“Jo në emrin tim!”, në Shkup u protestua kundër dënimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë (Video)

Sot në Shkup, në sheshin “Skënderbeu” u zhvillua protestë me moton “Jo në emrin tim!”, lidhur me zhvillimet dhe proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, raporton Portalb.mk.

Arben Mustafa, përfaqësues i familjarëve të dëshmorëve tha se vendimi i Gjykatës së Hagës ndaj krerëve të UÇK-së është i padrejtë.

“Jemi këtu për të ngritur zërin për ata ë lufftuan që Kosova sot të jetë shtet i pavarur… UÇK-ja luftoi për mbrojtjen e popullit shqiptar, luftoi kundër agresorit serb. Populli shqiptar në Kosovë ishte viktimë. Prandaj është e padrejtë që në këtë rast të dënohet viktima dhe të lihet nën hije agresori”, tha Mustafa.

Fexhri Asipi nga këshilli organizativ i protestës tha se do të protestohet edhe në qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut.

Ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kemi protestuar do ditë në Kosovë,morëm vendim që të protestojmë në Maqedoni, e nisëm nga Shkupi dhe do vazhdojmë në gjithë qytetet e Maqedonisë. Do njoftoheni në kohë. Partitë politike të na bashkohen, këtu nuk ka të bëjë politika por këtu ka të bëjë kombi, sepse kombi është në rrezik, nuk është politika.

Dhoma e Specializuar e Hagës më 16 shtator dënoi me burgime shumëvjeçare ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, duke i shpallur fajtorë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet burg, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg.

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje që të pranohet dhe respektohet aktgjykimi i Hagës, me të cilin drejtuesit e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan me burgime të gjata për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998 dhe 1999.

Hashim ThaçiJakup KrasniqiKadri VeseliKosovaProtestaRexhep SelimiUshtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)