Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup e ka pranuar garancinë e ofruar në formë të pronës së paluajtshme, në vlerë prej 1.140.781 eurosh, dhe ka marrë vendim për heqjen e masës së paraburgimit ndaj Përparim Bajramit, të akuzuarit të parë në rastin e njohur në opinion si “Lotaria”, transmeton Portalb.mk.
Kundër Bajramit, më 13 gusht 2026, është ngritur aktakuzë për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, për të cilën parashihet dënim me burg deri në pesë vjet. Pasi më parë kishte qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, ai më 9 shtator 2026 u paraqit vetë për të vuajtur masën e paraburgimit në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues “Burgu” – Shkup.
Në përputhje me Ligjin për Procedurë Penale (LPP), për këtë vepër penale dhe këtë lloj aktakuze, paraburgimi mund të zgjasë më së shumti 60 ditë – afat që për të akuzuarin përfundon më 8 nëntor 2026.
Për të siguruar praninë e tij gjatë vazhdimit të procesit gjyqësor, përveç garancisë prej mbi një milion eurosh në pronë, Këshilli Penal i ka caktuar edhe masa shtesë të kujdesit: konfiskimin e pasaportës dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të ri të udhëtimit për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe detyrimin që të paraqitet rregullisht në Gjykatë.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se prokurori publik kompetent dhe palët e tjera në procedurë kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës kundër vendimit dhe se ai sot është bërë i plotfuqishëm. Pas regjistrimit të hipotekës në Kadastrën e Patundshmërive, i akuzuari do të lirohet nga Burgu i Shkupit.
Ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore, Përparim Bajrami, më 18 shtator u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore Penale në Shkup dhe u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar që i vihet në barrë.
Përveç tij, në këtë rast janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes: Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdi.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen se, duke tejkaluar autorizimet zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SHA-së “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh, përkatësisht rreth 9,7 milionë eurosh. Grubi akuzohet se, në cilësinë e atëhershme të zëvendëskryeministrit, kishte kryesuar seancën e Qeverisë, në të cilën, sipas aktakuzës, kishte propozuar miratimin e një vendimi që i jepte dritën e gjelbër “Lotarisë Shtetërore” për të blerë terminale të videolotarisë dhe për të filluar organizimin e pavarur të lojërave të fatit. Kjo, ndonëse kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jomonetar, në vlerë prej 6,2 milionë eurosh, në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë – Casinos Austria”, në të cilën SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 për qind të aksioneve.
Muajin e kaluar, edhe i akuzuari i dytë në këtë rast, Artan Grubi, doli nga arresti shtëpiak pasi i kishte përfunduar afati maksimal i paraparë me ligj për këtë masë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, në përputhje me nenin 470 të Ligjit për Procedurë Penale (LPP), masa e paraburgimit, përkatësisht arresti shtëpiak, pas ngritjes së aktakuzës nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Duke pasur parasysh se aktakuza ishte ngritur më 13 gusht 2026, Këshilli Penal kishte marrë vendim për heqjen e masës për shkak të skadimit të afatit ligjor.
Nga Gjykata Themelore Penale në Shkup thanë se ndaj tij janë caktuar masa kujdesi, përkatësisht ndalimi i largimit nga vendbanimi ose vendqëndrimi, detyrimi për paraqitje të herëpashershme në Gjykatë, si dhe ndalimi i afrimit dhe i vendosjes së kontakteve me persona të caktuar.
Gjykata informoi gjithashtu se Grubi vazhdon të jetë pa pasaportë dhe se i ndalohet pajisja me pasaportë të re ose me dokument tjetër për kalimin e kufirit shtetëror. Kjo masë mbetet në fuqi pasi Këshilli Penal shqyrtoi kërkesën e mbrojtjes për heqjen e saj, me garanci të ofruar, por pas marrjes së mendimit negativ nga Prokuroria Publike kompetente, vendosi ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes.