Muzika dhe arti duhen “t’i ushqejë” gjeneratat e reja nga mosha më e hershme, si në kopshte e çerdhe të fëmijëve ashtu dhe atyre në shkollat fillore. Kështu shprehet për Portalb.mk mjeshtrja e instrumentit harkor, Sihana Badivuku. Ajo thotë se nga eksperienca e saj mund të konstatojë se te një përqindje e vogël vërehet talenti nga mosha 2-3 vjeçare sepse disa fëmijë, me kohë dhe pas hapjes emocionale fillojnë të tregojnë talentin muzikor pasi të njoftohen me instrumentin e përzgjedhur dhe eksplorojnë veten në skenë. Tek ata, talenti fillon të “lulëzojë” gjatë periudhës së adoleshencës. Badivuku në intervistë për Portalbin foli për rrugëtimin e saj artistik që kur babai i kishte dhuruar violinën e parë.
Portalb.mk: Keni shumë vite përvojë, si e kujtoni sot momentin e parë kur morët violinën në duar? Cilat janë momentet që nuk do i harroni kurrë në karrierën tuaj?
Sihana Badivuku: Jam shumë fatlume që prindërite mi, Hysen dhe Pranvera Badivuku si muzicient profesionistë ndikuan si për mua, ashtu dhe motrën time Zanën, të fillojmë nga mosha e hershme të regjistrohemi në Shkollë të Muzikës në Prishtinë, (unë në violinë dhe motra në piano), ku më pas edhe me përkrahjen maksimale të tyre (prindërve) vazhduam të merremi profesionalisht me muzikë klasike.
I kujtoj çdo herë momentet e para kur babai ma bleu violinën e parë të vogël (1/8), por edhe koncertet e para në kuadër të prezantimeve të koncerteve të shkollës, takimeve të talenteve të Kosovës që në vitet 70-80’ i inicioi dhe i organizonte kompozitori Fahri Beqiri.
Po ashtu ndikim të madh kanë pasur pjesëmarrjet e mija në garat muzikore të ish Jugosllavisë (Lubjanë, Sarajevë dhe Hercegovinë), ku juria më vlerësoi me pikët maksimale (çmime të para). Më pas koncertet e veçanta në zhvillimin tim ishin prezantimet e mija si soliste me Orkestrën Simfonike të Radio Prishtinës, Orkestrën Simfonike të Nish-it dhe Beogradit dhe Orkestrën Rinore të Rinisë muzikore të Maqedonisë, koncertet që i realizova në moshën si e re 13-16 vjeçe me dirigjentët Silviu Pantiru nga Rumunia, Leclav Salacki nga Polonia, Bajar Berisha nga Kosova dhe Fimço Muratovski nga Maqedonia.
Për edukim e zhvillim maksimal në instrument padyshim përpos përkrahjes së prindërve rol vendimtar në bazat e violinës i takojnë profesorëve të mi nga mosha 7 vjeç deri në moshën 23 vjeçare, kur edhe magjistrova në Konservatoriumin prestigjioz “P.I.Çajkovski” në Moskë në klasë të profesoreshës eminente Eugenia Aleksejevna Çugajeva.
Profesorët kryesor në edukimin tim ishin: Dijana Makedonska, Vanço Stoilkov, Bllagoja Dimçevski, Ratka Dimitrova, Pavel Vernikov, Bohodar Kotoroviç, Eugenia Çugajeva, Young Uck Kim.
Portalb.mk: Jeni pjesë e Universitetit të Prishtinës, ku përgjatë 31 viteve nga duart tuaja kanë dalë një “ushtri” violinistësh që tashmë janë pjesë e dy institucioneve bazë në Kosovë, Filarmonisë dhe Operës së Kosovës, sa jeni e lumtur me profesionin që zhvilloni?
Sihana Badivuku: Nuk ka krenari më të madhe kur i sheh sa kanë arritur në këtë profesion nxënësit dhe studentët e mi, që shumica e tyre janë solistë, mjeshtër koncertesh, muzicient kamertal e pedagogë si: në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, në Evropë e SHBA.
Unë nga viti 1992 kontribuoj si profesoreshë e violinës në Universitetin e Prishtinës ,si dhe në Universitetin Shtetërorë të Tetovës nga viti 2008. Po ashtu kam qenë profesoreshë e violinës edhe në Shkollën e Muzikës “I.N.Luj “gjatë viteve 1996-2000 ku me ftesë të drejtoreshës së shkollës Prof. Marija Pisinova krijova klasën e violinës me fëmijë të talentuar si: Gorgi Dimçevski, Marko Pop Ristov, Frosina Bogdanovska, Irena Eminoviç, Petar Mançev, Isidora Gapiç. Emrat e lartpërmendur më pas u perfeksionuan në Evropë ku dhe janë udhëheqës apo koncertmjeshtra të Orkestrave Evropiane me renome .
