Jotova fitoi zgjedhjet në Bullgari, Siljanovska-Davkova e uroi: Me vullnet të mirë mund t’i tejkalojmë sfidat aktuale

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ia uroi fitoren në zgjedhje presidentes së Bullgarisë, Ilijana Jotova, dhe nënpresidentit Kiril Valçev, pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt dje në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Urimin në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e saj personal, Siljanovska-Davkova e përcolli përmes një postimi në platformën sociale X.

“Në emër të qytetarëve të Maqedonisë dhe në emrin tim personal, u shpreh urimet më të përzemërta presidentes Ilijana Jotova dhe nënpresidentit Kiril Valçev për fitoren e tyre në zgjedhje. Suksesi i presidentes Jotova pasqyron vullnetin e popullit bullgar. Jam e bindur se gjatë mandatit të saj, Bullgaria do të ketë një rol konstruktiv në rajonin tonë dhe në Evropë”, thuhet në urimin e Siljanovska-Davkovës.

Në urimin e shkruar në gjuhën angleze, presidentja e Maqedonisë thekson se pret me padurim bashkëpunimin e ardhshëm me presidenten e re të Bullgarisë, të bazuar, siç shprehet ajo, në respekt të ndërsjellë, dialog të hapur dhe partneritet të sinqertë.

“Me vullnet të mirë mund t’i tejkalojmë sfidat aktuale, t’i forcojmë marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe të kontribuojmë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, shton presidentja e Maqedonisë në urimin e saj.

Fitorja e Ilijana Jotovës dhe kandidatit për nënpresident të Bullgarisë, Kiril Valçev, konfirmohet edhe nga të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas tyre, dyshja Jotova/Valçev në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura dje ka fituar 57,581 për qind të votave, përkatësisht 1.093.564 vota.

Kundërkandidatët e tyre, Andrej Gjurov (për president) dhe Georgi Kandev (për nënpresident), sipas 99,95 përqind të vendvotimeve të përpunuara, kanë fituar 749.543 vota ose 39,467 përqind.

Jotova mbrëmë, në një konferencë për media, i falënderoi votuesit, Komitetin Nismëtar që e nominoi dhe partitë që e mbështetën, duke premtuar se do të arrijë të tejkalojë ndarjet politike në shoqërinë bullgare, raportoi Televizioni Kombëtar Bullgar – BNT.

Ajo në veçanti falënderoi kryeministrin e vendit, Rumen Radevin, dhe grupimin e tij politik “Bullgaria Progresive”.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)