Korridori 8 merr peshë ushtarake dhe gjeopolitike, prioritet absolut për NATO-n dhe Bashkimin Evropian

Interes strategjik për Evropën dhe partnerët euroatlantikë. Lidhje që nuk sjell vetëm rrugë dhe hekurudha, por është kyçe edhe për çështjet gjeopolitike, mundësitë ekonomike dhe sigurinë. Janë këto vetëm disa nga mesazhet që u dërguan nga konferenca ministrore në Sofje ku u diskutua për rëndësinë e Korridorit 8 i cili kalon përmes Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, gjegjësisht që duhet ta lidhë me autostrada dhe hekurudhë Detin Adriatik dhe Detin e Zi, shkruan Portalb.mk.

Krahas ministrave dhe përfaqësuesve të lartë nga këto tre vende në kryeqytetin bullgar u mblodhën përfaqësues të vendeve të tjera të rajonit – Rumania, Kosova dhe Mali i Zi. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe eurokomisionerja për zgjerim, Marta Kos, përfaqësues të lartë të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm dhe NATO-s, si dhe përfaqësues të SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës. Në diskutime morën pjesë edhe ekspertë nga fusha e transportit, energjetikës, mbrojtjes, investimeve, inovacioneve.

Takime të ngjashme ministrore u mbajtën në Tiranë, Shqipëri, në muajin shkurt të këtij viti, si dhe në Brindizi – Itali në korrik të vitit 2023. Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, u ofrua që Shkupi të jetë nikoqir i takimit të këtillë të radhës.

Infrastruktura e ndryshuar e sigurisë e ndryshon qasjen

Nikoqirja e eventit, ministrja bullgare e punëve të jashtme,Velisllava Petrova Çamova, në fjalimin e saj tha se mjedisi i ndryshuar i sigurisë e ka ndryshuar edhe qasjen ndaj infrastrukturës.

“Lufta në Ukrainë tregoi se sa e rëndësishme është lëvizja e shpejtë dhe e papenguar e forcave ushtarake, pajisjeve dhe materialeve në Evropë. Mobiliteti ushtarak nuk është koncept abstrakt, por nevojë e menjëhershme“, tha ajo.

Mesazhe të ngjashme dërgoi edhe ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë duke theksuar se Korridori 8 përfaqëson vizion strategjik që e lidh Detin Adriatik dhe Detin e Zi, Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe ekonomitë, shoqëritë dhe interesat e sigurisë të vendeve përgjatë trasesë së tij.

“Në kohë të fragmentimit gjeopolitik, zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit dhe konkurrencës së rinovuar për infrastrukturën kritike, korridorët e këtillë përfaqësojnë instrumente për qëndrueshmëri, stabilitet dhe prosperitet të përbashkët“, tha Mucunski, duke shtuar se ky korridor është edhe prioritet strategjik kombëtar edhe pjesë e rëndësishme e përpjekjeve më të gjera për integrimin e Ballkanit Perëndimor në arkitekturën ekonomike dhe infrastrukturore evropiane.

Sipas tij Korridori 8 duhet të zhvillohet si sistem i vetëm ndërkufitar, me dinamikë të harmonizuar përgjatë gjithë trasesë.

Si prioritet këtë projekt e potencon edhe ana bullgare.

“Për Bullgarinë ky është prioritet shumëvjeçar, zbatimi i të cilit jo gjithmonë e ka marrë shtytjen e nevojshme. Por, rëndësia e tij shkon shumë përtej interesit tonë kombëtar“, tha ministrja bullgare.

Ajo theksoi se Korridori 8 mund të bëhet një aks strategjik Lindje-Perëndim dhe njoftoi se në vitin 2027 Bullgaria dhe Komisioni Evropian do të jenë nikoqirë të një Samiti për lidhjen rajonale në të cilin do të promovohet zhvillimi i lidhjeve mes Evropës, Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore.

Ndër ambiciet deri në vitin 2030 janë diversifikimi i rrugëve, trefishimi i rrjedhave tregtare dhe zvogëlimi e kohës së tranzitimit.

“Që rajoni ynë të nxjerrë dobi maksimale nga kjo dinamikë, duhet të theksojmë edhe interaksionin mes Korridorit të Mesëm dhe Korridorit 8“, shtoi Velisllava Petrova.

Korridori 8/ Autostrada Gostivar-Bukojçan. Foto: Ministria e Transportit

Deri ku është ndërtimi i hekurudhës nga Korridori 8?

Muajt e fundit, Maqedonia dhe Bullgaria i intensifikuan aktivitetet në kuadër të këtij projekti për lidhjen përfundimtare hekurudhore të të dy vendeve.

Pjesa e parë e hekurudhës nga ana e Maqedonisë në segmentin Kumanovë – Beljakovce është përfunduar dhe është me gjatësi prej 30,8 kilometrash. E dyta, ajo nga Beljakovci drejt Kriva Pallankës e gjatë 34 kilometra është në ndërtim e sipër. Në fillim të muajit gusht u nënshkruan marrëveshjet për grant dhe hua për ndërtimin e pjesës së tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë i cili është në gjatësi prej 22 kilometrash. Siç u prezantua ky është projekti më i ndërlikuar tekniko-teknologjik dhe infrastrukturor i deritanishëm, në 22 kilometra do të ketë gjithsej 21 tunele në gjatësi të përgjithshme prej 7,8 kilometrash dhe edhe 52 ura e viadukte prej rreth 5 kilometrash.

Maqedonia dhe Bullgaria do të ndërtojnë edhe tunel të përbashkët në vetë kufirin me gjatësi prej 2,4 kilometrash.

“Rëndësia e Korridorit është kyçe. Ai e lidh Detin Adriatik dhe Detin e Zi. Korridori 8 është pjesë e infrastrukturës edhe të BE-së edhe NATO-s, do ta rrisë qëndrueshmërinë e vendit, të rajonit dhe të kontinentit, do sigurojë mobilitet më të madh si për qëllime ushtarake ashtu edhe për ato afariste, por do ta lehtësojë edhe tregtinë dhe do ta rrisë konkurrueshmërinë“, deklaroi zëvendës-shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Ben Nupnau në muajin gusht kur u nënshkruan marrëveshjet për grantet dhe huatë për fazën e tretë mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, gjegjësisht Bankës Evropiane për Investime dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Edhe pjesa e mbetur e Korridorit 8, ajo drejt Shqipërisë, duhet të përfundojë dhe të modernizohet.

Kryeministri Hristijan Mickoski në muajin gusht deklaroi se në kuadër të Agjendës Reformuese do të përfshihet modernizimi dhe elektrifikimi i pjesës nga Shkupi deri në Gostivar përmes Jegunovcës dhe Tetovës. Për financimin e pjesës nga Gostivari drejt Kërçovës, e pastaj edhe drejt Strugës dhe Shqipërisë, po bisedohet edhe në institucionet evropiane, por Mickoski paralajmëroi se duhet të bëhet kujdes për shkak të rekomandimeve nga UNESCO nën mbrojtjen e së cilës është Rajoni i Ohrit.

Kujtojmë se zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna. Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar akuzoi se në terren po punohet me raport pothuajse 4 me 1 në favor të Korridorit 10D, Prilep–Manastir, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe dinamika e realizimit janë zhvendosur në dëm të Korridorit 8. Ndërkaq, nga VLEN akuzat e BDI-së i kanë konsideruar propaganduese, ata theksuan se në Korridorin 8 po punohet aktivisht.

Hekurudha Shkup – Sofje (Maqedoni – Bullgari)Korridori 10