Më pas me violinistin Xhafer Xhaferi nga Tetova i cili po ashtu u perfeksionua në Gjermani dhe tani vazhdon karrierën e tij si solist, muzicient kamertal dhe orkestrant në Gjermani me të cilin edhe performova në vjeshtë të vitit 2024 në Festivalin “Kosova KamerFest”, që e udhëheq nga viti 2000 në Kosovë dhe i realizova me Fondacionin “ArsKosova” 23 edicione.
Po ashtu duhet ti përmendi emrat e violinistëve që dolën nga Universiteti Shtetëror i Tetovës e që tani plot 10 vite janë aktiv në jetën muzikore në RMV: Krenar Ismaili, Shkëlzen Pajaziti, Ardiana Iseni, Nita Reçi, Funda Ali, Zana Zymberi, Alberta Doko, Rezona Abdili, Valentina Aliti, Endrit Ahmeti, si dhe Ilire Ismajli, Dijana Osaj, Gurina Salihu nga Kosova dhe gjenerata e studentëve të rinj që tani i vijojnë studimet: Lulesa Pajaziti dhe Benjamin Menga (nga Shqipëria).
Ish studentët nga Kosova që tani i kanë pozitat kyçe në 2 institucionet si Filarmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës: Visar Kuçi, Festim Fanaj, Gentian Aliu, Mrika Hoxha, Rron Bakalli, Valbon Beqiri, Erlinda Gashi etj si dhe ish studentët e gjeneratave të para si pedagogia e mirënjohur Prof. Shqipe Bajraktari, e cila 15 vitet e fundit krijoj numër shumë të madh violinistësh të rinj të talentuar, si dhe Leonora Shkreli, Astrit Mustafa, Dardan Osmanaj, Dora dhe Ftesa Ramadani, etj. Gjithashtu krenohem me violinistet që tani jetojnë dhe veprojnë në Evropë e SHBA, Valjeta Vërzivolli dhe Arta Prekadini .
Kurorëzimi dhe kënaqësia më e bukur shpirtërore është kur bashkëpunoj dhe muzikoj në ansambël me ish studentët e mi në koncerte të ndryshme kamertale.
Portalb.mk: Sa e duan sot të rinjtë muzikën, violinën dhe artin?
Sihana Badivuku: Muzika dhe arti duhen “t’i ushqejnë” gjeneratat e reja nga mosha më e hershme, si në kopshte e çerdhe të fëmijëve ashtu dhe atyre në shkollat fillore.
Nga eksperienca pedagogjike lirisht mund të them që te një përqindje e vogël vërehet talenti maksimal i fëmijës nga mosha e hershme 2-3 vjeçare, kurse disa fëmijë me kohë dhe pas hapjes emocionale fillojnë të përparojnë dhe tregojnë talentin muzikor pasi të njoftohen me instrumentin e përzgjedhur dhe eksplorojnë veten në skenë, e tek ata talenti fillon të “lulëzojë” gjatë periudhës së adoleshencës etj.
Modelet e shteteve që e promovojnë muzikën klasike në shkolla fillore nga mosha e hershme si ajo e Violinistit Jehudij Menjuhin me projektin “Muse”, ajo e Amerikës Latine e Z.Jose Manuel Abreu me Fondacionin “El Sistema”, por edhe modele tjera në botë, janë shembuj shumë produktiv në zhvillimin edukativo-psikologjik e emocional të fëmijëve nga mosha e hershme e posaçërisht si “muziko-terapi” për fëmijët me nevoja të posaçme si autizmi, Sindromi down etj.
Gjatë vitit 2024 me Fondacionin “ArsKosova” u mbështetëm nga Ministria e Kulturës së Kosovës me dy projekte madhore pikërisht ku talentet e garave “ArsKosova” dhe disa instrumentistë që treguan suksese maksimale performuan me konceptin “Arti në Shkolla” dhe projektin “Talentet e Garave ArsKosova performojnë për ju”, ku performuan në kopshte shkollore, Fshati S.O.S Qendra të Autizmit, Handikos, Shkolla fillore, Shtëpi të të moshuarve etj.
Muzika në moshë të hershme duhet të i ofrohet fëmiut në formë të lojës, vallëzimit etj.
Është me rëndësi që secili fëmijë të merr edukim muzikor e më pas në jetë nëse nuk vazhdojnë me muzikë klasike si profesion do merren me këtë muzikë si hobi.
Portalb.mk: Sa vlerësohet arti te ne?
