Pas dy viteve zvarritje, u lëshua në përdorim ‘Bllagoja Toska’ nga Kazerma në Drenovec

Pas më shumë se dy vite zvarritje të punimeve, më në fund ka përfunduar asfaltimi i bulevardit “Bllagoja Toska” të Tetovës në lagjen Drenovec ku lidhet me rrugën Tetovë – Jazhincë, shkruan Portalb.mk.

Përveç rrugës, është ndërtuar edhe rrethrrotullim në rrugën rajonale, me qëllim të shmangies së kaosit.

Megjithatë, rruga sot u lëshua në përdorim pa u rregulluar ndriçimi publik.

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.

Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë.

Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.

Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj, madje dolën edhe në protestë. 

Kujtojmë se në prill 2025, Kasami e paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të bëhet edhe vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te shkolla tekstile deri te rrethrrotullimi në bulevardin “Ilinden” apo i njohur ndryshe si te “Mema”.

Kasami sot tha se për vazhdimin e bulevardit është bërë projekti, është siguruar leja dhe është përpiluar elaborati i shpronësimit dhe janë vendosur kontaktet me banorët për proanat.

“Urojmë që të kemi bashkëpunim të afërt me banorët e asaj zone që sa më shpejtë të përmbyllim procesin e shpronësimit dhe menjëherë do të vazhdojë edhe procedura e tenderimit dhe realizimit të projektit”, tha Kasami.

Ndërkaq më 12 mars 2026 Këshilli Komunal i Tetovës miratoi Propozim-Vendimin për përcaktimin e trasesë dhe harmonizimin e profilit të infrastrukturës lineare në një pjesë të bulevardit “Bllagoja Toska”, me çka filluan procedurat për vazhdimin e rrugës nga Shkolla ‘Tekstile” deri te rrethrotullimi te ‘Mema’.

Vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Industrial” është edhe pjesë programit zgjedhor 2025/29 me të cilin Kasami garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Të njëjtat ishin edhe në programin zgjedhor 2021-2025.

Bilall KasamiBulevardi “Bllagoja Toska” TetovëKomuna e TetovësPortalb Fakt - Premtime parazgjedhore