Ndryshimet e shpeshta të Kushtetutës, veçanërisht ato të imponuara nga jashtë, e vënë në pikëpyetje rolin e saj si ligji më i lartë dhe si dokumenti më i gjerë e më i rëndësishëm shoqëror i qytetarëve, vlerëson presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo këtë e deklaroi dje gjatë fjalimit në panel-diskutimin me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së parë, të organizuar nga Kuvendi, Instituti Publik Shkencor për Histori Kombëtare dhe Arkivi Shtetëror, transmeton Portalb.mk.
Siljanovska-Davkova u kthye te procesi i hartimit të Kushtetutës së vitit 1991, në përgatitjen e së cilës kishte marrë pjesë si anëtare e jashtme e Komisionit të atëhershëm për Çështje Kushtetuese. Ajo theksoi përkushtimin e madh të anëtarëve të Komisionit Kushtetues, por edhe të përbërjes së parë parlamentare, ndaj detyrës më të rëndësishme politike që kishin përpara. Ajo e vlerësoi procedurën e miratimit të Kushtetutës si demokratike, gjithëpërfshirëse dhe transparente, ndërsa shumicën e zgjidhjeve si standarde.
Si veçanërisht të rëndësishme ajo i vlerëson vlerat themelore të rendit kushtetues, si dhe liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, të cilat u konfirmuan edhe nga Komisioni i Badinterit në vitin 1992. Megjithatë, ajo ka vërejtje për mënyrën se si është përcaktuar ndarja e pushtetit, pozita dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, zgjidhjet për gjendjen e luftës dhe gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe vetëqeverisjen lokale.
Sa i përket zhvillimit kushtetues-juridik, Siljanovska-Davkova theksoi se plot 21 nga 36 amendamentet janë iniciuar nga jashtë, në frymën e ndërtimit të shtetit (state building). Pjesa hyrëse e Kushtetutës është ndryshuar dy herë, pas së cilës përdoret sintagma “pjesë të popujve”, e cila nuk përputhet me kategorinë e bashkësive, të futur në tekstin normativ me amendamentet e vitit 2001.
Sipas saj, amendamentet janë hartuar me teknikë kushtetuese-juridike jo të njëtrajtshme dhe të dobët, gjë që i bën ato të paqarta dhe vështirë të kuptueshme, ndërsa preambulën e konsideron plotësisht të palexueshme.
Presidentja i propozoi kryetarit të Kuvendit që të frymëzohet nga përvoja e suksesshme e Komisionit të parë Kushtetues dhe ta zgjerojë komisionin ekzistues me anëtarë të jashtëm, ekspertë, të cilët së bashku me anëtarët e përbërjes aktuale parlamentare do të punonin vazhdimisht në analizimin e zbatimit të Kushtetutës, identifikimin e problemeve në rendin kushtetues dhe propozimin e zgjidhjeve, përfshirë edhe përgatitjen e pjesës së Kushtetutës që rregullon raportin ndërmjet së drejtës kombëtare dhe asaj evropiane.
Debati për ndërhyrjet e radhës në Kushtetutë tashmë lidhet drejtpërdrejt me integrimin evropian. Maqedonia e Veriut i hapi bisedimet qasëse e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas 17 vitesh me statusin e vendit kandidat.
Këtij hapi i parapriu miratimi i propozimit francez. Më 16 korrik 2022, Kuvendi miratoi konkluzionet për këtë propozim, pa pjesëmarrjen në votim të opozitës së atëhershme, e cila tani është në pushtet.
Për të kaluar në fazën e ardhshme të negociatave, vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe të bashkësive të tjera etnike. Kjo kërkon mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
- LEXO: 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës, Maqedonia e Veriut përballë ndryshimeve të nevojshme për rrugën drejt BE-së
- LEXO: BE do të reagojë nëse Bullgaria përdor protokollin e bllokadës ndaj Maqedonisë, tha ambasadori austriak Martin Pamer
- LEXO: Petrova-Çamova: Nuk është tipike që të ketë ndërmjetës në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët