Oboistja e parë e Orkestrës së Operës dhe Baletit Kombëtar (OBK), Tatijana Petrushevska, është pezulluar nga puna me vendim të drejtorit të përgjithshëm Oliver Arsovski, duke u ndaluar të hyjë në institucion deri në përfundim të procedurës disiplinore dhe me ulje të pagës në 50 përqind. Sindikata e cilëson masën të paligjshme dhe pa bazë juridike, ndërsa pezullimi, sipas dokumenteve të publikuara, lidhet me një konflikt me dirigjentin mysafir Eduard Ambartsumyan gjatë provave të 16 janarit për baletin “Madam Bovari”, shkruan Portalb.mk.
Oboistja Tatijana Petrushevska, sot në konferencë për media tha se pas 30 vitesh pune pa asnjë vërejtje, është shndërruar në objekt të mobingut institucional.
“I jam drejtuar Ministrisë së Kulturës disa herë, publikisht dhe me shkrim, për presionet e vazhdueshme, ofendimet dhe kërcënimet që burojnë nga drejtori i Operës dhe Baletit Nacional. Këto veprime kanë vazhduar që nga emërimi i tij në këtë funksion. Për më shumë se 30 vite kam ushtruar profesionin tim pa asnjë vërejtje. Megjithatë, vitet e fundit jam përballur me një presion të vazhdueshëm që kulmoi me ndëshkime të padrejta, përfshirë uljen e pagës me 50% për gjashtë muaj, në kundërshtim me rregulloret ligjore dhe kompetencat e drejtorit, pa më dhënë mundësi reale për mbrojtje. Këto vendime dëshmojnë një qasje të dhunshme institucionale dhe tendencë për dominim”, tha Petrushevska.
Ajo tha se që nga momenti kur presionet u intensifikuan, u bënë përpjekje të drejtpërdrejta për ta larguar nga pozita e instrumentistes së parë në orkestër, duke tentuar të zëvendësohet pa arsye profesionale.
“Sot, pesëmbëdhjetë vite pas emërimit të parë të këtij drejtori, po përsëritet i njëjti model terrori institucional. Unë, si grua dhe soliste e parë, pa asnjë faj profesional, jam shndërruar në objekt të një mobingu të vazhdueshëm dhe të organizuar. Kërkoj nga Ministria e Kulturës që urgjentisht të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen time si grua dhe artiste, si dhe për mbrojtjen e të gjithë kolegëve dhe kolegeve që çdo ditë përballen me mobing në institucion. Duke pasur parasysh mungesën e reagimit institucional ndër vite, kësaj here do t’i drejtohem edhe kryeministrit të shtetit, me kërkesë që të shqyrtohet seriozisht situata në Operën dhe Baletin Nacional, institucion që nga brenda është dëmtuar rëndë në raport me artistët e tij”, tha Petrushevska.
Drejtori i IN Operës dhe Baletit Nacional Oliver Arsovski në konferencë për media tha se si drejtor, nuk do të lejojë shkelje të proceseve të punës dhe mosrespektim të rendit, disiplinës e hierarkisë në orkestër, ku dirigjenti është autoriteti udhëheqës.
“Si institucioni më i madh kulturor në shtet, me mbi 500 të punësuar, Opera dhe Baleti Nacional duhet të funksionojë me një hierarki të qartë, ndarje të përgjegjësive dhe respektim të etikës dhe disiplinës së punës. Ashtu si në orkestër, është saktësisht e përcaktuar se kush çfarë roli ka dhe si duhet të realizohet ai rol, vetëm në këtë mënyrë rezultati do të jenë interpretime artistike kulmore, të denja për të vetmen shtëpi operistike në vend. Çdo devijim nga ky sistem funksionimi ndikon drejtpërdrejt në tërësinë e institucionit. Roli i drejtuesve nuk është të mbajnë anë, por të sigurojnë rend, disiplinë dhe ruajtje të standardeve artistike. Në këtë kuptim, si drejtor i këtij institucioni, nuk do të lejoj shkelje të proceseve të punës, mosrespektim të rendit, disiplinës dhe hierarkisë në orkestër, ku dirigjenti është autoriteti udhëheqës”, tha Arsovski.
Ai shtoi se pretendimet e Tatjana Petrushevskës janë të pavërteta dhe i shkaktojnë dëm reputacionit të institucionit.
“Pretendimet e paraqitura nga punonjësja Tatjana Petrushevska, në lidhje me procedurën disiplinore të zhvilluar ndaj saj, janë të pavërteta dhe të përgjithësuara, dhe me to i shkaktohet dëm reputacionit të institucionit, duke krijuar një pasqyrë të shtrembëruar në opinionin publik. Në këtë deklaratë nuk do të paraqes faktet, duke pasur parasysh se procedura për shkelje disiplinore është ende në proces. Ajo që është e rëndësishme është se ekzistojnë deklarata nga punonjësit, si dhe deklaratë nga dirigjenti i shfaqjes, mbi bazën e të cilave është marrë vendim për propozimin e nisjes së procedurës disiplinore për shkelje disiplinore dhe vendim për pezullim, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Kulturën. Sa i përket pretendimeve të Petrushevskës se ndaj saj nuk janë zhvilluar procedura, theksoj se kjo nuk është e saktë, pasi në disa raste punonjës nga orkestra kanë kërkuar mbrojtje nga sjellja e saj”, tha Arsovski.
Nga Sindikata e Kulturës thonë se dokumentacioni dhe dëshmia e Petrushevskës ngrejnë pyetje serioze dhe alarmante për mënyrën se si Arsovski menaxhon institucionin më të madh kulturor kombëtar.
“Në vend të një menaxhimi të ligjshëm dhe të përgjegjshëm po krijohet imazhi i një institucioni të udhëhequr përmes presioneve, frikës dhe keqpërdorimit me detyrën. A është e vërtetë që drejtori ka ushtruar presion direkt mbi punonjësit që ta vazhdojnë punën ‘me çdo kusht’, pavarësisht pezullimit të paligjshëm të koleges së tyre edhe krahas deklaratave të tyre verbale dhe me shkrim se janë nën presion të fortë psikologjik dhe se nuk janë në gjendje ta vazhdojnë procesin e punës? Kjo nuk është më një çështje e brendshme e OBK-së, por një skandal serioz institucional”, reagojnë nga Sindikata dhe i bëjnë thirrje ministrit të kulturës, Zoran Ljutkov, të përgjigjet nëse do t’i mbrojë punonjësit e kulturës.