HERA: Kontracepsioni duhet të jetë çështje zgjedhjeje, jo nëse dikush mund ta përballojë

Kontracepsioni duhet të jetë çështje e zgjedhjes personale të informuar, dhe jo të varet nga sa mund ta përballojë dikush, ku jeton apo nëse ka qasje në informacione të sakta dhe në kohë, thonë nga organizata HERA me rastin e Ditës Botërore të Kontracepsionit, e cila këtë vit shënohet me moton “Zgjedhje pa barriera”, transmeton Portalb.mk.

HERA rikujton se pas të drejtës për zgjedhje duhet të qëndrojë edhe sistemi funksional shëndetësor që siguron kontracepsion të qasshëm, këshillim cilësor dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Sipas të dhënave të fundit kombëtare të disponueshme nga Hulumtimi i Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2018–2019 i UNICEF-it, 43.9% e çifteve të moshës 15 deri në 49 vjeç, të cilët janë të martuar ose bashkëjetojnë në Maqedoninë e Veriut, përdorin ndërprerjen e marrëdhënies seksuale si metodë për parandalimin e shtatzënisë, ndërsa vetëm 14% përdorin kontracepsion modern. Kjo tregon se metodat tradicionale vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në praktikat për parandalimin e shtatzënisë, ndërsa përdorimi i metodave moderne mbetet i ulët.

Gjendja është veçanërisht shqetësuese te të rinjtë. Sipas të dhënave, rreth 14% e grave të reja të moshës 20 deri në 24 vjeç përdorin metodë moderne kontraceptive, ndërsa 38.6% mbështeten në ndërprerjen e marrëdhënies seksuale. Prezervativ përdorin 11% e grave të reja në këtë grupmoshë.

Përdorimi i ulët i kontracepsionit modern nuk është vetëm çështje e zgjedhjes personale. Kur metodat nuk janë financiarisht të qasshme ose nuk sigurohen përmes sistemit shëndetësor, zgjedhja nuk është e barabartë për të gjithë.

Edhe pse në vitin 2026 barnat kontraceptive janë përfshirë në Listën Esenciale, ato ende nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Prandaj, hapi i radhës është përfshirja e tyre në Listën Pozitive të Barnave, me çka kontracepsioni do të bëhej financiarisht më i qasshëm për qytetarët.

“Motoja ‘Zgjedhje pa barriera’ duhet të bëhet realitet edhe në Maqedoninë e Veriut. Nuk mjafton që kontracepsioni formalisht të njihet si nevojë në sistemin shëndetësor – ai duhet të jetë edhe financiarisht i qasshëm për qytetarët. Prandaj, është e nevojshme që mjetet moderne kontraceptive të përfshihen në Listën Pozitive të Barnave dhe të sigurohet qasje në këshillim dhe shërbime cilësore për të gjithë”, thonë nga HERA.

Për të ulur pabarazitë dhe për të siguruar zgjedhje të vërtetë të kontracepsionit, nga HERA bëjnë thirrje për përfshirjen e mjeteve moderne kontraceptive në Listën Pozitive të Barnave dhe mbulimin e tyre përmes sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, rritjen dhe financimin e qëndrueshëm të programeve shtetërore për kontracepsion, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe personat që përballen me barriera ekonomike dhe barriera të tjera.

Ata kërkojnë gjithashtu sigurimin e informacioneve dhe këshillimit të qasshëm, konfidencial dhe të bazuar në shkencë për shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë metodat moderne të kontracepsionit, përmes edukimit gjithëpërfshirës seksual. Ky edukim, sipas HERA-s, do t’u mundësojë të rinjve të fitojnë njohuri dhe aftësi për të marrë vendime të informuara dhe të përgjegjshme për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues.

Edukim seksualShoqata Hera