Trump kërcënoi Iranin: Mund të na duhet ta godasim fort

Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Iranin me sulme ajrore. Gjatë një tubimi elektoral, ai tha se SHBA-së mund t’i duhet ta godasë rëndë këtë vend, por nuk sqaroi se kur apo në çfarë rrethanash, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Arsyeja e vetme pse nuk e kam përfunduar punën me Iranin është se dua të tregohem i mirë”, u tha ai mbështetësve më 1 nëntor, gjatë një tubimi në Ajova, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor.

“Dua të përpiqem të shpëtoj sa më shumë jetë që të mundem… Por, në një moment, do të na duhet t’i godasim fort”, shtoi ai.

Trump deklaroi më herët se, gjatë fundjavës, ka biseduar në telefon me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe se Irani ka qenë ndër temat e diskutuara.

Ai nuk dha hollësi të tjera.

Portali amerikan, Axios, duke cituar burime amerikane dhe izraelite, raportoi se Netanyahu i ka kërkuar Trumpit t’i nisë sulmet kundër Iranit menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor.

Megjithatë, sipas raportimit, Trump është më i prirë t’u japë kohë negociatave që janë në zhvillim, për të parë nëse ato do të sjellin rezultate.

Trump pret marrëveshje të paqes me Iranin pas zgjedhjeve të nëntorit

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit lidhen kryesisht me programin bërthamor iranian dhe shqetësimet e SHBA-së dhe Izraelit se Irani mund të zhvillojë armë bërthamore.

Teherani ka këmbëngulur se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore dhe ka mohuar se synon të prodhojë armë të tilla.

Përplasja mes vendeve u përshkallëzua në shkurt të këtij viti, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit, duke goditur objektiva ushtarake dhe të lidhura me programet bërthamore e raketore.

Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe objektivave në vende të tjera të rajonit.

Në prill u arrit një armëpushim, ndërsa në qershor palët nënshkruan një memorandum që parashihte negociata për përfundimin e konfliktit.

Megjithatë, marrëveshja nuk u zbatua plotësisht dhe luftimet vazhduan, duke lënë të pazgjidhura çështjet për programin bërthamor iranian, raketat balistike dhe sanksionet amerikane.

Përpjekjet diplomatike rifilluan ditëve të fundit.

Në Iran shtohen thirrjet për prodhimin e armëve bërthamore

Sipas Axios-it, ndërmjetësuesit nga Katari kanë zhvilluar bisedime me zyrtarët iranianë, në përpjekje për të hapur rrugën për negociata të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka thënë se Irani është i përgatitur si për diplomaci, ashtu edhe për mbrojtje.

Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka paralajmëruar se një luftë e re mund të zgjasë më shumë se përplasjet e mëparshme dhe se Trump nuk do të mund të përcaktonte i vetëm kohëzgjatjen apo kushtet e përfundimit të saj.

Donald Tramp (Trump)Irani