Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka njoftuar se është gjetur zgjidhje për problemin e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel, por nuk ka bërë të ditur se çfarë parashikon konkretisht zgjidhja, raporton Portalb.mk.
Sulejmani, përmes një statusi në rrjetet sociale, tha se çështja është zgjidhur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit. Sipas tij, zgjidhja është në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe është në interesin më të mirë të nxënësve.
Megjithatë, në njoftimin e tij, zëvendësministri nuk sqaron nëse paralelja në gjuhën shqipe do të vazhdojë të funksionojë në SHF “Penko” apo çfarë mase konkrete është dakorduar mes Ministrisë dhe Komunës.
“Me kënaqësi ju njoftoj se çështja e paraleles në gjuhën shqipe në SHF ‘Penko’ është zgjidhur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit”, shkroi Sulejmani.
Ai shtoi se zgjidhja garanton respektimin e të drejtës për arsimim dhe krijimin e kushteve për vijimin e mësimit në gjuhën shqipe, duke e cilësuar rastin si shembull se përmes dialogut dhe bashkëpunimit institucional mund të gjenden zgjidhje në interes të fëmijëve.
Këshilltarët shqiptarë nga VLEN dhe AKI kanë lëshuar seancën e sotme të Këshillit të Komunës së Butelit, ku u diskutua edhe për mbylljen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko”.
Në shkollën fillore Petar Zdravkovski- Penko në komunës e Butelit është mbyllur një paralele me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë. Arsyetimi është se nuk ka mjaftueshëm nxënës për regjistrim. Edhe përkundër interesimit të lartë për regjistrim të nxënësve shqiptarë, udhëheqja e shkollës ka vendosur që këtë vit shkollor të mos pranojë fëmijë shqiptarë që jetojnë në rrugë që janë në kufi të komunës së Butelit, por adresat figurojnë në komunën e Çairit. Mbyllja e paraleles me mësim në gjuhën shqipe ka shkaktuar revoltë te mësimdhënësit, të cilët kanë kundërshtuar këtë vendim.
Drejtoresha e Penkos, Mevlide Kryeziu pranon mbylljen e një paraleleje më mësim në gjuhën shqipe, me arsyetimin e mungesës së nxënësve.
“Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Komunës së Butelit dhe zonës së shkollës sonë, jemi detyruar të bëjmë riorganizimin e një prej paraleleve të klasës së parë. Ky vendim është marrë në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për organizimin e procesit mësimor dhe kalimin e shkollës në mësim në një ndërrim. Dëshirojmë të theksojmë se ky riorganizim nuk nënkupton mbylljen përfundimtare të mundësisë për hapjen e paraleleve të reja”, deklaroi për Alsat Mevlide Kyreziu, Drejtore e “Petar Zdravkovski- Penko”.
Vendimi i drejtoreshës së shkollës fillore Petar Zdravkovski Penko, Mevlide Kryeziu për mbylljen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe vjen në kohën kur numri i nxënësve shqiptarë në komunën e Butelit vazhdon të shënojë rritje. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave për vitin e kaluar shkollor 2024-2025 në komunën e Butelit gjithsej ka 5 276 nxënës, prej të cilëve më së shumti shqiptarë, edhe atë 2 971, pastaj maqedonas 1 741, turq, 230, Boshnjakë 165, romë 100, Serbë 18 dhe të tjerë.
Shkolla Fillore “Penko” numëron mbi 1,700 nxënës, prej tyre 90% janë shqiptarë.