Poezia e Fatmir Mujës do të bëjë bashkë publikun në Kërçovë këtë të shtunë, më 3 tetor, në mbrëmjen poetike “Fjala që nuk shuhet”. Aktiviteti do të mbahet në Qendrën e Kulturës “Koço Racin”, me fillim në orën 18:00, në praninë e vetë poetit, shkruan Portalb.mk.
Për dashamirët e letërsisë, kjo do të jetë një mundësi për ta njohur autorin përtej vargjeve. Publiku, veçanërisht të rinjtë, do të mund të bashkëbisedojë me Mujën, t’i parashtrojë pyetje dhe të dëgjojë prej tij se çfarë e frymëzon dhe si lind poezia e tij.
Interpretimet poetike, muzika dhe zëri i të rinjve do të ndërthuren në një program kushtuar krijimtarisë së Mujës. Në qendër do të jenë vargjet që trajtojnë njeriun, jetën, shpirtëroren dhe ekzistencën, duke hapur hapësirë për reflektim dhe bisedë.
Sipas organizatorëve, mbrëmja synon ta afrojë poezinë me publikun dhe të tregojë se fjala e shkruar merr një tjetër jetë kur lexohet, dëgjohet dhe ndahet me të tjerët.
“Fjala që nuk shuhet” realizohet në kuadër të manifestimit “Kërçova-Qytet i Kulturës”, me mbështetje financiare nga Komuna e Kërçovës. Organizatorët ftojnë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje kushtuar poezisë dhe takimit të drejtpërdrejtë me autorin”, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Qendrës së Kulturës “Koço Racin”.