Ambasada e Suedisë në Shkup ka hapur përsëri këtë vit konkursin për pozitën “Ambasadore për një ditë”

Ambasada e Suedisë në Shkup ka hapur edhe këtë vit konkursin për pozitën “Ambasadore për një ditë”. Konkursi është për vajzat mbi moshën 15-vjeçare që dëshirojnë të bëhen ambasadore suedeze për një ditë, angazhohen seriozisht për barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe vajzat dhe dëshirojnë të mësojnë më tepër se si mund të kontribuoni në sjelljen e ndryshimeve pozitive në shoqëri, transmeton Portalb.mk.

“Nga kandidatja e përzgjedhur pritet që të ndjekë nga afër punën e ambasadorit gjatë një dite të plotë pune, të marrë pjesë në takime, të bashkëpunojë me stafin e Ambasadës dhe të përfshihet në aktivitetet e përditshme të institucionit. Në fund të ditës së punës, ajo do të përgatisë një raport të shkurtër mbi përvojën dhe aktivitetet e realizuara. Orari i angazhimit do të jetë nga ora 08:30 deri në 16:00”, njoftuan nga ambasada.

Afati i fundit për aplikim është 10 nëntor, ora 23:59 ndërsa aplikimet duhet të dërgohen në adresën elektronike: ambassaden.skopje@gov.se, me subjektin e e-mallit: “Aplikim për konkursin #GirlsTakeOver – Ambasadore për një Ditë 2026/2027”.

Të gjithë kandidatët e interesuar duhet ti parashtrojnë dokumentet si vijon:

  • Një letër e shkurtër motivimi (maksimumi 250 fjalë), ku shpjegoni arsyet pse dëshironi të aplikoni për këtë pozicion;
  • Një biografi e shkurtër, ku përshkruani angazhimet, interesat dhe aktivitetet tuaja në dobi të komunitetit. Këto mund të përfshijnë iniciativa ose pjesëmarrje në aktivitete që promovojnë barazinë mes vajzave dhe djemve, ndihmën për të moshuarit apo grupet e cenueshme, mbrojtjen e mjedisit dhe kontribute të tjera shoqërore;
  • Dy rekomandime (1-2 paragrafë secili) nga persona që ju njohin mirë dhe mund t’ju rekomandojnë për këtë pozicion, si mësues, profesorë ose persona të tjerë që kanë pasur mundësi të ndjekin angazhimin tuaj;
  • Pëlqim me shkrim nga prindërit ose kujdestarët ligjorë për vajzat e moshës 15 deri në 18 vjeç.

Kandidatet të cilat do të përzgjidhen në listën e ngushtë do të ftohen në një intervistë on-line, ndërsa rezultatet përfundimtare do t’u komunikohen të gjithë aplikanteve deri më 15 dhjetor 2026, përmes adresës elektronike të shënuar në aplikim.

Kandidatja fituese do të ushtrojë detyrën e saj si “Ambasadore për një Ditë” në fillim të semestrit të dytë shkollor, në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, në kuadër të aktiviteteve që lidhen me 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ambasada e Suedisë në RMVBarazi gjinoreKonkurs Shpallje