Ambasada ruse hodhi poshtë akuzat e ASK-së për rrjet propagandistik në Maqedoni

Ambasada e Federatës Ruse në Maqedoni reagoi sot ndaj akuzave të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK) për ekzistencën e një rrjeti propagandistik në vend, i cili vepron në funksion të interesave ruse. Ambasada i hodhi poshtë akuzat dhe pretendon se, pavarësisht kërkesës diplomatike të dërguar, deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga institucionet maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Reagimi vjen pas njoftimit të ASK-së të 1 tetorit, në të cilin Agjencia informoi se kishte zbuluar një rrjet portalesh të rreme, përmes të cilave përhapeshin dezinformata, minohej besimi te institucionet dhe nxitej jotoleranca etnike dhe kombëtare.

Nga Ambasada ruse bëjnë të ditur se, menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, i janë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, duke kërkuar një takim të ambasadorit rus me drejtuesit e Ministrisë dhe të ASK-së, për të marrë sqarime lidhur me akuzat e ngritura.

“Fatkeqësisht, deri më sot jo vetëm që nuk është mbajtur takimi, por nuk është marrë as përgjigje ndaj notës përkatëse të Ambasadës”, thuhet në reagim.

Misioni diplomatik rus i hedh poshtë kategorikisht pretendimet për lidhjen e Rusisë me përhapjen e materialeve propagandistike dhe kundërshton cilësimin e aktiviteteve që janë objekt i hetimit si “aktivitete hibride proruse”.

“I hedhim poshtë me vendosmëri akuzat e pabazuara kundër vendit tonë për përhapjen e materialeve propagandistike, të cilat, siç pretendohet në njoftimin e ASK-së, kishin për qëllim ‘minimin e besimit te institucionet’ dhe ‘nxitjen e urrejtjes dhe jotolerancës etnike dhe kombëtare’”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në reagim përmenden edhe marrëdhëniet e Maqedonisë me Bashkimin Evropian. Ambasada ruse vlerëson se akuzat ndaj Rusisë përbëjnë një përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë për problemet në marrëdhëniet e Maqedonisë me disa prej partnerëve të saj potencialë në BE.

Misioni diplomatik rus thekson se vazhdon të presë sqarime zyrtare nga institucionet maqedonase.

Ndërkaq, ASK-ja në njoftimin e 1 tetorit bëri të ditur se më 18 shtator, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorinë Themelore Publike, ishin ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi maqedonas, i dyshuar për lidhje me faktorë të huaj dhe një rrjet propagandistik.

Sipas Agjencisë, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij ishin sekuestruar sende për ekspertizë të mëtejshme. Hetimi ka të bëjë me dyshime për nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, nxjerrjen e sekretit zyrtar dhe përhapjen e materialeve raciste e ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik.

ASK-ja njoftoi atëherë se rrjeti përdorte portale të klonuara me domene interneti maqedonase, të lidhura me struktura politike rajonale proruse. Përmes tyre, sipas Agjencisë, përhapeshin dezinformata dhe minoheshin proceset e integrimit evropian të vendit.

Agjencia për Siguri Nacionale (Kombëtare)Ambasada e Rusisë në RMVPropagandë - Manipulim