Për shkak të rënies së temperaturave, sezoni i ngrohjes fillon dy ditë më herët se data zyrtare

Kompania EMV ka njoftuar sot se, nga nesër  13 tetor 2026, fillon sezoni i ngrohjes 2026/2027 për konsumatorët e kyçur në sistemet e ngrohjes qendrore në Shkup. Nga kompania thanë se, sezoni i ngrohjes zyrtarisht fillon më 15 tetor, por në përputhje me rregulloren, ai mund të fillojë edhe më herët, në periudhën nga 1 deri më 15 tetor, nëse parashikimi i temperaturës mesatare të jashtme për ditën e ardhshme është i barabartë ose më i ulët se 12 °C, transmeton Portalb.mk.

Ata shtuan se, sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), për 13 tetorin parashikohet temperaturë mesatare e jashtme prej 12 °C, me ç’rast plotësohen kushtet për prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji termike, në përputhje me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE).

“Deri më 15 tetor, në faqen e internetit të ESM Furnizimi me Ngrohje do të publikohen çdo ditë informacione nëse janë plotësuar kushtet për furnizim me energji termike për ditën e ardhshme. Sipas rregullave, gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit, kur kushtet atmosferike ndryshojnë shpesh, furnizimi me energji termike do të varet nga temperatura e ajrit dhe kushtet atmosferike në periudha të ndryshme të ditës. Kjo do të thotë se kur temperaturat janë më të ulëta, furnizimi me energji termike rritet, ndërsa kur ato janë më të larta, zvogëlohet. Në kushte të përcaktuara saktësisht atmosferike, kur temperaturat e jashtme gjatë ditës arrijnë vlera të caktuara kufitare, furnizimi me energji termike ndërpritet, përkatësisht sistemi fiket. Menjëherë pas rënies së temperaturave nën vlerat e përcaktuara kufitare, ngrohja qendrore aktivizohet sërish. Me këtë mënyrë të rregulluar të furnizimit sigurohet konsum optimal i energjisë termike dhe kostot minimale të mundshme të ngrohjes për konsumatorët”, thuhet në njoftim

Po ashtu, ata u kanë bërë thirrje bashkësive të pronarëve që të sigurojnë qasje të papenguar të personave zyrtarë në nënstacionet e ngrohjes, furnizim të rregullt me energji elektrike, shlyerjen e faturave të energjisë elektrike dhe instalime elektrike funksionale. Ndërhyrjet e përfunduara duhet të raportohen menjëherë në Qendrën për Kujdesin ndaj Konsumatorëve.

 

Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) (ELEM)Ngrohje qendrore – nxemje