“Kush është idioti tani?” reagoi Biljana Ivanovska pas lajmit se kontrata për festimet e pavarësisë u lidh në ditën e mbylljes së thirrjes

Lidhja e kontratës në vlerë prej 4.8 milionë eurosh për festimin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë ndërmjet Lotarisë Shtetërore dhe kompanisë “Stardast” ishte planifikuar paraprakisht, ka reaguar ish-kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, transmeton Portalb.mk.

Në një postim në Facebook, ajo komentoi dokumentet e publikuara nga “Slloboden Peçat” dhe të siguruara nga Ministria e Drejtësisë, në të cilat shihet se kontrata ishte lidhur më 8 maj, në të njëjtën ditë kur përfundoi thirrja publike.

Sipas dokumenteve, Ministria e Drejtësisë më 16 shtator nxori vendim me të cilin sponsorizimi i Lotarisë për “Stardast” konfirmohet si sponsorizim me interes publik në fushën e kulturës, pasi kishin përfunduar aktivitetet rreth festimit. Kërkesa e Lotarisë Shtetërore drejtuar ministrisë ishte dërguar më 12 gusht, tre ditë pas fillimit të karvanit dhe programit “Fort shkëlqeu dita”.

“Dhe tani? Kush është idioti? Drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, në konferencën për media ku raportoi për paratë e shpenzuara të qytetarëve, tha se më 8 maj, në orën 10:41, në hapësirat e tyre kishte mbërritur oferta e vetme nga ‘Stardast’, me rreth 100 faqe. Nga kontrata rezulton se deri në fund të ditës – njëkohësisht ishte shqyrtuar programi prej 100 faqesh nga komisioni treanëtarësh, kryetari i të cilit, Nikollçe Micevski, më vonë u shfaq si pjesëmarrës në program si autor i orkestrimeve të José Carreras; ishte përpiluar kontrata ndërmjet Lotarisë Shtetërore dhe ‘Stardast’ në vlerë prej 300 milionë denarësh; dhe ishte nënshkruar nga drejtori Aleksandar Klimovski dhe menaxherja e ‘Stardast’, Mia Miloshevska. Ndërsa Ministria e Drejtësisë më 16 shtator nxori vendim, pasi gjithçka kishte përfunduar. Pra, gjithçka ishte planifikuar paraprakisht”, reagoi Ivanovska.

Formulimi me të cilin Ivanovska e nis reagimin e saj të kujton përgjigjen e Boban Millosheskit nga “Avalon International Booking” në konferencën për media para koncertit të David Guettas. Gazetarja e “Sloboden Peçat”, Miroslava Simonovska, e pyeti pse nuk ishte publikuar shuma e kontratës për performancën dhe nëse ekzistonte ndonjë klauzolë që e pengonte publikimin e saj.

“A të dukem unë ty si idiot?”, ishte përgjigjja e Millosheskit, i cili e cilësoi pyetjen si provokim dhe tha se konferenca ishte kushtuar organizimit dhe sigurisë së koncertit.

Në konferencën e mëvonshme për shpenzimet e festimit, Millosheski u kërkoi publikisht falje Simonovskës dhe redaksisë së “Sloboden Peçat”, duke shpjeguar se ishte përgjigjur në afekt për shkak të lodhjes dhe stresit.

Më 10 shtator, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, së bashku me drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, thanë se 300 milionë denarët për festimin ishin siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë për vitin 2024.

Në konferencën për media të mbajtur pas festimit të pavarësisë, ata njoftuan se Lotaria Shtetërore kishte marrë vendim për formimin e një komisioni për zhvillimin e procedurës përmes thirrjes publike.

Thirrja ishte publikuar më 4 maj, me numër 01-35C/2026, dhe përcaktonte kushtet që duhej t’i përmbushte ofertuesi, përfshirë kushtin që të kishte realizuar të paktën një ngjarje me kapacitet të konsiderueshëm pjesëmarrjeje, të dispononte ose të kishte siguruar qasje në kapacitete profesionale të produksionit, teknike, skenike dhe logjistike, si dhe të kishte përvojë në organizimin e ngjarjeve publike, koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të tjera të ngjashme.

Në thirrjen publike u dorëzua një ofertë, nga “Stardast” DOOEL Shkup, përkatësisht subjekti përmes të cilit në këtë procedurë paraqitet “Avalon International Booking”.

Biljana IvanovskaBiljana Ivanovska - AntikorrupsioniKeqpërdorim i pozitës zyrtareKeqpërdorim tenderiLotaria e RMVPavarësia e Maqedonisë së Veriut