Ballkani Perëndimor mes kërcënimeve hibride, ndikimit ruso-kinez dhe integrimit të ngadaltë në BE

Maqedonia e Veriut është ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që vazhdojnë të përballen me proces më të ngadaltë të integrimit në Bashkimin Evropian, ndonëse anëtarësimi në NATO në mars të vitit 2020 paraqitet si një nga zhvillimet pozitive të gjashtë viteve të fundit, thuhet në raportin e ri të Qendrës Evropiane të Ekselencës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE). Sipas raportit, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë diskutimet për anëtarësimin në BE, por proceset e Shqipërisë dhe Malit të Zi janë më të avancuara, raporton Portalb.mk.

Këto dy vende, sipas vlerësimit të raportit, mund të bëhen anëtare të BE-së brenda dy deri në katër viteve të ardhshme, ndërsa katër vendet e tjera, përfshirë Maqedoninë e Veriut, aktualisht ndjekin një trajektore më të ngadaltë.

“Megjithatë, gjashtë vitet e fundit kanë sjellë edhe disa zhvillime që tregojnë një drejtim tjetër. Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit 2020, ndërsa të gjashtë vendet kanë vazhduar diskutimet për anëtarësimin në BE. Proceset e Malit të Zi dhe Shqipërisë janë më të avancuarat, me synimin për të siguruar anëtarësimin brenda dy deri në katër viteve të ardhshme”, thuhet në raport.

Raporti paralajmëron se zgjerimi i pjesshëm dhe gradual i BE-së mund të shkaktojë zhgënjim te vendet që mbeten pas, nëse nuk shoqërohet me rrugë të parashikueshme, afate të qarta dhe përfshirje politike.

“Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE-ja ka rigjallëruar retorikën për zgjerimin dhe ka prezantuar Planin e Reformave dhe Rritjes me vlerë 6 miliardë euro, me qëllim përshpejtimin e konvergjencës. Megjithatë, procesi mbetet teknik, i ngadalshëm dhe i cenueshëm ndaj bllokimeve politike nga shtetet anëtare të BE-së. Kjo dobëson stimujt për reforma dhe rrezikon të forcojë të ashtuquajturat “stabilitokraci”, ose regjime gjysmë-autoritare që deklarojnë se janë në linjë me BE-në, ndërkohë që anashkalojnë ndryshimet e mirëfillta institucionale. Dy shtete, Mali i Zi dhe Shqipëria, ka të ngjarë të bëhen anëtare të BE-së gjatë dy deri në katër vitet e ardhshme, ndërsa katër të tjerat aktualisht ndjekin trajektore më të ngadalta. Integrimi i pjesshëm dhe gradual mbart rrezikun e zhgënjimit për shtetet që mbeten pas, nëse ai nuk shoqërohet me rrugë të parashikueshme, afate të qarta dhe përfshirje politike”, theksohet në raport.

Në të njëjtën kohë, raporti vlerëson se BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar dhe investues i rajonit. Megjithatë, ndikimi i Rusisë dhe Kinës, si dhe varësia e disa vendeve nga Rusia për energjinë dhe nga Kina për projektet e telekomunikacionit, krijojnë hapësirë për ndikime të tjera gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

“Rusia, Kina dhe disa shtete të Gjirit kanë thelluar ndikimin e tyre në disa vende, me ftesë nga vetë këto shtete. Ndërkohë, besueshmëria e Perëndimit është sfiduar nga zgjerimi i ngadalshëm i BE-së, kushtëzimi jo i njëtrajtshëm dhe një qasje më transaksionale e politikës së jashtme amerikane”, thotë mes tjerash raporti.

Në vlerësimin e përgjithshëm për rajonin, Hybrid CoE thekson edhe dobësitë në qeverisje, korrupsionin, kapjen e mediave, politizimin e institucioneve, emigrimin e të rinjve dhe dobësimin demografik si faktorë që mund të shfrytëzohen nga aktorët e kërcënimeve hibride.

“Dobësitë në qeverisje, përfshirë kapjen e shtetit, regresin demokratik, korrupsionin, kapjen e mediave dhe politizimin e institucioneve, krijojnë një mjedis të favorshëm për shfrytëzim nga aktorët e kërcënimeve hibride. Rënia demografike dhe emigrimi i të rinjve dobësojnë më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit. Grupet e krimit të organizuar, flukset financiare të paligjshme dhe sistemet e dobëta rregullatore i shtojnë këto dobësi. Së bashku, këto krijojnë mundësi që aktorët e kërcënimeve hibride t’i shfrytëzojnë dhe do të vazhdojnë të minojnë zhvillimin demokratik në rajon. Këto dinamika tregojnë një Ballkan Perëndimor të kapur mes integrimit evropian të bllokuar, presioneve shumëpolare në rritje dhe brishtësisë së vazhdueshme të brendshme”, thuhet në raport.

Raporti arrin në përfundimin se Ballkani Perëndimor ndodhet mes integrimit të ngadaltë evropian, presioneve në rritje nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe dobësive të brendshme institucionale.

“Zgjerimi i pjesshëm i BE-së, pa afate të besueshme, rrezikon të thellojë stagnimin politik dhe zhgënjimin e publikut, ndërsa aktorët e jashtëm dhe faktorët vendas të pushtetit shfrytëzojnë qeverisjen e dobët dhe erozionin institucional. Në këtë kontekst, paqartësia strategjike e Serbisë merr një rëndësi të jashtëzakonshme: drejtimi i saj politik ose do të shërbejë si shtyllë e stabilizimit rajonal, ose do të përshpejtojë fragmentimin”, thekson raporti.

Ndryshe, analiza e fundit nga inteligjenca amerikane tregon se Rusia ende po ndjek politika të vjetra në Ballkan dhe Evropë. Ajo po bëhet më operacionale dhe konkrete në sferën e saj të interesit.

“Shumica e vendeve evropiane e konsiderojnë Rusinë si kundërshtarin e tyre më të madh dhe më të qëndrueshëm. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, përdorimi i taktikave të zonës gri kundër industrisë dhe shoqërisë civile evropiane, dhe përpjekjet e saj për të nxitur konflikte të ngrira kanë forcuar qëndrimet evropiane në mbrojtje”.

Ballkani PerëndimorEurointegrime Negociata RMV-BEKinaRusiaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)