Nëpunësit doganorë në pikën kufitare Tabanovc penguan tentativën për transferim të paligjshëm të 64.250 eurove, gjatë kontrollit të një automjeti me targa gjermane, të drejtuar nga një shtetas grek, transmeton Portalb.mk.
Kundër personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente, ndërsa valutat e padeklaruara janë sekuestruar.
Sipas Drejtorisë së Doganave, udhëtari gjatë hyrjes në vend kishte deklaruar se me vete kishte 60.000 euro dhe kishte paraqitur formularin përkatës të lëshuar gjatë hyrjes në Republikën e Serbisë.
Për shkak të dyshimeve në deklaratën e tij, nëpunësit doganorë, në bashkëpunim me një zyrtar policor të Frontex-it, kryen kontroll të detajuar, gjatë të cilit u gjetën gjithsej 124.250 euro.
Në përputhje me Ligjin për operacionet devizore, udhëtarit iu kthyen 60.000 eurot e deklaruara, ndërsa 64.250 eurot e mbetura u konfiskuan.
Nga Drejtoria e Doganave informojnë se që nga fillimi i këtij viti janë zbuluar gjithsej 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutave. Në këto raste janë sekuestruar 820.675 euro, 141.300 funte britanike dhe 35.000 dollarë australianë.