U shënua 30-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve

Sivjet shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike (13 shtator 1995) midis Republikës së Maqedonisë së Veriut  dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në nder të jubileut tredekadësh po realizohen dhe planifikohen një sërë aktivitete në të dy shtetet, ndërsa manifestimi qendror u mbajt dje në Klubin e deputetëve në Shkup, njofton Portalb.mk.

Në manifestimin e mbrëmshëm fjalime kishin ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe ambasadorja e SHBA-ve, Anxhela Ageler.

Mucunski ka theksuar se po shënojmë tre dekada partneritet i cili ka ndihmuar që populi i Maqedonisë të bëhet më i fuqishëm, më i lirë dhe më i suksesshëm.

“Nga ditët e para të pavarësisë, populli i Maqedonisë ka ndjerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë afër tij. Në momente kyçe ajo mbështetje ishte vendimtare. Posaçërisht e kujtojmë vendimin nga viti 2004 për njohje të emrit tonë kushtetues – akt që ka lënë gjurmë të thellë në zemrat e popullit të Maqedonisë dhe konfirmoi se demokracia dhe pavarësia jonë janë të rëndësishme. Bashkëpunimi ynë mori kornizë institucionale me Deklaratën për partneritet strategjik nga viti 2008, ndërsa në vitin 2022 në Uashington e avancuam me vendosjen e Dialogut strategjik – mekanizëm i cili hap rrugë për bashkëpunim më të thellë në siguri, ekonomi, energjetikë dhe arim”, ka deklaruar Mucunski.

Ambasadorja Ageler ka përkujtuar se para tre dekadave SHBA-të dhe Maqedonia e Veriut formalizuan partneritet të bazuar në besim dhe respektim të ndërsjellë të vlerave demokratike.

“Që atëherë, së bashku i kemi treguar botës se çfarë mund të arrihet me forcë, kompromis dhe vendosmëri të durueshme. Dhe kemi treguar se si duket miqësia dhe partneriteti i vërtetë”, tha ajo.

Ageler ka shprehur bindje se edhe në 30 vitet e ardhshme të dy shtetet do të vazhdojnë të punojnë së bashku në drejtim të thellimit të këtij partneriteti të vlefshëm.

Në solemnitet kanë marrë pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, ministra, përfaqësues të korit diplomatik dhe personalitete të theksuara nga sfera të ndryshme të shoqërisë të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e partneritetit dhe bashkëpunimit midis të dy shteteve gjatë 30 viteve të kaluara.

Ambasada e Amerikës (SHBA) në RMVAngjela Prajs Ageler (Angela Price Aggeler)Dialogu strategjik RMV (Maqedoni) - SHBA (Amerikë)Qeveria e Maqedonisë së VeriutShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Timço Mucunski