Sihana Badivuku: Djepi i muzikës klasike janë shtetet Evropiane nga Renesansa, Baroku, impresionizmi, Romantizmi e muzika e shek.20-21 si: Gjermania, Austria, Franca, Anglia, Ish Bashkimi Sovjetik e më pas SHBA.
Tek ne në trojet Shqiptare edukim muzikor të suksesshëm kanë pasur në Shqipëri (nga vitet 50 -60‘), në Kosovë kurse në Maqedoni tek Shqiptarët me themelimin e Universitetit të Tetovës kur edhe filluan të krijohen kuadro të reja.
Arti do të duhej të vlerësohej edhe më shumë që të vijnë në shprehje edhe më shumë talentet e rinj dhe vlerat e mirëfillta të një shoqërie.
10 vitet e fundit artistët e rinj të shqiptarëve të Maqedonisë por edhe ata më me eksperiencë filluan të përkrahen më seriozisht nga Ministria e kulturës së Maqedonisë.
Nga eksperienca ime kam pasur koncerte me ftesë të Qendrës Kulturore Informative (v.1994 ) me pianisten me origjinë Shqiptare nga Manastiri, Prof. Meri Kafkalevska, dhe nga viti 1995 e deri më tani me pianisten Maja Kastratoviç, si dhe disa koncerte recitale në Verën e Ohrit, koncertet me Filarmoninë e Maqedonisë nga viti 1992 etj.
Sivjet, në vitin 2025 me pianisten Maja Kastratoviç e kemi vitin jubilar 30 vjetorin, andaj vendosëm të konkurrojmë në konkursin e Ministrisë së kulturës të RMV, dhe jemi shumë të lumtura që projekti është përkrahur me 100 pikë maksimale duke u vlerësuar si projekt të rëndësishëm jemi përkrahur me koncertin recital 30 vite jubilare bashkëpunimi dhe në koncertin në Stamboll si prezantim në Qendrën Kulturore Informative të RMV në Turqi. Gjatë 10 viteve kjo është hera e dytë ku jam përkrahur nga Ministria e kulturës, dhe shpresoj që realizimi i koncerteve do të mirëpritet pozitivisht nga artdashësit dhe publiku.
Portalb.mk: Je paraqitur në koncerte të ndryshme si ne vend ashtu edhe jashtë vendit, cilat kanë qenë disa nga koncertet më mbresëlënëse?
Sihana Badivuku: Do ti kisha veçuar koncertet me Dirigjentin e mirënjohur Shqiptar Maestro Ermir Krantja (1992-2004,) me Filharmoninë e Maqedonisë -Shkup, Orkestrën e RTVSH-së dhe TOB në Tiranë, me koncertet violinistike si: Jan Sibelius dhe Johannes Brahms. Koncertet me dirigjentin Bullgar Milen Nachev (Shkup me Brahms koncertin dhe Filarmoninë e Maqedonisë. Koncertin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me Dubl-Koncertin për violinë dhe violonçel të kompozitorit Thoma Gaqi me Maestro Eno Koço dhe violonçelistin Aristidh Prosi si dhe Brahms Dubl-koncertin po me të njejtin violonçelist A.Prosi. Koncertin si Soliste me Osterreische Rundfunk Philharmonie me dirigjentin Slloven Nikolaj Zliçar me koncert “Fantazinë” për violinë dhe orkestër të kompozitorit Risto Avramovski në Verën e Ohrit (1997). Koncerti madhështor historik i Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan me Filarmoninë e Kosovës -projekt gjigant voluminoz i organizuar dhe udhëhequr në superlativ nga producentja dhe gazetarja e mirënjohur Dijana Toska. Koncertet me Filarmoninë e Kosovës si dhe me korin e Filarmonisë së Kosovës tre vitet e fundit si soliste dhe me veprën “Fantazi Koncertante ” për violinë dhe kor e kompozitorit Rafet Rudi. Prezantimin në koncertin Miqësor “Kosovë-Tajlandë”në Bangkok si soliste me Filarmoninë e Kosovës me Maestro Toshio Yanagisawa dhe Orkestrën Simfonike Mbretëtore të Bankokut. Koncert recitalet me pianisten Maja Kastratoviç në Belgjikë, Itali, Spanjë, Ukrainë. Koncert recitalet me motrën pianisten Zana Badivuku-Basha në Itali ,Francë.
