Shifër rekorde prej 356 milionë eurosh shpenzuan komunat në RMV për prokurime, kryeson Tetova me 22.5 milionë euro

Komunat e Maqedonisë së Veriut dhe Qyteti i Shkupit në vitin 2025 kanë lidhur gjithsej 4.300 kontrata për prokurime publike, me vlerë rekord prej 356 milionë eurosh. Sipas hulumtimit të Qendrës për Komunikime Qytetare, vlera e tenderëve komunalë në vitin zgjedhor është pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin paraprak, transmeton Portalb.mk.

Komuna e Tetovës kryeson për nga vlera e prokurimeve publike, me 22,5 milionë euro. Ajo shënon edhe rritjen më të madhe vjetore, me rreth 20 milionë euro më shumë në vlerën e tenderëve. Në anën tjetër, Strumica regjistroi rënien më të madhe, prej gjashtë milionë eurosh.

Qyteti i Shkupit, i cili për të dytin vit radhazi nuk kryeson në këtë listë, në vitin 2025 renditet në vendin e 14-të, me tenderë në vlerë prej 8,5 milionë eurosh. Në vendin e fundit për nga vlera e përgjithshme e prokurimeve publike është komuna e Staro Nagoriçanes, me më pak se gjysmë milioni euro.

Sa i përket vlerës së prokurimeve publike për banor, në krye është Çairi me 2.381 euro për banor, ndërsa në Qendër Zhupë kjo vlerë është vetëm 12 euro.

Hulumtimi tregon gjithashtu se komunat gjatë vitit të kaluar kanë lidhur kontrata me gjithsej 1.185 kompani, por më shumë se një e katërta e vlerës së përgjithshme të tenderëve komunalë ka përfunduar te vetëm 10 kompani.

Kompania Zhikoll nga Strumica renditet e para për nga vlera e përgjithshme e kontratave të fituara, me rreth një miliard denarë, përkatësisht afërsisht 16 milionë euro.

Të dhënat janë publikuar nga Qendra për Komunikime Qytetare, e cila ka përgatitur hulumtimin dhe bazën e të dhënave për prokurimet publike të komunave për vitin 2025. Të dhënat e plota për periudhën nga viti 2015 e deri më sot janë të qasshme në bazën e të dhënave për prokurimet publike.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Ndryshe, në vitin 2024, 80 komunat dhe Qyteti i Shkupit lidhën gjithsej 4,006 kontrata prokurimi publik me vlerë 11.7 miliardë denarë, ose 190 milionë euro. Vetëm në vitin 2024, vlera e tenderëve komunalë u rrit me 16 përqind, ose 26 milionë euro. Komunat e Shkupit, Gazi Baba, Aerodrom dhe Kisella Voda, patën rritjen më të madhe të vlerës së tenderëve. Qyteti i Shkupit humbi primatin për herë të parë dhe, me një rënie vjetore të vlerës së tenderëve prej 11.5 milionë eurosh, është në vendin e gjashtë

Komuna/ëProkurime (furnizime) publike - tenderëTetova