Akuza për miniera, miliona dhe “goditje politike”, Filipçe dhe Mickoski u përplasën verbalisht

Akuza për mënyrën e qeverisjes, fushata propagandistike, rrjedha financiare, hapjen e minierave, por edhe për gënjeshtra dhe nxitje të histerisë politike shkëmbyen sot nga foltorja e Kuvendit lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, dhe kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë seancës për pyetje të deputetëve, transmeton Portalb.mk.

Filipçe e akuzoi Mickoskin për diskreditim, fyerje të qytetarëve, lidhje kriminale me Vuçiqin, shmangie të përgjigjeve konkrete para publikut dhe shitje të vendit.

Nga ana tjetër, Mickoski i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si gënjeshtra dhe histeri politike që, sipas tij, pasqyrojnë pafuqinë e opozitës.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i tha hapur kryeministrit se e respekton funksionin që mban, por jo atë personalisht, duke e akuzuar për goditje politike dhe shmangie të llogaridhënies prej më shumë se dy vitesh.

“Dua të them ‘i nderuar kryeministër’, por nuk mundem. E respektoj funksionin, por jo ty personalisht, kryeministër, kryesisht për shkak të mënyrës se si e ushtron pushtetin. Përdor mekanizma të ndryshëm propagandistikë, fushata të rreme, njollosje dhe diskreditime. Vepron dhe krijon hapësirë për goditje politike ndaj kundërshtarëve të tu politikë, por edhe ndaj njerëzve të afërt me ty që nuk veprojnë ashtu siç ua dikton ti”, tha Filipçe.

Filipçe u ndal edhe te çështjet e politikës së jashtme dhe ato financiare, duke pretenduar se sistemi i mbështetjes politike nga Serbia po dobësohet pas humbjes së presidentit të deriatëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se për këto çështje do të duhet të jepen përgjigje edhe para institucioneve evropiane.

“E di që tani nuk e ke të lehtë, nuk e ke më as mentorin e dytë. Ai sistem i mbështetjes nga Serbia po dobësohet dalëngadalë dhe do të mbetesh vetëm. Shtrohet pyetja se çfarë do të bësh? Me gjasë do të duhet t’u përgjigjesh pyetjeve jo vetëm këtu, por edhe në vende të tjera. Ashtu siç tha qartë, pa mëdyshje, në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe, siç do të thoshe ti, fuqishëm, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se para Evropës do të duhet të jepen përgjigje para Prokurorisë Evropiane”, tha ai.

Filipçe ngriti gjithashtu çështjen e transfertave të mundshme të dyshimta financiare dhe të hapjes së minierave, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj mjedisit dhe shëndetit.

“Në këtë situatë të vështirë, vij te çështja se ajo që po bën duket se është shitja e vendit për miniera dhe interesa biznesore të të tjerëve. Në mbarë vendin është promovuar, pa debat publik, një plan i ri hapësinor në të cilin janë përfshirë minierat. Të thuash qartë dhe pa mëdyshje nëse i mbështet projektet për hapjen e minierave në Shtukë-Ilovicë, Kazandol, minierën e antimonit në Kriva Pallankë, si dhe hulumtimet e tokës për hapjen e mundshme të një miniere në Kozhuf”, pyeti Filipçe, duke shtuar se, nëse nisin procedurat, ato do të përballen me rezistencë të fortë dhe me një “mur të gjallë” qytetarësh.

Kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke vlerësuar se ato burojnë nga pafuqia e opozitës. Ai tha se koha dhe raportet e auditimit do ta dëshmojnë të vërtetën për punën e Qeverisë.

“Këto konferenca për shtyp që i përcjell partia juaj politike, ndërsa sa u përket zgjedhjeve në Serbi dhe lidhjes së tyre me ne, në kontekstin se kush ka qenë mentori i kujt dhe çfarë mentori ka qenë, nuk do t’i komentoj. Do ta lëmë kohën të japë përgjigje për të gjitha ato që po thoni sot dhe për gënjeshtrat që po i përhapni. Pra, në këta gjashtë muaj nuk ka as ‘k’ nga kriminaliteti, por ka konfirmim se kjo Qeveri i ka bërë një të mirë këtij shteti”, u përgjigj Mickoski.

Më pas, Mickoski foli për cilësimet personale dhe akuzat që, sipas tij, i kishte bërë lideri i opozitës, duke i thënë se reagimet e tij janë rezultat i nënvetëdijes dhe barrës që mban.

“Cili është problemi juaj? Ju jeni personel mjekësor dhe e dini mirë se çfarë është nënvetëdija, si në kuptimin filozofik, ashtu edhe në atë shëndetësor. Nënvetëdija është një gjë shumë interesante dhe shpesh mund të jetë problematike. Ndonjëherë ajo përbën një barrë të madhe. Ajo që ju e ndieni në nënvetëdijen tuaj, ua projektoni të tjerëve. Dhe ky është problem, por është problemi juaj, jo i yni”, theksoi Mickoski.

Ai shtoi se nuk ka ndërmend t’u përgjigjet fyerjeve dhe akuzave të rënda që u drejtuan ndaj tij.

“Më akuzuat se kam transferuar drogë, para e çfarë jo tjetër nuk dëgjova – nga ajo se jam idiot e deri te gjëra të tjera. Nuk do të zbres në atë nivel për t’ju përgjigjur, sepse mendoj se nuk e meritoni”, shtoi kryeministri.

Mickoski iu përgjigj edhe akuzave lidhur me koncesionet e kontestuara dhe minierat, duke ua atribuar përgjegjësinë qeverive të mëparshme të udhëhequra nga LSDM-ja. Ai tha se mbështet hapjen e minierës së antimonit në Kriva Pallankë, duke shtuar se të njëjtin qëndrim e ndan edhe kryetari i komunës, i cili vjen nga radhët e LSDM-së.

“Projekti Shtukë-Ilovicë ka nisur nga një qeveri e udhëhequr nga LSDM-ja, me Vllado Buçkovskin në krye. Më pas erdhi një qeveri tjetër e LSDM-së dhe BDI-së, gjatë së cilës Ministria e Ekonomisë mori vendim në seancë qeveritare për bashkimin e dy zonave të koncesionit. E pastaj, disa prej anëtarëve të asaj qeverie sillen sikur të mos kenë qenë të pranishëm në atë seancë. Unë nuk po e shes shtetin, por po e kthej atë që ju e shitët”, tha Mickoski.

Në replikë, Filipçe e ftoi kryeministrin që, nëse mendon se mundet, t’i rikthejë politikat e mëparshme ose emrin kushtetues të vendit.

“Sa i përket pjesës tjetër të përgjigjes, do të thosha se e ke zgjedhur profesionin e gabuar. Do të ishe redaktor i mirë i ‘Informer’-it ose i ‘Kollegium’-it, por fatkeqësisht ato po mbyllen tani. Nuk ia del me drejtimin e shtetit”, tha Filipçe.

Hristijan Mickoski HristianLidhja Social Demokrate (LSDM)Venko FilipçeVMRO-DPMNE