Opozita LSDM thotë se Maqedonia e Veriut renditet e para në Evropë për nga numri i personave të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor në raport me numrin e banorëve, raporton 360grad, përcjell Portalb.mk.
“Sistemi për parandalimin, mbrojtjen dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetuara nga vektorët nuk po funksionon. Kryetarët e komunave të VMRO-OKG nuk po funksionojnë. Institucionet shëndetësore nuk po funksionojnë. Shteti nuk po e menaxhon epideminë – por vetëm po reagon ndaj pasojave të saj. Qytetarët po e paguajnë çmimin, me shëndetin e tyre”, akuzoi LSDM
Ata fajësuan qeverinë për këtë situatë, e cila sipas tyre ishte vonë në reagim.
“Në Maqedoni, deri më 1 shtator të këtij viti janë regjistruar gjithsej 56 raste të etheve të Nilit Perëndimor dhe ka pasur shtatë vdekje. Maqedonia renditet e para në Evropë për nga numri i rasteve në raport me numrin e banorëve, përpara vendeve si Italia, Greqia dhe Rumania. Përsëri, ashtu si kriza shëndetësore me helmimin në Gostivar, institucionet shëndetësore të Mickoskit vonuan në reagim. Qeveria e Mickoskit nuk ka kapacitet për të parandaluar dhe mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi kriza përshkallëzohet”, thotë LSDM.
LSDM thotë se spërkatja kundër mushkonjave nuk ishte në kohë, dhe Qyteti i Shkupit gjithashtu vonoi në spërkatje, për të cilën fajësojnë kryetarin e bashkisë Orce Gjorgjievski.
Situata epidemiologjike me ethet e Nilit Perëndimor po qetësohet, ndërsa masat e ndërmarra dhe koordinimi i përforcuar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, institucioneve shëndetësore dhe komunave po japin rezultate, informoi më 1 shtator në konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Nevoja për rritjen e përfshirjes me vaksinim theksohet edhe më shumë për shkak të rasteve të regjistruara të fruthit në vendet fqinje. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë ta ndjekin me kujdes situatën, të koordinohen me të gjitha institucionet kompetente dhe ta informojnë publikun në kohë.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.