Shuma e pamjaftueshme e subvencionit për ushqimin e studentëve, e cila nuk është harmonizuar me inflacionin, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe ujit në konvikte, vonesat e bursave, transporti i shtrenjtë ndërurban dhe parregullsitë gjatë provimeve janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen studentët në vend. Gjatë gjashtë muajve, përmes platformës së pavarur studentore “Studentarija” janë dorëzuar mbi 700 raportime, ndërsa më shumë se 1.200 studentë të tjerë kanë votuar për problemet e raportuara. Këto të dhëna u prezantuan në konferencën e sotme për media, ku përfaqësuesit e platformës paraqitën gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga projekti “Zëri Digjital i Studentëve”, transmeton Portalb.mk.
Siç theksoi Ana Shopovska nga “Studentarija”, standardi studentor nuk nënkupton vetëm mbështetje financiare dhe kushte për studim, por edhe informim në kohë dhe komunikim funksional me institucionet.
“Studentët kërkojnë informacione përmes rrjeteve sociale. Nga të gjitha raportimet krijojmë një pasqyrë më të qartë të problemeve. Standardi studentor lidhet edhe me pyetjen nëse studenti do ta marrë një informacion të caktuar dhe nëse institucionet do t’i përgjigjen në kohë”, theksoi Shopovska.
Ndërkaq, Goshe Nikollov shpjegoi se gjatë analizimit të raportimeve nuk janë udhëhequr vetëm nga numri i ankesave, por edhe nga natyra e problemeve dhe pengesat institucionale me të cilat përballen studentët. Analiza ka identifikuar gjashtë fusha ku problemet janë më të dukshme, ndërsa ndër çështjet më të shpeshta të raportuara është subvencioni për ushqimin e studentëve. Edhe pse shuma e këtij subvencioni është 140 denarë në ditë, ajo nuk është rritur asnjëherë që nga viti 2023, pavarësisht detyrimit ligjor për harmonizimin e saj me inflacionin, thonë nga platforma.
“Studentët marrin të njëjtën mbështetje nga shteti, por atë që mund ta blinin me ato para në vitin 2023, sot mund vetëm ta ëndërrojnë. Ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit”, thotë Nikollov. Sipas tij, problem shtesë është ndërprerja e së drejtës për subvencionimin e ushqimit për shkak të dërgimit me vonesë të të dhënave nga fakultetet te Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
“Vitin e kaluar, çdo muaj qindra studentëve u ndërpritej e drejta për subvencionimin e ushqimit, pa qenë ata fajtorë. Fakultetet nuk i dorëzonin me kohë të dhënat e nevojshme, kështu që studentët mbeteshin pa mbështetje financiare për një ose dy muaj për shkak të gabimeve të të tjerëve”, tha Nikollov.
Ndër problemet e raportuara nga studentët janë edhe kushtet në konvikte. Banorët kanë deklaruar se përballen me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, ujë dhe ngrohje.
“Nuk po flasim nëse dhomat janë moderne apo komode. Po flasim për kushte elementare të jetesës: ujë, energji elektrike dhe ngrohje. Në konviktin studentor “Nikolla Karev” në Ohër, banorët mbetën pa energji elektrike për më shumë se 30 orë në mes të dimrit, pikërisht gjatë sezonit të provimeve. Ata nuk mund të mësonin, të bënin dush, ndërsa në vend të ushqimit të freskët merrnin ushqim të konservuar“, theksoi Nikollov.
Studentët kanë raportuar edhe mungesë transparence gjatë pranimit në konvikte. Edhe pse MASH-i publikon listat e studentëve të pranuar, nuk i paraqet pikët e fituara, gjë që, sipas përfaqësuesve të “Studentarijas”, është në kundërshtim me atë që parashikohet në rregullore dhe ngre dyshime për mënyrën e ndarjes së vendeve.
Vonesat e bursave janë një tjetër problem për të cilin studentët kanë dorëzuar raportime. Përveç publikimit me vonesë të rezultateve të konkurseve, ata ankohen edhe për vonesat në pagesa. Sipas të dhënave të prezantuara, bursat për vitin e kaluar akademik u janë paguar studentëve vetëm në gusht, kur ata tashmë i kishin përfunduar obligimet akademike.
Sa i përket transportit, shumica e ankesave kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve të transportit ndërurban dhe mungesën e lehtësimeve për studentët. Veçanërisht shqetësuese janë edhe raportimet që lidhen me sjelljen e profesorëve ndaj studentëve, mënyrën e organizimit të provimeve dhe kriteret e vlerësimit.
“Studentët raportojnë kritere të paqarta vlerësimi, pyetje provimi që nuk janë përfshirë në materialin për përgatitje, por edhe favorizim të studentëve të caktuar. Kur i shohim të gjitha këto fusha së bashku, arrijmë në një përfundim të përbashkët: të drejtat ekzistojnë në letër, institucionet ekzistojnë, por zgjidhje për problemet e studentëve nuk ka“, theksoi Nikollov.
Aleksandar Nikollovski nga platforma prezantoi rekomandimet për tejkalimin e problemeve, ndër të cilat është edhe harmonizimi urgjent i shumës së subvencionit për ushqimin e studentëve me inflacionin.
“Nevojitet të vendoset transport falas urban. Studentët në Ohër, Prilep dhe Tetovë nuk e kanë këtë të drejtë. Sa i përket transportit ndërurban, është e nevojshme që më në fund Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, së bashku me MASH-in, ta përmbushin detyrimin nga Strategjia Kombëtare për të Rinjtë, ku parashikohet se studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme do të kenë transport të siguruar. Jemi të vetëdijshëm se transporti hekurudhor pothuajse nuk ekziston fare. Nevojitet edhe më shumë transparencë gjatë pranimit në konvikte. Ndër rekomandimet është publikimi i pikëve të fituara, në mënyrë që studentët të kenë pasqyrë mbi mënyrën e renditjes dhe ndarjes së vendeve”, tha Nikollovski.
Projekti “Zëri Digjital i Studentëve“ mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të Regional Support Mechanism EECA, që zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të nismës Digital Democracy Initiative (DDI). Platforma digjitale u ka mundësuar studentëve të paraqesin problemet me të cilat përballen. Hapi i ardhshëm, sipas rekomandimeve, është që institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete, të përmirësojnë procedurat dhe të raportojnë në mënyrë transparente për zgjidhjen e problemeve të paraqitura.
Protestat studentore në Serbi mësim për Maqedoninë
Ajo që po shohim aktualisht në Serbi është një shembull i fuqishëm i ndikimit që mund të kenë të rinjtë kur janë të organizuar, këmbëngulës dhe marrin pjesë aktivisht në proceset shoqërore, tha Goshe Nikollov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas fitores së djeshme të listës studentore „Studentët fitojnë“ në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
“Nëse mund të nxjerrim një mësim për Maqedoninë, ai nuk është se duhet të kopjojmë modelin e dikujt tjetër të protestës apo organizimit politik. Mësimi është se studentët duhet të jenë aktivë, të informuar dhe të organizuar, të kërkojnë llogaridhënie dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat demokratikë që kanë në dispozicion”, tha Nikollov.