Blerja në markete nuk është detyrë e rrezikshme gazetareske. Por, nëse duhet të xhirohet në disa markete të ndryshme, kjo gjë pothuajse nuk mund të bëhet në asnjë mënyrë tjetër përveç se fshehtas. Në të gjitha pesë zinxhirët e marketeve që i vizitoi 360 Gradë i kërkuan të njëjtat produkte. Coca Cola dhe Fanta prej 0,45 litra. Red Bull prej 0,25 litra. Cevitana pluhur prej 200 gramë. Qumësht lope nga Qumështorja e Manastirit prej gjysmë litri, lëng portokall 100% dhe mollë 100% nga i njëjti prodhues. Kërkuan edhe produkte të tjera, përfshirë këtu edhe në ueb-faqet për blerje online. Nuk blenë nëpër markete të ndryshme për të parë se ku është më lirë, por për t’i krahasuar çmimet në dyqan me çmimet me të cilat këto produkte i blen Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk
Ushqime mes vakteve
Sa paguan Ministria e Punëve të Brendshme për produkte të caktuara mund të shihet nga prokurimi publik i “shërbimeve për ushqimin“.
Në fund të korrikut Byroja për Prokurime Publike publikoi se MPB ka lidhur tre marrëveshje të veçanta – marrëveshje kornizë, me vlerë të përgjithshme prej 17,5 milionë euro (1.078.000.000 denarë). Secila nga marrëveshjet kornizë është për të njëjtin qëllim, ushqim, por për nevojat e tre objekteve të ndryshme – kazermës “Ilinden“, ku është i vendosur Njësiti Special “Tigrat“, kazermës “Gjorçe Petrov“, ku është e vendosur Njësiti për Reagim të Shpejtë, dhe qendrës për trajnim të MPB-së në Idrizovë, ku mes të tjerash funksionon Shkolla e Mesme e Policisë dhe Akademia Policore.
Në dokumentacionin voluminoz janë përshkruar me detaje vaktet dhe përbërësit e tyre, menytë e ndryshme dhe përbërja e produkteve të veçanta.
Si mostër u zgjodhën disa ushqime mes vakteve në kazermën “Gjorçe Petrov”, sepse ato janë më të thjeshta për krahasim.
Kështu, lëngjet e gazuara në ambalazh plastike prej 0,45 litra, të cilat i prodhon Birraria Shkup, e që sipas përbërjes janë të njëjta me “Coca-Cola“-n dhe “Fanta“-n, MPB i paguan nga 55 denarë. Në shitje me pakicë të njëjtat pije i gjetëm me çmime nga 37 deri në 43 denarë. Produkti me përshkrim identik si “Cevitana“ prej 200 gramë në menynë e MPB-së kushton 88 denarë, ndërsa në dyqan mund të blihet nga 59 deri në 79 denarë. Qumështin e lopës prej gjysmë litri nga Qumështorja e Manastirit me 2,8% yndyrë policia e blen për 60,5 denarë, ndërsa në dyqan kushton nga 46 deri më 55 denarë.
Lëngun e portokallit 100% prej 1 litri nga Qumështorja e Manastirit MPB e paguan 121 denarë. Në supermarket ai kushton nga 109 deri në 135 denarë dhe me këtë është i vetmi produkt në këtë listë që shitet më shtrenjtë në disa dyqane në krahasim me tenderin e MPB-së. Lëngun e mollës 100%, 1 litër, nga i njëjti prodhues, shteti e paguan 99 denarë, ndërsa në shitje me pakicë ai mund të blihet nga 65 deri në 82 denarë. “Brownies“ me shije qershie nga Vinçini policia i blen për 99 denarë.
Në të vetmin dyqan ku e gjetëm të njëjtin produkt ai kushtonte 82 denarë. Pijen energjetike Red Bull në kanoçe prej 0,25 litra MPB do ta paguajë nga 110 denarë. Në dyqan e gjetëm me çmime nga 59 deri në 95 denarë. MPB i paguan më shtrenjtë edhe produktet e pemëve të thata nga marka vendase “Nutini“, përkatësisht Çeza Komerc. Jo aq lajthitë, sa arrat e indisë, bajamet dhe pistakët.
