Uji i pijshëm në Krushevë është mikrobiologjikisht i pasigurt, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), transmeton Portalb.mk.
Nga Qendra për Shëndet Publik (QSHP) në Prilep bëjnë të ditur se, sipas mostrave të marra më 20 korrik, uji nga çezmat në lokalitetet Shën Petka, Krajpatna Benzinska, rajoni i Çreshovo Topçe, Kisha e Vjetër dhe rajoni poshtë hotelit Montana (Komuna e Krushevës) është mikrobiologjikisht i papërshtatshëm për pije.
“Ndërmarrja Publike ‘Komuna’ – Krushevë njofton se, për shkak të ndotjes bakteriologjike të ujit, për pije duhet të përdoret ujë i ambalazhuar, ndërsa për gatim dhe larje rekomandohet që uji të vlohet për të paktën 10 minuta para përdorimit”, apelon Qendra për Menaxhim me Kriza.
Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.