Dyshime për ndotje të ujit në Gostivar: Disa persona përfunduan në spital, AUV e ndaloi përdorimin e ujit për pije

Pas rritjes së numrit të qytetarëve të cilët ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun dhe janë paraqitur në Spitalin e Gostivarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm, nga ku më pas e kaa ndaluar përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ai është i ndotur dhe i pasigurt për konsum, transmeton Portalb.mk.

“Pas njoftimit të pranuar nga prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit për kryerjen e inspektimit të jashtëzakonshëm në stacionin e pastrimit të ujit në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit, me qëllim të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë së ujit për pije në këtë sistem të furnizimit me ujë, si dhe pas ankesave të qytetarëve drejtuar Prokurorisë së Gostivarit dhe kallëzimit nga MPB-Gostivar lidhur me sigurinë dhe cilësinë e ujit, shërbimet inspektuese të AUV-së, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Prokurorisë së Gostivarit dhe teknikës kriminalistike të MPB-Gostivar, mbrëmë kryen një inspektim të jashtëzakonshëm”, thanë nga AUV.

Gjatë inspektimit u konstatua se në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit ishte vendosur në mënyrë të paligjshme, pa leje, një pompë që injektonte drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit me ujë.

“Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët ishin të pranishëm gjatë inspektimit, morën mostra të ujit për analiza laboratorike me qëllim të përcaktimit të sigurisë së tij”, njoftoi AUV.

Për të parandaluar rrezik më të madh për popullatën e këtij rajoni, AUV ka vendosur ndalim të përkohshëm të përdorimit të ujit për pije deri në marrjen e rezultateve të analizave laboratorike, të cilat do të konfirmojnë nëse uji është i sigurt për konsum.

Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik ka një numër të shtuar kontrollesh dhe qytetarësh që ankohen për diarre, dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë të lartë. Sipas gjetjeve fillestare dhe pamjes klinike, me shumë gjasa bëhet fjalë për viroza sezonale dhe nuk ka lidhje epidemiologjike mes rasteve.

Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore të Qendrës së Shëndetit Publik-Gostivar, kanë konfirmuar se dje është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika matëse.

“Sa i përket ujit dhe situatës aktuale, përveç analizave të rregullta kemi bërë edhe analiza të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit të analizave që i kemi kryer të hënën ishin të mira, përkatësisht parametrat fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë ishin në rregull. Dje kemi marrë edhe disa mostra të tjera për analiza të jashtëzakonshme, por për rezultatet duhet të presim deri nesër ose eventualisht deri të hënën. Për momentin nuk mund të themi asgjë konkrete për to”, ka thënë për MIA-n, Berun Mustafa, specialist i higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar.

Autoritetet shëndetësore bëjnë aplel që qytetarët të kenë kujdes më të madh për higjienën dhe zakonet e përditshme, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta dhe rreziku nga infeksionet e zorrëve rritet ndjeshëm.

Pas raportimeve për ndotje të ujit në Gostivar, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se institucionet kompetente janë në terren dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.

“Më 16.07.2026 rreth orës 18:20, inspektorët nga Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar, duke vepruar sipas udhëzimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, morën masa dhe aktivitete urgjente në terren në fshatin Vrutok, për shkak të dyshimit për ndotje të ujit me të cilin furnizohet qyteti i Gostivarit. Ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin. Ky aktivitet me sa duket është ndërmarrë me qëllim të rritjes së presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, me çka rrezikohet drejtpërdrejt shëndeti i qytetarëve të Gostivarit. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale „ndotje e ujit të pijshëm“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal. Në zbardhjen e këtij rasti, përveç policisë dhe prokurorisë, menjëherë janë përfshirë edhe Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar i cili duhet të bëjë një vlerësim profesional të sistemit të vendosur në mënyrë të paligjshme”, thonë nga MPB.

Ndryshe, nga Prokuroria Themelore njoftuan se po ndërmerren veprime në lidhje me kontrollin e cilësisë së ujit në Gostivar.

Agjencia për Ushqim dhe VeterinariGostivariMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMVUji - ujë