Si përmbledhje, është e vështirë të nxirret një mesatare. Megjithatë, shifrat tregojnë se në të shumtën e rasteve MPB paguan dhjetëra përqind më shtrenjtë se çmimet në dyqan, edhe atë për produkte relativisht të standardizuara që konsumohen pa pasur nevojë për përgatitje.
Në vend të përgjigjeve…
A është kjo diçka normale apo e tepruar? Kjo pyetje bëhet duke pasur parasysh se produktet, gjithsesi, duhet të dërgohen dhe të shërbehen në menzë. Kjo, padyshim që paraqet shpenzim. Por, e kemi parasysh se edhe çmimet në markete përfshijnë – edhe shpenzime edhe fitim për tregtarin, përkatësisht janë më të larta se çmimet e furnizimit nga ku do të duhej të blinte kompania e zgjedhur nga MPB.
Dilemën në formë të pyetjeve gazetareske iu dërgua blerësit, pra MPB-së. Por MPB-ja nuk u përgjigj.
Garanci se shteti i shpenzon në mënyrë ekonomike paratë e qytetarëve duhet të jetë vetë procedura për prokurim publik, e cila krahas transparencës duhet të sigurojë edhe konkurrencë.
Në rastin me thirrjen për shërbime për ushqim për nevojat e MPB-së janë paraqitur tre kompani – “Industri Servis” ShPK Shkup, “Specijal-Produkt” ShPKNjP dhe “FF Ballkan Group” ShPKNjP. Të tre kompanitë kanë dhënë oferta për secilën nga tre pjesët e veçanta – për kazermën “Ilinden”, për kazermën “Gjorçe Petrov” dhe për Idrizovën.
Një nga kushtet bazë që një ofertë të pranohej si serioze ka qenë që këto kompani të kishin të paktën 200 milionë denarë të ardhura për secilin nga tri vitet e fundit.
Nëse i shohim rezultatet financiare të pretendentëve dhe atë vetëm për vitin e kaluar, duket qartë se vetëm dy konkurrues janë paraqitur me qëllim serioz. “Industri Servis” në vitin 2025 ka realizuar të ardhura prej rreth 622 milionë denarë, ndërsa “Specijal-Produkt” rreth 480 milionë. Pretendenti i tretë, “FF Ballkan Group”, vitin e kaluar ka realizuar të ardhura prej 5,2 milionë denarë, ose rreth 40 herë më pak se minimumi i nevojshëm.
Ankesa e pabazë
Por komisioni në MPB e ka eliminuar edhe kompaninë “Specijal-Produkt“. Nga atje kanë konstatuar se një pjesë e automjeteve për dërgimin e mallrave që ata i kanë paraqitur nuk kanë qenë të tyre.
Në ankesën e saj drejtuar Komisionit për Ankesa për Furnizime Publike kompania konfirmon se automjetet nuk janë të tyre, se kanë marrëveshje për bashkëpunim teknik me pronarët dhe se automjetet i plotësojnë kushtet e kërkuara. E, pastaj, edhe se ato automjete kanë qenë të nevojshme vetëm për një nga tre pjesët e tenderit.
“Në një rast të tillë, e njëjta (Specijal-Produkt sh. r.) nuk do t’i plotësonte kushtet vetëm për një pjesë të procedurës për prokurim publik, e jo për të gjitha tre pjesët siç është shkruar në Njoftim“, thuhet në Vendimin sipas ankesës numër 08-892/6, të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurime Publike.
Nga kompania që ka dorëzuar ankesë kanë treguar edhe se e vetmja kompani e mbetur dhe, në fund e zgjedhur, po ashtu ka pasur mangësi në dokumentacion – te diplomat e kuzhinierëve dhe personelit teknik.
