Pamje të mbetjeve të dyshuara nga konsumi i substancave narkotike, xhamave të thyer dhe papastërtive të ndryshme në një barakë brenda perimetrit të shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë janë publikuar nga mediat, duke ngritur shqetësime për sigurinë e nxënësve, transmeton Portalb.mk.
Televizioni Koha, raporton se baraka që ndodhet rreth pesë metra larg objektit shkollor dhe është e qasshme për fëmijët. Ajo fillimisht ishte paraparë të shërbente si strehim për punëtorët që po ndërtonin pishinën, punimet e së cilës nisën para më shumë se një viti. Pishina duhej të përfundonte në tetor të vitit 2026, por deri më tani ka mbetur vetëm në konstruksion.
Drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, tha se nuk kishte qenë në dijeni për gjendjen e barakës dhe se për këtë ishte njoftuar nga mediat. Ajo pretendoi se hapësira nuk është pjesë e objektit shkollor, por më pas deklaroi se mësuesit kujdestarë kujdesen që nxënësit të mos hyjnë brenda.
Përgjegjësinë për gjendjen e hapësirës, drejtoresha ia atribuoi investitorit dhe realizuesit të punimeve, përkatësisht Komunës së Tetovës dhe kompanisë Eurovia. Ajo tha gjithashtu se rastin e kishte denoncuar në polici mbrëmjen e kaluar.
Megjithatë, nga Policia e Tetovës mohuan se kanë pranuar denoncim zyrtar nga Komuna e Tetovës. Sipas Rexhepit, në kuadër të kontrolleve të zakonshme, policia ka pjesëtarë që patrullojnë çdo ditë në afërsi të shkollave fillore dhe të mesme.
Nga Sektori për Arsim gjithashtu deklaruan se për gjendjen e barakës ishin njoftuar nga mediat mbrëmjen e kaluar. Përfaqësuesi i këtij sektori tha se kishte kontaktuar personalisht me një nga drejtuesit e policisë dhe se policia kishte dalë në terren. Ai premtoi se hapësira do të pastrohet sa më shpejt, ndoshta brenda ditës, dhe se do të ndërmerren masa për të parandaluar përdorimin e përsëritur të ambienteve shkollore për konsumimin e substancave narkotike dhe veprimtari të tjera të papërshtatshme.
Televizioni Koha tentoi të kontaktojë edhe kompaninë Eurovia, për të marrë sqarime se përse pishina nuk është ndërtuar brenda afatit të paraparë dhe pse nuk janë marrë masa për sigurimin e hapësirës ku janë zhvilluar punimet, por deri në publikimin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje.
Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë e nxënësve dhe përgjegjësinë e institucioneve për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e hapësirave shkollore. Mbetet të shihet nëse autoritetet do të ndërmarrin masa konkrete për pastrimin e barakës dhe parandalimin e hyrjes së personave të paautorizuar në të.