Digjitalizimi i dokumenteve personale në RMV vetëm PR: Nuk vlejnë pothuajse në asnjë institucion

Policia nuk do t’i njohë letërnjoftimin dhe patentën digjitale, prandaj qytetarët duhet t’i mbajnë me vete edhe dokumentet fizike, në formë kartele plastike. Ministria e Transformimit Digjital dje promovoi aplikacionin mobil m.Uslugi, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje në shërbimet publike digjitale dhe dokumentet elektronike, por për momentin këto dokumente nuk do të jenë të vlefshme para organeve shtetërore. Ky fakt, promovimin e aplikacioni e bën vetëm PR të ministrisë, hiç më shumë, raporton Portalb.mk.

“Nëse policia ju ndalon për t’ju identifikuar dhe ju kërkon letërnjoftimin ose patentën e shoferit, do të duhet t’i paraqitni dokumentet fizike, në formë kartele plastike. Nevojiten ndryshime në ligje dhe rregullore, por po punohet për këtë. Deri atëherë, mbajini me vete edhe dokumentet plastike“, deklaroi ministri Stefan Andonovski për SAKAMDAKAZHAM.MK.

Aplikacioni është konceptuar si një qasje e vetme mobile drejt shtetit digjital, me identitet digjital, dokumente elektronike, shërbime publike dhe njoftime në një vend, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohen edhe pagesat e integruara.

“m.Uslugi është një fillim, jo ​​një produkt i përfunduar, dhe se aplikacioni do të përmirësohet vazhdimisht. Futjen e pagesave të integruara, mundësinë e përdorimit të një fotografie në procedurat kur është e nevojshme. Fazat e ardhshme parashikojnë futjen e pagesave të integruara, mundësinë e përdorimit të fotografisë në procedurat kur është e nevojshme, dokumente të reja elektronike si transkripte, certifikata dhe diploma, si dhe një zgjerim të ndjeshëm të numrit të shërbimeve të disponueshme”, tha dje Andonovski.

Portalb.mk i është drejtuar Ministrisë së Transformimit Digjital me disa pyetje lidhur me funksionalitetin e aplikacionit m.Uslugi dhe zbatimin e tij në praktikë. Kemi kërkuar të sqarojnë se cilat institucione i pranojnë aktualisht dokumentet elektronike të aplikacionit dhe nëse para promovimit të tij janë arritur marrëveshje me institucionet për pranimin e tyre. Gjithashtu, kemi pyetur se cili është qëllimi praktik i aplikacionit nëse dokumentet digjitale nuk mund t’i zëvendësojnë plotësisht ato fizike dhe në cilat situata konkrete ai ua lehtëson qytetarëve marrjen e shërbimeve publike.

Nga Ministria kemi kërkuar edhe një afat konkret se kur aplikacioni pritet të bëhet plotësisht funksional, si dhe nëse ekziston një plan kohor për përfshirjen e shërbimeve të reja dhe ndërlidhjen e sistemeve të institucioneve. Pyetje kemi parashtruar edhe për pagesat e integruara dhe përdorimin e fotografive në procedurat administrative, përkatësisht se në cilat procedura do të zbatohen këto funksionalitete dhe nëse do të mundësojnë zëvendësimin e procedurave ekzistuese.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij lajmi, nga Ministria e Transformimit Digjital nuk kemi marrë përgjigje.

Ndryshe, dje me pompozitet të madh u promovua aplikacioni mobil m.Uslugi, i prezantuar si një hap drejt digjitalizimit të shërbimeve publike në Maqedoninë e Veriut. Aplikacioni synon të mundësojë qasje në një vend në identitetin digjital, dokumentet elektronike, shërbimet publike dhe njoftimet nga institucionet, ndërsa në fazat e ardhshme janë paralajmëruar edhe pagesat e integruara. Megjithatë, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi se aplikacioni është vetëm fillimi dhe se nevojiten ndryshime ligjore që dokumentet digjitale të mund të përdoren edhe gjatë kontrolleve nga policia. Deri atëherë, qytetarët duhet t’i mbajnë me vete edhe letërnjoftimin dhe patentën fizike, në formë kartele plastike. Aplikacioni është falas dhe përdorimi i tij është vullnetar.

DigjitalizimDokumente personaleMinistria e Transformimit Digjital (MTD)Patentë patenta e shoferitStefan Andonovski