Ministri për Transport dhe Lidhje, Alekandar Nikollovski, paralajmëroi se në fund të qershorit ose fillim të korrikut do të jetë gati treni ndërmjet qytetit të Prilepit dhe Manastirit, transmeton Portalb.mk.
“Treni ndërmjet Prilepit dhe Manastirit do të fillojë të funksionojë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, ndërsa së shpejti pritet të fillojë edhe trafiku hekurudhor i mallrave ndërmjet dy qyteteve”, deklaroi Nikollovski, duke e vlerësuar si tepër të nevojshme në periudhën e ndërtimit të autostradës Prilep – Manastir.
Çmimi i biletës në këtë linjë hekurudhore do të jetë 150 denarë.
“Ndërtimi i autostradës Prilep-Manastir po ecën me një ritëm të shkëlqyer, dhe kilometrat e parë të segmentit të ri të autostradës pritet të jenë gati pranverën e ardhshme”, premtoi Nikollovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski në maj të vitit 2025-të kishte premtuar për një “bum infrastrukturor” në hekurudhat e Maqedonisë. Rikonstruim të të gjithë linjës hekurudhore përgjatë Korridorit 10 (Tabanoc-Gjevgjeli) dhe modernizim të trenave të udhëtarëve që do të lëvizin me një shpejtësi mesatare prej 160 kilometrash në orë. Sipas Mickoskit, pas përfundimit të këtij projekti trenat e mallrave do të lëviznin me një shpejtësi mesatare prej 110 km/orë, që, siç llogariti ai, është katër herë më e shpejtë se mesatarja aktuale.