Nga mesnata e sotme, dizeli do të shitet me çmime të reja, ndërsa rritje drastike ka te çmimi i dizelit, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE), transmeton Portalb.mk.
Konkretisht, dizeli shtrenjtohet për 5,5 denarë për litër, ndërsa benzinat do të shiten me çmime 1,5 denarë më të ulëta.
Kështu, në përputhje me vendimin e Komisionit Rregullator, çmimi më i lartë me pakicë i benzinës Eurosuper BS-95 do të jetë 99 denarë për litër, Eurosuper BS-98 do të shitet për 101 denarë, ndërsa Eurodizel BS (D-E V) për 104,5 denarë për litër.
Vaji ekstra i lehtë për djegie (EL1) lirohet për 7 denarë për litër dhe do të shitet për 102,5 denarë, ndërsa çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS rritet për 1,835 denarë për kilogram dhe do të jetë 50,078 denarë.
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë theksojnë se çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, krahasuar me përllogaritjen e mëparshme, shënojnë rritje te benzinat mesatarisht për 0,960 për qind, te dizeli për 6,772 për qind, te vaji ekstra i lehtë për 5,960 për qind dhe te mazuti për rreth 4,084 për qind.
Kursi i denarit ndaj dollarit është rreth 0,753 për qind më i lartë se kursi me të cilin u formuan çmimet në përllogaritjen e mëparshme.
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se nëse situata me çmimet e karburanteve përshkallëzohet më tej, Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të zbutur goditjen e çmimeve ndaj qytetarëve.
Bozhinovska theksoi se Qeveria po i ndjek me vëmendje zhvillimet, duke theksuar se rritja e çmimeve është rezultat i faktorëve globalë dhe konflikteve ushtarake mbi të cilat shteti nuk ka ndikim. Ajo tha se aktualisht është aktive masa për uljen e TVSH-së për dizelin nga 18 në 10 për qind, masë që Qeveria e miratoi më 13 shtator dhe e cila duhet të vlejë deri më 28 shtator.
Ministrja përgjegjëse nuk e përjashton mundësinë e uljeve të reja, duke theksuar se masat fiskale i përgatit Ministria e Financave, të cilat më pas miratohen në seancë të Qeverisë.
Ajo paralajmëroi se Qeveria në seancën e ardhshme të martën do ta shqyrtojë gjendjen dhe do të diskutojë për hapat e mëtejshëm.
Bozhinovska tha gjithashtu se për momentin nuk po zhvillohen negociata të reja për zbritje shtesë me “Okta”, por kjo mundësi mbetet e hapur nëse kriza thellohet.