Prej sot, kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) janë aktivizuar edhe në rajonin e SPB-së së Ohrit, përkatësisht në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër. Nga MPB-ja njoftuan se, pas kontrolleve teknike dhe testimeve përfundimtare, kamerat e sistemit do të vihen në funksion, transmeton Portalb.mk.
Me aktivizimin e sistemit, siç theksojnë nga MPB-ja, do të mundësohet kontroll më i shtuar dhe i vazhdueshëm i trafikut, zbulimi në kohë i shkeljeve të rregullave të komunikacionit, rritja e disiplinës në trafik dhe përmirësimi i sigurisë rrugore.
Nga MPB-ja u bëjnë apel të gjithë shoferëve që t’i respektojnë në mënyrë të vazhdueshme rregullat dhe dispozitat e komunikacionit dhe, përmes sjelljes së përgjegjshme, të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në trafik.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.
Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.