Testamenti i pashkruar

Të parët tanë të fisëm na lanë testamentin e pashkruar, të thjeshtë, madhështor e domethënës, që mund të na shërbejë si orientim jetësor.

Na porositën ta zgjedhim ndershmërinë në vend të pasurisë.

Mos lakmojmë të huajën, sepse Zoti kurdoherë i ndëshkon përvetësuesit e së huajës.

Mos bëjmë keq, sepse e keqja kthehet me të keq; sepse kush bën keq do t’i nënshtrohet gjyqit të Zotit dhe gjyqit të ndërgjegjes.

Ta respektojmë dijen më shumë se pasurinë; sepse dija është pasuri që nuk mund të na marrin.

Mos pranojmë të na nëpërkëmbin dinjitetin dhe mos nëpërkëmbim dinjitetin e të tjerëve.

Të ruajmë krenarinë edhe kur rrezikohemi e rrëzohemi.

Mos bëjmë be të rrejshme, sepse vetëgënjehemi dhe gënjejmë para Zotit.

Mos krijojmë lumturinë tonë mbi fatkeqësinë e tjetrit.

Mos urrejmë edhe kur kemi arsye për të urryer.

Të ruajmë nderin e familjes.

Të ndihmojmë të varfrin, të sëmurin, plakun.

Të respektojmë mysafirin, sepse ai e begaton shtëpinë që e viziton.

Të duam kombin tonë, pa urryer kombet tjerë.

T’i shërbejmë komunitetit pa kërkuar asgjë në kundërvlerë…

Ky testament i pashkruar, që është shumë më i gjatë, na shpëton kur tundohemi nga mëkati.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu