Në Koçan sot sërish do të mbahet “Marshi i Engjëjve”, një tubim simbolik që do të nisë në orën 14:05, me moton: “me dashuri, me dhimbje dhe me dinjitet, në emër të atyre që nuk janë më”, transmeton Portalb.mk.
Ngjarja, e organizuar nga familjet e viktimave dhe mbështetësit e tyre, ka për qëllim të rikthejë vëmendjen e opinionit publik te nevoja për një proces gjyqësor të drejtë dhe transparent. Organizatorët kujtojnë se pas çdo statistike qëndron një njeri, një jetë që nuk mund të rikthehet dhe një dhimbje që nuk shuhet.
“Qëllimi ynë është i thellë dhe njerëzor: për fëmijët tanë, për drejtësi të vërtetë, për një Maqedoni me ndërgjegje”, theksojnë prindërit. Ata shtojnë se është jetike që shoqëria të tregojë se padrejtësia nuk duhet të kalojë në heshtje dhe se ka njerëz që nuk heqin dorë nga e vërteta.
Në marshin e fundit, të mbajtur në Shkup, familjet e viktimave theksuan se janë të vetëdijshme për vështirësinë e procesit që i pret. Por mesazhi i tyre mbeti i qartë: nëse qytetarët bashkohen në kërkimin për drejtësi, sistemi do të duhet të reagojë sipas vullnetit të shoqërisë.
Kujtojmë se, gjykimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, ka nisur më 19 nëntor. Në rast janë përfshirë 38 të akuzuar, prej të cilëve 35 persona fizikë dhe tre subjekte juridike. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për 2 dhjetor.
Marshi i sotëm pritet edhe një herë të forcojë mbështetjen publike dhe të dërgojë një mesazh të qartë se beteja për drejtësi vazhdon.
- LEXO: Prova kaotike, aktakuzë e re dhe materiale të padërguara, mbrojtja në rastin “Puls” me vërejtje të shumta ndaj prokurorisë
- LEXO: Vazhdon gjykimi për zjarrin në Koçan, priten deklarimet për fajësi dhe fjalët hyrëse të mbrojtjes
- LEXO: Tragjedia e Koçanit, Prokurori: Nëse diskoteka Pulse do t’i plotësonte kushtet, 63 personat nuk do të kishin vdekur