Koncertet me pianisten Turke Yesim Gökalp në Turqi. Koncertet në Lituani me pianisten Vaida Kyrvelite. Koncertet për javën e Autizmit prill 2024 me pianisten Dhurata Lazo. Koncertet në Shkodër me pianistin Klevis Gjergji. Koncertin me pianisten Lejla Pula në Gjermani, Republikën Çeke. Koncertet me pianistin Francez Bertrand Giraud dhe koncertin me pianistin Amerikan Derek Han të ndjerë me të cilin bashkëpunova 20 vite. Momente e periudhë shumë e veçantë që e kujtoj me shumë mall janë bashkëpunimet e mija me pianisten Teuta Pllana në vitet e hershme të fëmijërisë-rinisë sime si 13-14 vjeçare në Kosovë, Verën e Ohrit (1984, Sarajevë dhe qytetet tjera të ish YU .
Shumë të çmuara për mua janë performancat me violonçelistët: Antonio Gashi, Aristidh Prosi, Bledar Zajmi, Smerald Spahija dhe Frank S.Dodge.
Portalb.mk: Si e arrite synimin që të shkoni në Moskë, në Konservatoriumin “Çajkovski”?
Sihana Badivuku: Babai im i ndjerë, violinisti Hysen Badivuku nga fillet e para ishte kreatori i zgjedhjes së profesorëve eminent si Prof. Bllagoja Dimçevski dhe Prof. Pavel Vernikov me të cilët mësova nga mosha 11–16 vjeç ma dhanë një bazë të shëndoshë të teknikës violinistike dhe u pranova si 16 vjeçare si studente ne fillim në Konservatoriumin shtetërorë të Kievit-Ukrainë (në klasë të prof. Bohodar Kotoroviç), e më pas u transferova në P.I .Çajkovski në Moskë, ku i vazhdova studimet Bachelor 5 vite dhe ato master, plus dy vite te profesori i mirënjohur Eugenia Çugajeva.
Portalb.mk: Sigurisht që çdo rrugëtimi ka sfidat e veta, na tregoni cilat kanë qenë sfidat të cilat ju kanë përcjellë gjatë këtyre viteve?
Sihana Badivuku: Përpos hulumtimit pedagogjik krahas koncerteve solistike e kamertale sfidë me të cilën merrem me organizim të jetës kulturore në Kosovë, si presidente dhe themeluese e Fondacionit “ArsKosova” ku përtej dy dekada me stafin e shkëlqyer të këtij Fondacioni përpos Festivalit “Kosova Kamerfest” i kemi udhëhequr edhe Garat e muzicientëve të rinj ArsKosova 18 edicione. Vëzhgimin dhe hulumtimin pedagogjik të Shkollës së Muzikës Artit dhe Baletit “ArsKosova” së bashku me prof. Zana Badivuku-Basha, Aida Gjikolli dhe pedagogët e rinj ish student tanë në krye me drejtoreshën e shkollës, nënën tonë kompozitoren Pranvera Badivuku.
E paralel me këto aktivitete profesionale sfidë më e madhe është të jesh prind dhe nënë e dy fëmijëve Nartës-studente e vitit të parë në Finki, Shkup dhe Artit, djalit tonë me spektër të autizmit ku bashkë me bashkëshortin tim Bujar Hoxha, mësojmë çdo ditë diçka të re nga “enigma e paparashikuar e autizmit”.
Portalb.mk: Si një mjeshtre e instrumentit harkor cila do ishte këshilla e juaj deri te artistët e rinj?
Sihana Badivuku: Violina është instrument shumë i ndërlikuar në vitet e para, pasi që impostimi i duarve nuk është edhe aq natyral kështu që duhen vite e vite dhe shkollë superiore violinistike derisa një i ri fillon të mishërohet e perfeksionon si instrument. Shkollimi nga ai i ciklit të ulët, e mesëm të shkollave muzikore dhe Fakultetit-Akademisë së Muzikës i përfshinë 15-17 vite studim permanent në instrument 4-6 orë në ditë. Më pas me eksperiencë në skenë e koncerte përfitohen horizonte të reja në skenë gjatë performimit, andaj rezultatet edhe pse pas shumë vite punë e dashuri ndaj muzikës së instrumentit kurorëzohen me duartrokitje nga zemra e publikut artdashës.
Eksplorimi pafund i këtij arti, nuk mund të shpjegohet me fjalë pa u përjetuar vet në skenë andaj të rinjve që merren me këtë profesion mos të dëshpërohen nëse rezultati nuk ju vjen menjëherë. Durim, hulumtim, lexim i shumë librave si për kompozitorët ashtu dhe literaturë e ngushtë pedagogjike dhe mësim i veprave të reja konstant të hap rrugë e shtigje të reja muzikore e spiritualë që sublimohet në tingujt e violinës si shprehje emocionale dhe ideore e frazave dhe mendimit muzikor të kompozitorëve. Të merren me profesion që ju flenë në zemër dhe me intuitë ta bëjnë zgjedhjen e duhur dhe posaçërisht femrave artiste të jenë sa më të pavarura në çdo aspekt.