Ultimatum 5-ditor për bizneset dhe OJQ-të në Tetovë, ose kontratë me Saubermacher ose gjoba deri 98 mijë euro

Bizneset dhe shoqatat joqeveritare në Tetovë kanë pranuar njoftim se nëse nuk nënshkruajnë kontratë për menaxhimin e mbeturinave me ndërmarrjen Saubermacher në afat prej 5 ditëve do të gjobiten nga 9 deri në 98 mijë euro. Kjo ka nxitur revoltë dhe reagime të ashpra nga qytetarët, bizneset dhe shoqatat joqeveritare. Ndërkaq nga Saubermacher dhe Komuna e Tetovës arsyetohen, shkruan Portalb.mk. 

Në letrën të cilën e kanë pranuar bizneset dhe shoqatat, mes tjerash thuhet se e kanë për detyrim të lidhin kontratë të veçantë me ndërmarrjen Saubermacher për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, nëse nuk lidhin kontratë  ata do të gjobiten me mijëra euro. 

“Sipas nenit 130 paragrafi 1 pika 12 të Ligjit për menaxhim me mbeturinat: Gjoba në shumën prej 9.000 deri në 10.000 euro në kundërvlerë denare për tregtarët mikro, prej 18.000 deri në 20.000 euro në kundërvlerë denare për tregtarët e vegjël, prej 53.000 deri në 59.000 euro në kundërvlerë denare për tregtarët e mesëm dhe prej 88.000 deri në 98.000 euro në kundërvlerë denare për tregtarët e mëdhenj”, thuhet në letër.  

Letra është dorëzuar të premten më 5 shtator, ndërsa thuhet se kanë afat vetëm 5 ditë që të lidhen kontratat.  

Letra e dërguar nga Saubermacher

Kjo ka ngjallur edhe më shumë revoltë sepse letra është dorëzuar të premten, ku pason fundjava dhe e hëna ditë jo pune për shkak të festës shtetërore. 

Nga nisma Më Mirë për Tetovën thonë se Saubermacher, nëpërmjet partneritetit publiko-privat që ia mundësoi udhëheqësia aktuale e Komunës i “reketon” qytetarët dhe bizneset e Tetovës. 

“Kërkojmë nga Komuna e Tetovës që ta publikojë marrëveshjen me kompaninë Saubermacher, në bazë të së cilës kjo e fundit merr lirinë që t’i trajtojë qytetarët dhe bizneset e Tetovës në këtë mënyrë”, thonë nga Më Mirë për Tetovën. 

Lejla Halimi Lumani thotë se janë mjaft të indinjuar nga kjo kërkesë. 

“Ky email u erdhi dje edhe te gjitha shoqatave kulturore-artistike (jo-fitimprurëse). Nuk e kuptojmë në bazë të çkahit ata e marrin këtë vendim që edhe ne të jemi pjesë e kësaj marrëveshjeje? Dhe ata japin pesë ditë afat dhe emailin e dërgojnë në ditë të premte, ku pason vikendi dhe festë shtetërore”, shkroi Halimi Lumani. 

Kritika pati sepse letra është dërguar vetëm në gjuhën maqedonase. 

“Kompani që i ofron shërbime qytetarëve shumica e të cilëve flasin shqip, angazhon avokat nga Shkupi dhe dërgon email kërcënues. Çfarë supozohet të bëjmë? Të frikësohemi? Manifestim në vepër i kompleksit të inferioritetit – shenjë dalluese e qeverisjes aktuale”, shkruan Agon Memedi. 

Aktivistja Elmedina Abdullai thotë se vetëm biznest që prodhojnë mbeturina komerciale e kanë për detyrim ligjor të nënshkruajnë kontratë. 

“Gjithë të tjerët (sidomos shoqatat) jo vetëm që s’kanë obligim të nënshkruajnë kontratë po në këtë rast, kanë të drejtë edhe ti padisin”, tha Abdullai. 

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se nuk do të ketë dënime.  

“Ajo që duhet të rregullohet në të ardhmen janë raportet të furnitorit e qtij që kryen shërbimet e menaxhimit me mbeturina me qytetarët. Në bazë të kontratës më mirë dhe më saktë përcaktohen obligimet e të dy palëve. Nuk ka të bëjë me dënime, por ka të bëjë me një proces juridik që është në bazë të ligjit”, tha Kasami. 

Ai tha se nuk do të ketë dënime për askënd që nuk do të lidhë kontratë. 

Shoqëria për prodhim dhe shërbime komunale Saubermacher, reagimet e qytetarëve i konsideron të pasakta dhe se tentojnë t’ua dëmtojnë reputacionin,  

“Këto pohime janë veçanërisht shqetësuese, ngase jo vetëm që dezinformojnë opinionin, por edhe e minojnë reputacionin e kompanisë e cila në mënyrë profesionale e kryen obligimin e saj ligjor dhe kontraktual në terren. Ne jemi të bindur se këto dezinformata burojnë nga subjekte të cilat ende nuk dëshirojnë t’i përmbushin obligimet e tyre për një mjedis jetësor më të pastër”, thanë nga Saubermacher. 

Ata përkujtojnë se sipas nenit 6 të Ligjit për menaxhim me mbeturinat, obligimi për lidhjen e kontratës vlen për të gjitha personat juridikë që krijojnë mbeturina komerciale, që lindin nga veprimtaria afariste dhe janë të ngjashme për nga përbërja me mbeturinat e amvisërive (letër, ambalazh, plastikë, ushqim etj.).  

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjia e pagesës. Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura. Në ndërkohë në Gjykatën e Tetovës ka dhjetëra lëndë në këtë drejtim.

Bilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësNdotja e tokës mbeturinaSaubermacher npk ndermarrja