Zyrtarët policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kanë zhvilluar një aksion policor në kuadër të një hetimi për dyshime për veprime të paligjshme lidhur me operacionet e syve. Gjatë aksionit është shkatërruar një grup kriminal, pjesë e të cilit dyshohet se janë ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të Fondit për Sigurim Shëndetësor të RMV-së, njoftoi MPB-ja transmeton Portalb.mk.
Gjatë aksionit janë privuar nga liria tetë persona, ndërsa gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar rreth 50.000 euro para të gatshme dhe telefona celularë.
“Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë MPB-së ka paraqitur në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kallëzim penal kundër 11 personave fizikë, njëri prej të cilëve shtetas shqiptar, si dhe kundër një personi juridik.
Bëhet fjalë për D.D. (60) nga Shkupi, O.R. (66) nga Tetova dhe S.B. (59) nga Shkupi, të dyshuar për ‘keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar’ (neni 353, paragrafi 5, në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal); R.A. (45) nga Kumanova, për ‘punë të pandërgjegjshme në shërbim’ (neni 353-v, paragrafi 3, në lidhje me nenin 45); Z.A. (35) nga Shkupi, për ‘falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë’ (neni 280); V.Q. (47) nga Shkupi, S.A. (40) nga Shkupi dhe G.A. (33) nga Republika e Shqipërisë, për ‘keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar’ (neni 353, paragrafi 3, në lidhje me nenin 45) dhe ‘mashtrim në shërbim’ (neni 355); C.S. (47) nga Shkupi, Zh.S. (58) nga Shkupi dhe I.P. (49) nga Shkupi, për ‘punë të pandërgjegjshme në shërbim’ (neni 353-v, paragrafi 2, në lidhje me nenin 45), si dhe kundër institucionit privat shëndetësor nga Shkupi, për ‘pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale’ (neni 273, paragrafi 12, në lidhje me nenet 22 dhe 45 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas pretendimeve në kallëzimin penal, dy drejtorë të atëhershëm të Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh) në vitin 2020, së bashku me një përfaqësues të institucionit privat shëndetësor, kanë lidhur një marrëveshje në kundërshtim me procedurat e përcaktuara dhe aktet e brendshme të Fondit. Kryetari i Bordit Drejtues dyshohet për parregullsi gjatë miratimit të saj.
Në bazë të marrëveshjes, institucioni shëndetësor dyshohet se, përmes futjes së të dhënave të pavërteta në sistemin elektronik të FSSh-së dhe përgatitjes së faturave me përmbajtje të pavërtetë, ka faturuar të njëjtat shërbime si ndaj Fondit, ashtu edhe ndaj pacientëve. Përveç bashkëpagesës së përcaktuar me ligj, pacientëve u është kërkuar të paguajnë edhe çmimin privat për operacionet, duke ua fshehur faktin se shërbimet faturoheshin edhe nga FSSh-ja.
Drejtori i sektorit për kontroll, i cili është i kallëzuar, dyshohet se nuk ia ka dorëzuar komisionit kompetent raportet për parregullsitë e konstatuara dhe ka shtyrë zbatimin e kontrolleve të rregullta. Në këtë mënyrë, dyshohet se është shmangur shqiptimi i gjobave shtesë kontraktuale dhe mundësia e ndërprerjes së marrëveshjes.
Dy udhëheqëse të shërbimit rajonal në Shkup dyshohet se nuk e kanë ndjekur arkëtimin e gjobave të shqiptuara më parë dhe nuk i kanë njoftuar shërbimet kompetente, për shkak të së cilës pagesat ndaj institucionit kanë vazhduar pa u kompensuar borxhet.
Ekzistojnë gjithashtu dyshime se paratë e paguara nga FSSh-ja, për të cilat personat e autorizuar në institucionin shëndetësor e dinin se buronin nga vepra penale, janë futur në qarkullimin e pagesave, janë regjistruar në kategori të ndryshme kontabël dhe janë përdorur për paga, furnizime dhe pagesa të tjera.
Sipas kallëzimit penal, dëmi ndaj buxhetit të FSSh-së arrin në 104.818.754 denarë, përkatësisht rreth 1,7 milionë euro, për pagesat në bazë të faturave fiktive, si dhe 525.000 denarë shtesë për gjobat kontraktuale të paarkëtuara.
Ekzistojnë dyshime se gjatë periudhës 2022–2025, institucioni shëndetësor ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 261.271.961 denarë, përkatësisht rreth 4,25 milionë euro. Sipas kallëzimit, nga faturimi i dyfishtë janë dëmtuar rreth 3.000 deri në 4.000 pacientë.