo ditë me tragjedi.
Por ajo që dua të them është se ndjeshmërinë që duhet ta kemi si njerëz e rigjejmë përmes teatrit dhe artit. Ky rikthim i ndjeshmërisë është shumë i rëndësishëm.
Portalb.mk: A është pikërisht kjo fuqia e artit, që historitë dhe të vërtetat njerëzore të përjetohen shumë më thellë sesa përmes lajmeve apo statistikave?
Ilire Vinca: Çdo gjë që shkruhet dhe thuhet është një formë dokumentimi, por përmes artit ky dokumentim merr një dimension shumë më të thellë, sepse prek zemrën e njeriut.
Përmes historisë së një personazhi, ti arrin të kuptosh një botë të tërë. Publiku këtë e përjeton përmes artit, jo përmes statistikave apo lajmeve. E lidha këtë edhe me atë që thashë më herët, se tashmë pothuajse nuk na bëjnë më përshtypje lajmet se sa njerëz vdiqën, pse vdiqën apo sa bomba u hodhën. Kjo tregon se sa shumë është zbehur ndjeshmëria jonë.
Por, kur arrijmë të kuptojmë vlerën e një jete njerëzore, sfidat nëpër të cilat ka kaluar një personazh dhe kontekstin në të cilin ka jetuar, atëherë përmes tij i shfaqet publikut një botë e tërë. Në këtë mënyrë kuptohen shumë të vërteta. Kjo është fuqia e artit.
Portalb.mk: Pse mendoni se historitë njerëzore arrijnë të prekin zemrat e publikut, pavarësisht gjuhës, kulturës apo vendit nga vijnë?
Ilire Vinca: Sepse historitë janë universale. Ekziston një shprehje që thotë: “Hyr në këpucët e mia dhe shiko se çfarë po përjetoj”.
Kur përmes artit arrin ta bësh publikun të përjetojë një histori, të kuptojë pasojat që ajo lë te njerëzit dhe të ndiejë atë që po ndodh me personazhin, atëherë krijohen natyrshëm pikëtakime emocionale.
Kjo ndodh sepse vetë njeriu është universal. Dëshirat, pasionet, dashuria, urrejtja, ambicia dhe lakmia janë ndjenja dhe tipare që i përkasin çdo njeriu. Ato nuk kanë kombësi. Janë pjesë e natyrës njerëzore, pavarësisht se nga vijmë apo në çfarë kulture jetojmë.
Portalb.mk: Për ta përmbyllur me diçka personale, babai juaj, Nuhi Vinca, ia kushtoi jetën folklorit shqiptar. Çfarë trashëgimie ju ka lënë ai dhe a ka ndonjë kujtim apo mësim prej tij që ju shoqëron edhe sot në jetën dhe krijimtarinë tuaj?
Ilire Vinca: Në çdo hap që bëj, ndiej se kam me vete gjithçka që kam mësuar prej tij. E konsideroj këtë një lloj trashëgimie që më ka lënë: pasionin për punën, sinqeritetin në raport me punën dhe me njerëzit, si dhe dashurinë për jetën. Babi ka ditur ta jetojë jetën siç duhet. Ka dhënë shumë nga vetja, ka qenë i pakursyer në çdo aspekt dhe gjithmonë shumë i afërt me njerëzit. Prandaj, babin e kam gjithmonë këtu, me vete, në çdo hap që bëj, në çdo ditë dhe në çdo minutë të jetës sime.