Ka ndërruar jetë një tjetër pacient që po trajtohej në Lituani, duke u bërë viktima e 61-të e tragjedisë në Koçan, transmeton Portalb.mk.
Ai iu nënshtrua plagëve të marra nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan më 16 mars.
Siç theksoi ministri, 29-vjeçari Aleksandar Gavrilovski më 17 mars është referuar në gjendje të rëndë nga Spitali i Qytetit, ndërsa nga 4 prilli gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet.
“Lajm i hidhur, dua t’ju bëj me dije se sot në orën 11 ka ndërruar jetë edhe pacienti i dytë që trajtohej në Lituani, një 29-vjeçar i cili ishte në gjendje kritike që në fillim. Ai është referuar nga Spitali i Qytetit në datën 17 mars. Gjendja e tij ishte e rëndë, dhe që nga 4 prilli ka ardhur duke u përkeqësuar, ndërsa nga dje ishte në dializë”, tha ministri.
Ai theksoi se Gavrilovski ishte një nga pacientët me gjendjen më të rëndë, me 35 përqind djegie të shkallës së tretë, si dhe djegie në rrugët e frymëmarrjes.
“Aleksandar Gavrilovski kishte 35 përqind djegie të shkallës së tretë, djegie në rrugët e frymëmarrjes dhe ishte një nga pacientët me gjendjen më të rëndë. Dy të tjerët tani për tani janë në gjendje kritike, por në gjendje stabile. Shpresojmë se do të jenë më mirë”, tha Taravari.
Ky është pacienti i dytë që ndërroi jetë nga gjithsej 193 që trajtoheshin jashtë vendit, shtoi ministri, duke theksuar se dy pacientë të tjerë mbeten në gjendje kritike.
Aktualisht jashtë vendit po trajtohen gjithsej 66 pacientë, ndërsa në vend ndodhen dhjetë pacientë.
“Aktualisht jashtë vendit po trajtohen gjithsej 66 pacientë, kurse në vend po trajtohen 10 pacientë. Përveç dy pacientëve në gjendje kritike, nuk ka asnjë rast tjetër të rëndë. Shpresojmë që të mos kemi ndonjë lajm tjetër të keq”, tha Taravari.
Të premten, Aleksandar Karadakoski, i cili po ashtu po trajtohej në Lituani, iu nënshtrua plagëve të rënda të marra nga zjarri në “Puls”. Trupi i tij dje është sjellë në Maqedoni, ndërsa nesër do të varroset në Koçan.
Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.