Trashëgimia kulturore dhe historike e Tetovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes teknologjisë digjitale. Shoqata për Zhvillim Shoqëror “Për Tetovën” ka promovuar projektin “Smart Heritage Tetovo”, një platformë interaktive që synon ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e pasurisë kulturore të qytetit, duke e bërë atë më të qasshme për qytetarët, studiuesit dhe turistët nga vendi dhe jashtë tij, shkruan Portalb.mk.
Projekti është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ndërsa përmes tetova360.pertetoven.org përdoruesit mund të njihen me historinë e monumenteve, të eksplorojnë pamje panoramike 360 gradë dhe të marrin informacione në katër gjuhë, shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht.
Elmedina Abdullahi, kryetare e Shoqatës “Për Tetovën” dhe koordinatore e projektit, e cila është marrë edhe me aplikimin dhe realizimin e tij, shpjegon se ideja ka lindur nga mungesa e informacioneve të qasshme për monumentet dhe objektet me vlerë historike të qytetit.
“Ideja lindi nga një nevojë shumë konkrete: qytetarët dhe vizitorët që vijnë në Tetovë, veçanërisht vizitorët e huaj, shpesh nuk kanë informacion të mjaftueshëm për objektet që shohin. Pranë shumë monumenteve mungojnë informacionet orientuese për historinë, rëndësinë dhe veçoritë e tyre. Kështu, edhe kur një objekt tërheq vëmendjen, vizitori nuk e ka gjithmonë mundësinë të mësojë më shumë për të.
Menduam se duhej të krijonim diçka të qasshme dhe atraktive, që do t’i ndihmonte vizitorët të orientoheshin dhe njëkohësisht do të nxiste kureshtjen e banorëve për qytetin e tyre. Nga kjo ide u zhvillua ‘Smart Heritage Tetovo’, i realizuar nga Shoqata për Zhvillim Shoqëror ‘Për Tetovën’, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.
Platforma bashkon informacionin historik me hartën interaktive, fotografitë panoramike 360°, përmbajtjet në katër gjuhë dhe kodet QR. Përmes kësaj qasjeje, informacioni mund të jetë pranë vizitorit pikërisht kur ai ndodhet para objektit, por edhe kur dëshiron ta njohë Tetovën nga larg. Besojmë se njohja e trashëgimisë e rrit edhe interesimin për ta vizituar, vlerësuar dhe mbrojtur atë”, shprehet Abdullahi.
Platforma aktualisht përfshin 11 pika të trashëgimisë kulturore dhe historike të Tetovës, mes të cilave Kalanë, Xhaminë e Larme, Teqenë Harabati Baba, Hamamin, si dhe objekte të tjera që dëshmojnë zhvillimin historik dhe identitetin kulturor të qytetit.
Përveç promovimit turistik, projekti synon të shërbejë edhe si burim informacioni për institucionet arsimore dhe studiuesit, duke ofruar mundësi të reja për njohjen e historisë lokale.
“Platforma funksionon përmes një harte interaktive me 11 pika të trashëgimisë kulturore dhe historike të Tetovës. Duke zgjedhur një pikë, përdoruesi mund të lexojë për historinë dhe rëndësinë e saj, të shohë fotografitë dhe të eksplorojë pamjet panoramike 360°. Përmbajtjet janë në shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht, që të jenë të qasshme si për banorët, ashtu edhe për vizitorët e huaj.
Janë përfshirë monumente si Kalaja, Xhamia e Larme, Teqeja Harabati Baba dhe Hamami, por edhe muzeu, ura dhe shtëpi të vjetra qytetare. Përmes tyre, përdoruesit njihen edhe me njerëzit, familjet dhe ngjarjet që kanë ndikuar në identitetin e Tetovës. Kodet QR mundësojnë lidhjen e objektit fizik me informacionin në platformë, duke e hapur atë lehtësisht nga telefoni.
Platforma mund të përdoret edhe në arsim. Mësimdhënësit, nxënësit dhe studentët mund ta shfrytëzojnë për mësim, kërkime dhe vizita studimore. Kështu, ajo u shërben njëkohësisht qytetarëve, vizitorëve dhe institucioneve arsimore”, thekson Abdullahi.
Projekti nuk synon të mbetet vetëm në 11 lokacionet e përfshira deri më tani. Shoqata planifikon zgjerimin e platformës me objekte të tjera historike, fotografi të vjetra, dokumente arkivore dhe materiale multimediale, me synimin që të dokumentohen edhe pjesë të trashëgimisë që me kalimin e kohës janë ndryshuar, dëmtuar apo zhdukur.
Sipas Abdullahit, zhvillimi i mëtejshëm i kësaj nisme kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve kulturore, ekspertëve dhe vetë qytetarëve, të cilët mund të kontribuojnë me materiale nga arkivat e tyre familjare.
“Që në prezantimin e platformës pamë interesim të madh dhe një pritje shumë të mirë nga pjesëmarrësit, përfshirë përfaqësues të institucioneve, arsimit dhe bizneseve. Kjo na motivon që ta zhvillojmë më tej dhe të krijojmë bashkëpunime të reja për përdorimin dhe pasurimin e saj.
Synojmë të shtojmë objekte dhe pika të tjera kulturore, fotografi të vjetra, dokumente arkivore dhe materiale multimediale. Në Tetovë ka shumë ndërtesa, shtëpi dhe hapësira me histori interesante që meritojnë të dokumentohen. Veçanërisht për objektet që janë ndryshuar, dëmtuar ose nuk ekzistojnë më, fotografitë dhe dokumentet mund të ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës së tyre.
Për këtë do të kërkojmë bashkëpunim me institucionet kulturore, studiuesit, shkollat dhe qytetarët që ruajnë materiale në arkivat familjare. Çdo përmbajtje e re duhet të verifikohet dhe të shoqërohet me burimin përkatës.
Dëshirojmë gjithashtu të zgjerojmë vendosjen e kodeve QR dhe të informacionit orientues pranë objekteve. Zhvillimi i mëtejshëm do të varet nga mbështetja dhe bashkëpunimet që do të sigurojmë, por qëllimi është që platforma të mbetet e gjallë dhe të pasurohet vazhdimisht me historinë dhe kujtesën e Tetovës”, shprehet Abdullahi.
Në kuadër të aktivitetit promovues, prezantimi i projektit dhe demonstrimi i funksionaliteteve të platformës digjitale u realizuan nga Agon Memeti, ndërsa përmbajtjet historike u prezantuan nga Luljeta Abazi, arkeologe, kuratore e lartë dhe bashkëpunëtore eksperte e projektit.
Aktiviteti përfshiu edhe një diskutim në panel mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mundësitë që ofron digjitalizimi për promovimin e saj dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe komunitetit.
Në diskutim morën pjesë Bexhudin Shehapi, arkeolog dhe historian arti, Narona Luma Veseli, arkeologe, Afet Jashari, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si dhe Mico Stojçevski, drejtor i Muzeut të Tetovës.
Përmes projektit “Smart Heritage Tetovo”, synohet që trashëgimia kulturore e qytetit të mos mbetet e lidhur vetëm me hapësirat fizike ku ndodhen monumentet, por të dokumentohet dhe të bëhet e njohur edhe përmes mjeteve digjitale, duke krijuar mundësi të reja për promovimin turistik, edukimin dhe ruajtjen e kujtesës historike të Tetovës.