As park, as afat: Ministria e Shëndetësisë e zvarrit memorialin për viktimat e spitalit modular në Tetovë

Parku memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë nuk pritet të sheh dritë në të ardhmen e afërt. Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta zvarrisë këtë projekt, ndërsa ende nuk ka datë konkrete për fillimin dhe përfundimin e të njëjtit, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse ka kaluar mbi një vit që kur u paralajmërua ndërtimi i parkut memorial për viktimat e spitalit modular të Tetovës, në terren nuk ka lëvizur as edhe një gur në drejtim të ndërtimit të parkut.

Parkun fillimisht e paralajmëroi ishministri i Shëndetësisë Azir Aliu, ndërsa ministri aktual Sasho Klekovski fillimisht nuk ja kishte idenë për këtë projekt, ndërsa më pas në fund të korrikut u zotua se do ta kenë prioritet.

Që nga zotimi i ministrit kanë kaluar dy muaj e gjysmë, ndërsa në terren nuk ka asnjë lëvizje.

Lidhur me ndërtimin e parkut memorial për viktimat e Spitalit Modular, nga Spitali i Tetovës thonë se procedurat dhe përgjegjësia për realizimin e këtij projekti janë në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Spitali, në cilësinë e institucionit shëndetësor, nuk ka kompetenca për zhvillimin dhe realizimin e procedurave për ndërtimin e parkut memorial”, thanë nga Spitali i Tetovës.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë nuk japin detaje se pse nuk ka filluar ndërtimi ende.

“Nisma për ndërtimin e një parku memorial, e cila daton nga periudha e ministrit të mëparshëm, mbetet pjesë e angazhimeve tona. Planifikohet të shqyrtohen mundësitë për sigurimin e mjeteve shtesë buxhetore për realizimin e saj. Aktivitetet e mëtejshme do të varen nga mjetet financiare në dispozicion dhe zbatimi i procedurave të nevojshme. Për hapat konkretë, publiku do të informohet me kohë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk.

Pasi Ministria e Shëndetësisë për mbi një vit nuk e realizoi premtimin për ndërtimin e parkut memorial për viktimat e Spitalit Modular në Tetovë, në përvjetorin e pestë të tragjedisë, nisma Më Mirë për Tetovën (MMPT) së bashku me familjarët e viktimave vendosën pllakë përkujtimore për nder të viktimave, ndërsa u shprehën të zhgënjyer nga drejtësia.

Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.

Në qershor 2025 Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.

Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking.

Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos. 

Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.

Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar mbi tre vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Spitali i Përgjithshëm i TetovësZjarri në Spitalin Modular Tetovë