Në Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi debati publik në lidhje me Ligjin për familje, ku u disktuan mendimet, vërejtjet dhe propozimet, transmeton Portalb.mk.
“Në diskutim morën pjesë ekspertë të fushës, përfaqësues të shoqatave, organizatave qytetare dhe institucioneve, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, të cilët shprehën mendimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre në lidhje me zgjidhjen ligjore të propozuar”, sqaroi Kuvendi.
Ndryshimet u propozuan nga Vesna Bendevska, Daniella Belimova, Pavle Arsoski, Boban Karapejovski dhe Daniell Stojçevski. Një nga çështjet e diskutuara në debatin publik është edhe zgjidhja e re për qasje në të dhënat e birësimit, duke u theksuar nevoja për përjashtimin e parimit të konfidencialitetit të të dhënave.
“Qëllimi i Propozim-ligjit është të rregullojë qasjen në të dhënat dhe shkresat e lëndëve të birësimit, përmes vendosjes së mekanizmit për ushtrimin e së drejtës së të birësuarit të rritur për t’i inspektuar shkresat e lëndës për birësimin e tij. Rregullon edhe veprimin dhe vendimmarrjen mbi kërkesat për qasje, qasjen në të dhënat për arsye mjekësore që lidhen me shëndetin e të birësuarit të mitur, si dhe qasjen nga të afërmit e gjakut të të birësuarit të rritur me kushtet e përcaktuara me ligj”, raportoi Kuvendi.