“Nga provat-diplomat e bashkëngjitura qartë ka mundur të vërtetohet se të njëjtat nuk janë të kompletuara sepse nuk kanë përmbajtur as vulë, as nënshkrim e as stampë nga institucioni nga i cili janë lëshuar“, thuhet në Vendimin sipas ankesës numër 08-892/6 të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurime Publike.
Komisioni i shkallës së dytë e ka refuzuar ankesën si të pabazë. Në pjesën për diplomat e konkurrentit nuk përmendet se mungon vula, e as stampa, por…
“Në vetë diplomat për personat e përmendur shihen qartë emri i institucionit nga i cili janë lëshuar dhe numri nga libri amë në të cilin mbahet dosja në institucionin nga i cili janë lëshuar. Komisioni Shtetëror vlerëson se nëse ankuesi e konteston validitetin e diplomave të lëshuara, atëherë është dashur të dorëzojë dëshmi për të njëjtën, gjë që buron nga dispozita e… Ligjit për Prokurime Publike“ thuhet në Vendimin sipas ankesës numër 08-892/6 të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurime Publike.
Sa i përket automjeteve, nga komisioni i shkallës së dytë sqarojnë se kur shfrytëzohet aftësia e një subjekti tjetër duhet të dorëzohet edhe dokumentacion për të vërtetuar se nuk ekzistojnë shkaqe për përjashtimin e subjektit aftësia e të cilit shfrytëzohet. Dokumente të tilla nuk janë mundur të dorëzohen pas hapjes së tenderit.
Krahas kësaj, komisioni nuk ka mundur të vendosë se cilat automjete për cilën pjesë të tenderit kanë qenë të paraqitura.
“Vetë ofertuesi nuk ka shënuar se cilat automjete i bashkëngjit si dëshmi për plotësimin e kushteve për cilën pjesë të procedurës, kështu që autoriteti kontraktues nuk mundet si i pavarur të parashikojë nëse operatori ekonomik i plotëson kushtet për pjesë të caktuara të prokurimit, por në një rast të tillë e evaluon ofertën nga aspekti nëse i plotëson kërkesat në tërësi “ thuhet në Vendimin sipas ankesës numër 08-892/6 të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurime Publike.
Prandaj, edhe pse në letër duket se për tenderin e rëndë 17,5 milionë euro ka pasur konkurrencë, oferta e zgjedhur në të vërtetë ka qenë e vetmja.
Perspektiva fluide
Në krye të MPB-së, si në kohën e nënshkrimit të kontratës ashtu edhe në këtë moment, është Pançe Toshkovski – kuadër nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Por, kjo parti në vitin 2023 kur policia e realizoi prokurimin e mëparshëm për ushqim, ishte në opozitë. Ja se si reaguan atëkohë.
“Kjo është fotografi ku shihet Spasovski në shoqëri të pronarit të kompanisë “Industri Servis”, Dragan Smillkovski. Ndërsa në vendosjen e gur themelit të fabrikës në Gazi Babë është pothuajse e gjithë qeveria e SDS-së dhe funksionarë të tjerë“, deklaroi Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE më 22 janar të vitit 2023.
Kompania “Industri Servis“, për të cilën Naqe Çulev në vitin 2023 akuzonte se ka marrë tender për shkak të afërsisë me ministrin e atëhershëm të punëve të brendshme, Oliver Spasovski, dhe pushtetin e LSDM-së, është e njëjta që e ka fituar tenderin për ushqim edhe tani, në kohën e VMRO-DPMNE-së.
E që atëkohë, në vitin 2023, Çulev e ka hapur dilemën e cila po imponohet natyrshëm edhe me kontratën e re, sidomos kur bëhet fjalë për produktet e gatshme.
“Nëse Industri Servis ka pasur llogari të blejë dhe të stërshesë ushqim që e ka prodhuar dikush tjetër, pse atëherë MPB-ja nuk e ka bërë këtë?“, ka deklaruar Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE më 23 janar të vitit 2023.