Studentaria: Edhe një herë, qindra studentë në RMV kanë humbur padrejtësisht ushqimin e subvencionuar

Platforma studentore “Studentaria” reagoi lidhur me, siç thonë ata, ndërprerjen e paarsyetuar të subvencionit për ushqimin studentor për qindra studentë gjatë këtij muaji. Pjesa më e madhe e tyre studiojnë në Fakultetin e Sigurisë pranë Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, ndërsa si arsye për ndërprerjen e subvencionit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) është përmendur se bëhet fjalë për studentë që nuk janë të rregullt, edhe pse ata i plotësojnë kriteret përkatëse, transmeton Portalb.mk.

“Studentaria” informon se problemi me ndërprerjen e ushqimit studentor për një pjesë të studentëve është pasojë e mosdorëzimit në kohë të të dhënave të përditësuara për studentët e rregullt nga fakultetet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Sipas tyre, bëhet fjalë për një detyrim të rregullt mujor të institucioneve të arsimit të lartë. Për shkak të këtij lëshimi, siç theksojnë, studentëve të prekur u është ndërprerë automatikisht e drejta për ushqim studentor të subvencionuar.

Siç thonë nga “Studentaria”, është shqetësuese që, edhe pse fakultetet më vonë kanë dorëzuar lista të përditësuara të studentëve që i plotësojnë kushtet, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk pranon korrigjimin e të dhënave për muajin aktual. Sipas tyre, në këtë mënyrë studentët mbeten pa mjetet financiare që ligjërisht u takojnë, pa pasur asnjë faj për situatën e krijuar.

“Secilit prej studentëve të prekur këtë muaj i janë mohuar 3.640 denarë (26 ditë me nga 140 denarë) – mjete që për shumë prej tyre paraqesin mbështetje të rëndësishme për mbulimin e shpenzimeve të përditshme të ushqimit”, thuhet në njoftimin e “Studentarisë” në rrjetet sociale.

Nga “Studentaria” theksojnë se pothuajse çdo muaj studentë nga fakultete të ndryshme mbeten pa ushqimin studentor për shkak të mosdorëzimit në kohë të të dhënave nga fakultetet, ndërsa MASH refuzon përditësime shtesë.

“Në vend që sistemi t’i mbrojë ata që e gëzojnë këtë të drejtë, studentët mbeten pa mbështetje financiare për shkak të lëshimeve administrative mbi të cilat nuk kanë asnjë ndikim”, thuhet në komunikatë.

Nga “Studentaria” kërkojnë që MASH urgjentisht ta rishqyrtojë vendimin për ndërprerjen e së drejtës për ushqim studentor të subvencionuar dhe të gjejë një mënyrë për t’ua paguar mjetet për ushqimin studentëve të Fakultetit të Sigurisë që i plotësojnë kushtet ligjore për shfrytëzimin e kësaj të drejte.

Ata shtojnë se, si rezultat i këtyre lëshimeve, studentët janë dëmtuar për shuma milionëshe që kanë mbetur në buxhetin e shtetit, edhe pse ligjërisht u përkasin atyre.

Për këtë arsye, i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe universitetet që të vendosin një zgjidhje të përshtatshme sistemore për shkëmbimin dhe përditësimin në kohë të të dhënave, me qëllim që nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik të parandalohen situata të tilla.

“Studentët nuk guxojnë të ndëshkohen për lëshimet administrative të institucioneve. E drejta për ushqim studentor të subvencionuar duhet të garantohet për të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet ligjore, pa përjashtim dhe pa rrezikun që ta humbin për shkak të gabimeve të të tjerëve”, theksojnë nga “Studentaria”.

Mbështetja financiare në shumë prej 140 denarë është e dedikuar për blerjen e ushqimit, ndërsa studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime. Kompensimi monetar nuk është parashikuar të paguhet në periudhën e pushimeve verore nga 1 korriku deri më 1 tetor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)StudentëUniversitet(e)